Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) vlerëson se rreth 87% e familjeve shqiptare kishte internet me linja fikse në fund të vitit të kaluar.
Mbështetur në vlerësimet e AKEP, norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjetet fikse për familje u rrit me afërsisht 6 pikë përqindje vitin e kaluar.
Megjithatë, ky raport duhet marrë me disa rezerva, duke qenë se përfshin numrin e përgjithshëm të abonentëve të internetit nga rrjetet fikse, duke përfshirë edhe bizneset.
Të dhënat e AKEP tregojnë se numri i abonentëve të shërbimit të internetit me linja fikse në fund të vitit 2023 arriti në 631 mijë, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë.
Tregu i shërbimit të internetit broadband me linja fikse në dekadën e fundit ka shfaqur një tendencë të vazhdueshme në rritje dhe konkurrencë të lartë mes operatorëve, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë dhe ku janë përqendruar edhe investimet e operatorëve në infrastrukturë rrjeti.
Sipas numrit të abonentëve, tregu vitin e kaluar kryesohej nga One Albania, me 22% të numrit të përgjithshëm të abonentëve, e ndjekur nga Vodafone Albania me 20%, A.S.C (Tring) 10% pjesë tregu, Abissnet me 7%, Digicom me 5% dhe Nisatel me 4% pjesë tregu.
Gjatë vitit 2023, trafiku i internetit broadband nga rrjete fikse arriti në rreth 1.25 miliardë GB ose rreth 24% më shumë se viti 2022.
Struktura e pajtimtarëve me akses në shërbime interneti fiks po zhvendoset drejt shërbimeve broadband me shpejtësi shkarkimi mbi 30 Mbps (megabit për sekondë). Në fund të vitit 2023 numri i pajtimtarëve me shpejtësi më shumë se 30 Mbps përbënte rreth 69% të totalit të numrit të pajtimtarëve me akses broadband nga rrjetet fiks, duke shënuar rritje të konsiderueshme me periudhën pararendëse, kur pajtimtarët me shpejtësi më shumë se 30 Mbps përbënin rreth 51% të totalit.
Ndërkaq, numri i pajtimtarëve të shërbimeve broadband nga rrjetet fikse me akses mbi 100 Mbps arriti në 179,537 (rreth 28% e pajtimtarëve), duke shënuar rritje mjaft të konsiderueshme krahasuar me vitin pararendës (rreth 12% të totalit të pajtimtarëve për 2022).
Mbulimin përherë e më lartë me broadband të shpejtë dhe shumë të shpejtë po e udhëheq zgjerimi i teknologjisë së mbështetur në fibrën optike (FTTH/FTTB), që ka shënuar rritje me rreth 17% krahasuar me vitin 2022.
Në fund të vitit 2023 numri i sipërmarrësve që ofronin shërbime komunikimi nga rrjetet fikse në Shqipëri ishte 252. Pjesa më e madhe e operatorëve alternativë janë të vegjël dhe me prani shumë të kufizuar rrjeti në zona urbane apo rurale afër qendrave urbane.
Sipas AKEP, tregu i ofrimit të shërbimeve broadband nga rrjetet fikse karakterizohet nga një numër i lartë pjesëmarrësish, të cilët ofrojnë larmishmëri të lartë paketash dhe ofertash për pajtimtarët e këtyre shërbimeve.
Volumi i tregut të shërbimeve nga rrjetet fikse vitin e kaluar ra në 11.6 miliardë lekë, me një rënie prej 9.2% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, sipas AKEP, rënia e volumit të tregut nuk është shkaktuar nga tendencat e biznesit, por nga riklasifikimi i të ardhurave të dy sipërmarrësve të veçantë, të ardhurat e të cilëve janë kundërshtuar në proces gjyqësor për tu mos u klasifikuar si të ardhura të gjenerura nga ofrimi i komunikimeve elektronike në Shqipëri (për vitin 2022 të ardhurat e raportuara nga sipërmarrësit e mësipërm ishin rreth 1.3 miliardë lekë)./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.