Nga 1 janari 2023, pas zbatimit të ndryshimeve në ligjin “Për akcizën” punishtet e birrarive artizanale për 1 litër birrë të prodhuar, po paguajnë 110% më tepër akcizë se më parë.
Detyrimi për akcizën zë 40% të kostos së përgjithshme për këta prodhues.
Për të mbijetuar birraritë e vogla, sipas Kryetarit të Shoqatës së Mikrobirrave Shqiptare Xhim Begeja kanë rritur çmimet, por njëkohësisht kanë ulur sasinë e prodhimit për shkak të konkurrencës së birrave të importit. Në total janë 10 birrari të vogla, si: Birra Puka, Pan, Dyst, Birra e Gjyshit, Birra Gjallica, Birra Karabash, Birra e Shtëpisë Lushnjë, Birra Saraçi, Birra Altenberg dhe Brahause Beer, që së bashku prodhojnë rreth 3,000 HL në vit.
Për këtë arsye shoqata e Mikrobirrarive i kërkon Ministrisë së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit të përjashtojë 10 prodhuesit artizanal nga detyrimi për akcizën dhe detyrimi për kryerjen e DSHA (deklarimi i parapagimit të akcizës për çdo produkt që del nga fabrika pa u shitur ende malli), apo tarifë fikse për litër të reduktuar dhe përjashtimi nga detyrimi për kryerjen e DSHA.
Sipas llogaritjeve të bëra nga Shoqata e Mikrobirrarive prodhuesit e birrës artizanale, paguajnë 110% më shumë detyrim akcize nga 1 janari 2023 me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore për dyfishimin e tarifimit të akcizës së birrës.
“Formula e llogaritjes me tarifimin e mëparshëm ka qenë 360 lekë x4% alkool=1,440 lekë akcizë për 100 litër birrë apo 14,4 lekë litër. Me ndryshimin e akcizës është bërë 744 x4%=29,76 lekë për 100 litër birrë ose 29,76 lekë për litër. Detyrimi për akcizën është rritur 110%.
Pra birrat tona dalin me 4,8 % alkool, sepse e tillë është teknologjia e prodhimit.
Sa më i lartë është alkooli, aq më shumë rritet detyrimi për akcizën. P.sh për 1 litër birrë të prodhuar me 5,2% alkool x744 akciza =3,869 lekë akcizë për 100 litër ose 38,69 lekë për litër
Detyrimi për akcizën zë 52 % të kostos materiale apo 35 deri 40% të kostos së përgjithshme”, pohon Begeja.
Kërkesat
Opsioni A
Përjashtim nga detyrimi akcizës dhe detyrimi për kryerjen e DSHA ( deklarimi i parapagimit të akcizës për çdo produkt që del nga fabrika pa u shitur ende malli). Suport për aktivitete të ndryshme.
Opsioni B
Tarifë fikse për litër të reduktuar dhe përjashtimi nga detyrimi për kryerjen e DSHA. Suport për aktivitet të ndryshme.
Kostot e shtetit për suportin e 10 mikrobizneseve me potencial te lart zhvillimi llogariten mesatarisht rreth 10,000,000 lekë në vit.
Sipas Shoqatës së Mikrobirrarive përfitimet e shoqërisë dhe shtetit nga marrja parasysh e kërkesave të tyre do të sjellin: Nxitjen e sipërmarrjeve vendase; Nxitjen e ekonomisë vendase; Ruajtjen e burimeve dhe lekëve brenda kufijve të Shqipërisë; Përfaqëson vendin dhe vlerat kulturore; Krijimin e vendeve të punës në sektorin e artizanëve; Atraksion turistik; Potencial për eksport; Shtimi vlerave kombëtare me anë të artizanit, diferencimit të produkteve, origjinalitet; Nxitjen e Produkteve Shqiptare cilësorë që konkurrojnë denjësisht produktet ndërkombëtare; Zhvillimin e artizanit dhe mbështetjen e të rinjve që kanë ide ndryshe; Ndikim pozitiv në bilancin e eksporteve neto; Ndikim pozitiv në kuadër të pengimit të largimit të të rinjve nga Shqipëria dhe plakjen e popullsisë; Produkt inovativ për tregun vendas; Konkurueshmëri me shtetet fqinje dhe jo vetëm, përsa i përket prodhimit artizanal të birrës; Përmirësim të klimës së biznesit; Orientimi i konsumatorit drejt produkteve vendase, si dhe ndryshimi i opinionit publik për produktet vendase.
Tashmë ndryshimet e ligjit 61/2012 “Për Akcizën në Republikën e Shqipërisë”, që sollën nga 1 janari 2023 dyfishimin e akcizës për prodhuesit e birrës janë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase dhe Shoqata e Mikrobirrarive. Tashmë në Kushtetuese është zhvilluar seanca e para më 16 Maj dhe pritet marrja e vendimit më 28 Maj.
Nga 1 janari 2023 prodhuesit vendas së birrës po paguajnë dyfish të akcizës. Ndryshimi i akcizës shtoi edhe 20% kostot e prodhuesve vendas të birrës industriale, që ishin të goditur edhe nga shtrenjtimi i lëndës së parë birrës malto, materialeve ambalazhuese dhe rritja e pagave të punonjësve. Për këtë arsye vjet në muajt janar-shkurt dhe mars disa fabrika mbyllën përkohësisht prodhimin, pasi nuk arrinin të përballonin kostot.
Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë. Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Shteti nuk ka detyre te rrisi vetem te ardhurat por te kujdeset edhe per problemet sociale te ketij populli qe do te thote me falimentimin e ketyre bizneseve ngelen pa pune disa njerez , ngelen pa buke disa familje , vriten shpirterisht njerezit e punes demoralizohet rinia ka frike te krijoj familje , kane frike te bejne femije rritet emigracioni dhe vendi mbetet me pleq dhe me pensione minimale . Kujt i sherben kjo politike . Si mund ti bindim emigrantet te kthehen kur ne nuk jemi ne gjendje te mbajme keta qe kemi ne Shqiperi . Kjo politike vetem… Read more »