Philip Lane, ekonomisht, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Irlandës dhe anëtar i bordit drejtues të Bankës Qendrore Europiane, largon frikën, se lehtësimi politikës monetare të Eurozonës përpara se Bankës Qendrore të SHBA-së, Fed, mund të rezultojë problematike.
Banka Qendrore Europiane, ka dërguar një sinjal të qartë, se do të ulë normat e interesit nga nivelet e larta të kohëve të fundit, javën e ardhshme, teksa drejtuesi ekonomik i saj, largoi frikën se ulja përpara se ta bëjë Fedi-, do të krijojë probleme.
BQE duket pothuajse e sigurt, se do të jetë një nga bankat e para kryesore qendrore, që ul normat e interesit, pasi u kritikua se ishte një nga të fundit, që i rriti ato, pas rritjes më të madhe të inflacionit për një brez, tre vjet më parë.
Investitorët po hamendësojnë shumë,se BQE do të ulë normën bazë të depozitave me një çerek pikë përqindjeje, nga niveli rekord prej 4% në takimin e javës së ardhshme, pasi inflacioni i Eurozonës ra afër objektivit prej 2% të bankës.
Bankat qendrore zvicerane, suedeze, çeke dhe hungareze, kanë ulur tashmë koston e huamarrjes këtë vit, në përgjigje të rënies së inflacionit. Por, midis ekonomive kryesore të botës, Fed dhe Banka e Anglisë, nuk pritet të ulin normat para verës dhe Banka e Japonisë, mund të vazhdojë rritjen.
Lane tha se një arsye kryesore, pse inflacioni kishte rënë më shpejt në Eurozonë se në SHBA, ishte sepse rajoni ishte goditur më shumë nga tronditja energjetike, e shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë. “Përballja me luftën dhe problemin e energjisë, ka qenë e kushtueshme për Europën.”
“Por, për sa i përket këtij hapi të parë, në fillimin e uljes së normave, kjo është një shenjë se politika monetare, ka dhënë rezultate, duke u siguruar që inflacioni të ulet në kohën e duhur. Në këtë kuptim, mendoj se kemi qenë të suksesshëm.”
Lane tha se politikëbërësit e BQE-së, duhet të mbanin normat në një territor kufizues këtë vit, për të siguruar që inflacioni të vazhdojë të zbutet, dhe të mos ngecë mbi objektivin e bankës, për të cilin ai paralajmëroi se, “do të ishte shumë problematike dhe ndoshta mjaft e dhimbshme, për t’u eliminuar”.
Megjithatë, ai tha se ritmi me të cilin banka qendrore, uli kostot e huamarrjes në Eurozonë këtë vit, do të përcaktohet duke vlerësuar të dhënat.
Pavarësisht nga të dhënat e fundit, që tregojnë se rritja e pagave në Eurozonë, u rrit me një ritëm gati rekord në fillim të këtij viti, Lane tha se “drejtimi i përgjithshëm i pagave, ende tregon për ngadalësim, gjë që është thelbësore”, duke shtuar se kjo u mbështet nga vetë BQE.
Disa analistë, kanë paralajmëruar se nëse BQE-ja divergon nga Fed, duke ulur normatnë mënyrë më agresive, kjo mund të shkaktojë zhvlerësimin e euros dhe rritjen e inflacionit, duke rritur çmimin e importeve në bllok.
Lane tha se BQE, do të merrte parasysh çdo lëvizje “të rëndësishme” të kursit të këmbimit, por vuri në dukje se “ka pasur shumë pak lëvizje” në këtë drejtim. Euro është rimëkëmbur, me një të pestën kundrejt dollarit amerikan, nga niveli më i ulët në gjashtë muaj dhe mbeti në rritje, gjatë vitit të kaluar.
Në vend të kësaj, ai tha se vonesat në kohën e pritshme të uljes së normës së Fed-it, kishin rritur yield-et e obligacioneve amerikane dhe kjo, kishte rritur yield-et afatgjata të obligacioneve europiane.
Inflacioni i Eurozonës, ka rënë nga mbi 10% në kulmin e tij në 2022 në nivelin më të ulët afër tre viteve, prej 2.4% në prill, por pritet të arrijë deri në 2.5%, kur të dhënat për majin të dalin këtë javë.
Lane tha se “shuma ende e konsiderueshme e presionit të kostos”, që vinte nga rritja e shpejtë e pagave, që rriti çmimet e shërbimeve, nënkuptonte që BQE-ja, do të duhej të mbante politikën kufizuese, deri në vitin 2025.
Se sa larg BQE-ja, ul normat në përgjithësi, do të varet nga vlerësimi i saj, për të ashtuquajturën normë neutrale, pika në të cilën kursimet dhe investimet balancohen në nivelet e dëshiruara, ku prodhimi është në potencialin e një ekonomie, dhe inflacioni është në objektiv.
Vlerësimet e normës neutrale ndryshojnë, por Lane tha se ka të ngjarë, të nënkuptojë një normë politike në ose pak mbi 2%, megjithëse kjo mund të jetë më e lartë nëse “një tranzicion i fuqishëm i gjelbër”, në energjinë e rinovueshme, ose përfitime të mëdha nga inteligjenca artificiale gjeneruese, do të nxiste një rritje në investime. / FT