Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të mbetet në nivele të ulëta për periudhën në vazhdim, duke u luhatur në në bandën 0.7%–2.8% gjatë vitit 2012, me një probabilitet prej 90%, sipas raportit të politikës monetare të tremujorit të parë të BSH-së. Edhe konsumi pritet të jetë i tkurrur, teksa dhe në tremujorin e parë u konstatua një prani e presioneve të dobëta inflacioniste nga ana e kërkesës. Megjithatë, pritet të ketë një përmirësim të konsumit në muajt në vijim, theksuan ekspertë të BSH-së, gjatë prezantimit të sotëm të raporit të politikës monetare të tremujorit të parë 2012.
Arsyet e këtij inflacioni të ulët të pritshëm lidhen, sipas BSH-së me disa arsye:
-Hendeku i prodhimit vazhdon të jetë negativ
-Inflacioni i importuar me norma të moderuara
-Pritjet inflacioniste të ankoruara
-Presionet inflacioniste me natyrë monetare të përmbajtura
Prirja rënëse, sipas BSH-së u theksua gjatë tre muajve të parë të vitit 2012 kryesisht në reflektim të faktorëve të ofertës…
-Ngadalësim i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare
-Qëndrueshmëri relative e kursit të këmbimit
-Presione të dobëta nga kostot e prodhimit
-Ndikim minimal i inflacionit të çmimeve të rregulluara.
-Reduktim i pritjeve inflacioniste
Inflacioni mesatar i tremujorit të parë të vitit 2012, sipas BSH, rezultoi 1.1%, duke shënuar një nga vlerat më të ulëta të dekadës së fundit. Inflacioni i çmimeve të konsumit vijoi të shënojë një rënie të shpejtë gjatë kësaj periudhe, në përgjigje të ndikimit të fortë në rënie, të faktorëve të ofertës dhe të presioneve të ulëta të gjeneruara nga ekonomia e brendshme. Në veçanti, çmimet e produkteve ushqimore, rritja e të cilave ka shkaktuar edhe pjesën më të madhe të luhatjeve të inflacionit gjatë vitit të fundit, u rritën dukshëm më ngadalë gjatë kësaj periudhe. Rënia e inflacionit u ndihmua edhe nga efekti i bazës së lartë krahasuese të çmimeve gjatë vitit të shkuar, efekt i cili, ndonëse me intensitet në rënie, pritet të jetë i pranishëm edhe gjatë tremujorit të ardhshëm. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste paraqiten të ulëta dhe nën kontroll, siç dëshmohet edhe nga ecuria e inflacionit bazë dhe inflacionit të mallrave të patregtueshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.