Rritja e PBB-së së Bullgarisë në vitin 2017 vlerësohet të ketë qenë 3.8%. Ndërsa gjatë 2018-s dhe vitin e ardhshëm, ajo pritet të ngadalësohet, por gjithsesi do të mbetet në nivele të larta. Pavarësisht rritjes së fuqishme, e nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme, vendi po ecën me ritme më të ngadalta në krahasim me pjesën tjetër të BE-së, thuhet në raportin e Komisionit Europian.
Sipas raportit, në vitin 2017, niveli i papunësisë u ul ndjeshëm në 6.3% dhe me një buxhet të balancuar të qeverisë dhe me uljen e borxhit publik, perspektiva fiskale mbetet pozitive. Bullgaria ka përparuar “në mbledhjen e taksave, në rritjen e masave për të reduktuar ekonominë informale dhe punësimin e padeklaruar, në përmirësimin e politikave aktive të tregut të punës dhe lehtësimin e aksesit në shërbimet sociale”, thuhej në raport.
Megjithatë, qeveria bullgare ka avancuar pak në rritjen e cilësisë së arsimit dhe mbulimit të sigurimeve shëndetësore, reduktimin e dhënies së ryshfeteve dhe krijimin e një mekanizmi transparent për caktimin e pagës minimale.
Komisioni paralajmëron për ngadalësim të mundshëm në sektorin financiar, në atë privat dhe në sfidat e vazhdueshme në tregun e punës.