Kërkesa e dobët e brendshme dhe tarifat e SHBA-së ndaj Kinës, i japin shtysë eksporteve transatlantike të Europës.
Deficiti tregtar i mallrave i BE-së me Kinën, është tkurrur në nivelin më të ulët për tremujor për gati tre vjet, pavarësisht frikës se blloku do të ‘përmbytet’ me produkte të lira kineze.
Ka gjithashtu shenja të rritjes së kërkesës transatlantike për produktet europiane, pasi suficiti tregtar i BE-së me SHBA-në, u rrit në një nivel rekord në tremujorin e parë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.
Ekonomistët thanë, se përmirësimi i bilancit tregtar të Europës, reflektoi kërkesën e dobët të brendshme të rajonit dhe ndryshimin pas-pandemisë, në shpenzimet e konsumatorit nga shërbimet në mallra.
Andrew Kenningham në Capital Economics, tha se pjesa më e madhe e ndryshimit, ishte “shpjeguar nga fuqia e kërkesës së brendshme të SHBA dhe dobësia e kërkesës së BE-së”.
Në tre muajt e parë të 2024, deficiti tregtar i BE-së me Kinën, ra në 62.5 miliardë euro, 10 % më pak nga tremujori i kaluar dhe 18 % nga një vit më parë. Ky është niveli më i ulët, që nga tremujori i dytë i vitit 2021, pasi arriti kulmin në 107.3 miliardë euro në tremujorin e tretë të 2022.
Tregtia e Europës me Kinën, është ngjitur në krye të agjendës politike, nga frika se Pekini po subvencionon shumë prodhimin e vendit, në një përpjekje për të fituar një pjesë dominuese të tregjeve globale, në fusha strategjike si automjetet elektrike, energjia e gjelbër dhe gjysmëpërçuesit.
Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen, bëri thirrje që BE të ndjekë drejtimin e SHBA, në vendosjen e tarifave shtesë ndaj eksporteve kineze të teknologjisë, duke paralajmëruar se një tepricë e mallrave të lira kineze, mund të kërcënojë mbijetesën e fabrikave në mbarë botën.
Importet e BE-së të automjeteve elektrike nga Kina, përfshirë nga prodhuesit jo-kinezë me fabrika atje, u rritën nga 1.6 miliardë dollarë në 2020 në 11.5 miliardë dollarë në 2023. Pjesa e tregut e markave kineze në këtë sektor, u rrit më shumë se katërfish në atë kohë, në 8 % vitin e kaluar.
Brukseli ka hapur hetime për subvencionet e supozuara të padrejta, të paneleve diellore kineze dhe automjeteve elektrike. Megjithatë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka thënë se blloku nuk do të vendosë të njëjtat tarifa për mallrat kineze, që SHBA-ja prezantoi javën e kaluar, duke shtuar se BE-ja, do të marrë një qasje të ndryshme ndaj “tarifave të përgjithshme” të Uashingtonit.
Duke përgënjeshtruar frikën, për një rritje të importeve të lira, pothuajse gjysma e reduktimit të fundit të deficitit tregtar të BE-së me Kinën, rrjedh nga një përmirësim në bilancin e tregtisë së bllokut, në makineri dhe pajisje transporti – që përfshin automjetet elektrike.
Importet e BE-së të makinerive dhe pajisjeve të transportit kinez, kanë rënë për gjashtë tremujorë radhazi, duke rënë me një të katërtën për periudhë, ndërsa eksportet e BE-së në Kinë në këtë fushë, kanë qenë relativisht të qëndrueshme.
Melanie Debono në Pantheon Macroeconomics, tha se rënia e eksporteve kineze në BE në këtë fushë, pasqyroi “një ndryshim të një rritjeje të vitit 2021”, të shkaktuar nga pandemia dhe ato janë rritur, që kur arritën pothuajse nivelin më të ulët të tre viteve, në janar.
Eksportuesve europianë, gjithashtu duket se u është dhënë një shtysë nga SHBA-ja, duke vendosur tarifa për shumë importe kineze dhe duke ofruar subvencione, për prodhuesit e projekteve të energjisë së gjelbër.
Suficiti tregtar i BE-së me SHBA-në, u rrit në një rekord të ri prej 43.6 miliardë euro në tremujorin e parë, 27 % më shumë se një vit më parë. Eksportet e BE-së në SHBA, janë rritur pothuajse 4 %, ndërsa importet nga SHBA kanë rënë më shumë se 5 %.
Prodhuesit europianë të makinave, ishin ndihmuar nga shtrirja e lehtësirave tatimore, sipas Aktit të SHBA për Reduktimin e Inflacionit, për automjetet elektrike të importuara, nëse ato blihen nga bizneset, që i japin me qira. / FT