Distributorët janë grupi tjetër i sipërmarrjeve që mbizotërojnë në renditjen e 100 më të mëdhenjve. Të përqendruara në segmentin FMCG (mallrat që lëvizin shpejt nga raftet) ato janë mjaft të ndjeshme ndaj prirjeve të konsumatorëve për të shpenzuar.
Ndonëse në 2013-n, konsumi i brendshëm ka qenë i ulët, i konstatuar me tkurrjen e importeve dhe vëzhgimet e Bankës së Shqipërisë, kompanitë e këtij segmenti ia kanë dalë të zgjerohen ndjeshëm, ndryshe nga 2012, kur ato panë tkurrje aktiviteti, apo rritje të ulët.
Shtimi i produkteve që tregtojnë, përmirësimi i kanaleve të shpërndarjes, rritja e marketingut, kanë bërë që këto sipërmarrje, në mungesë të rritjes së tregut, të marrin pjesë nga konkurrentët më të vegjël.
Marketing Distribution ka arritur të rimarrë pas dy vitesh vendin e parë mes distributorëve, pas një rritjeje të ndjeshme prej gati 40% në 15.2 miliardë lekë në vitin 2013, duke u ngjitur në renditjen totale në vendin e 11, nga vendi i 19 vitin e mëparshëm. Rritja e saj ka ardhur pasi ka marrë shpërndarjen e cigareve, Imperial Tabacco dhe Japan Tabacco International.
Alfa shënoi gjithashtu një rritje të ndjeshme, prej 48%, në gati 14 miliardë lekë.
Inter Distribution Service (pjesë e grupit të Infosoft) humbi vendin e parë mes distributorëve, të fituar në 2012, pasi u rrit më pak se konkurrentët e saj një vit më pas. Ajo deklaroi një qarkullim vjetor prej 13.3 miliardë lekësh, rreth 8% më shumë me bazë vjetore.
Agna deklaroi një qarkullim vjetor prej 11.3 miliardë lekësh, pothuajse i njëjti me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.