Nga Shoqata ProEksport Albania*
Sektori Manifakturë i veshjeve dhe këpucëve duhet të quhet industria e lehtë dhe punëdhënësi më i madh privat në punësim me 75,000 punonjës.
Vitin 2022 e mbylli me 38% të produkteve shqiptare në eksport, pra çdo 100 produkte shqiptare në eksport, 38 ishin nga ky sektor (trend dhe i vetmi që e mban në vendin e parë të eksportuesve që në vitet 1997). 60 milion palë/copë të eksportuar po për vitin 2022 dhe mbi 1,1 miliard euro eksport, nga të cilat qarkullim në ekonominë shqiptare ishin mbi 650 milion euro.
Në mënyrë direkte dhe indirekte shtetit tonë u paguhen rreth 15 milion euro në muaj (duke përjashtuar pagat dhe të tjera që janë zë më vete).
Për të gjithë ata që lexojnë, por sidomos për ekspertët dhe këshilltarët ekonomik, u ndje e nevojshme t’u jepet dhe disa të tjerëve tua biem ndërmend rëndësinë që ka ky sektor. Është e frikshme dhe preokupuese kur po tentojmë t’i afrohemi botës me tashmë kodifikimin dhe shumë shpejt me INTELIGJENCËN ARTIFICIALE, të dëmtohemi e të na brejë si mola veshjet me dashje apo pa dashje, me qëllim apo pa nga politikat ekonomike (kursi i këmbimit).
Prononcimet e Bankës së Shqipërisë që ka marrë pushimet verore që në Prill (sepse inflacionin e kemi të blinduar), lëvizjet e Qeverisë në marrjen e borxhit (jashtë sistemit tonë në euro dhe shumë të tjera) dhe një nxënës të shkollës së mesme që përgatitet ne vitin e fundit të maturës të studioj lëndët ekonomike (për të kandiduar në degët ekonomike) bindet në paramendimin e veprimeve dhe tashmë daljen jashtë kontrolli të situatës.
Nuk flitet për vetëm një sektor ku po dëmtohemi me mbi 9 milion euro/muaj, flitet për sektorët eksportues me mbi 200,000 të punësuar dhe dëm ekonomik mbi 100 milion euro nga fillim i këtij viti, kur me keqardhje shohim që në dyqanet tona vetëm 2 në 5 produkte shqiptare dhe kjo nuk vjen nga hapja globale ekonomike, por nga mungesa e dëshirës dhe më e keqja vizioni i këshilltarëve që në mbi 30 vitet e demokracisë nuk kanë parë si të gjithë vendet e tjera që ekonomia ka qëndrueshmëri dhe është e fortë kur mbështeten dhe incentivohen/promovohen produktet e vendit të tyre.
Nuk ekziston një strategji kombëtare zhvillimi (në sirtar i kanë, por asnjëherë të tentohet të bëhen realitet), por lihen në ngritje e rënie të lirë, sikur po luhet një ndeshje futbolli dhe stafi teknik ka hipur në shkallët e stadiumit e po sheh në vend që të rrijë në stolat e skuadrës e të mbajë përgjegjësit e tij në rast disfate, njësoj si ajo shprehja “Meritat i marrim bashkë, por disfatën dhe koston e ke vetëm ti”.
Cikli i mbyllur, Made In Albania nuk bëhet pa mbështetje, pa politika zhvilluese, pa promovim e “Paketën Manifakturë” të kërkuar qysh prej tre vitesh. Sektori gjendet si ushtari i plagosur që i kërkohet të kthehet në luftë pa u shëruar e mbi të gjitha me pushkë prej druri. Perceptimi që në fillimet e tij e deri më sot është që nuk jemi me interes për ekonominë, duke mohuar e mos parë realitetin me shifrat që parashtruam, por mbi të gjitha për shtrirjen gjeografike (dhe në qyteza ku nuk ekziston aspak zhvillim tjetër ekonomik) dhe që ka formuar dhe mban në sistemin e punës pjesën më vulnerabël të shoqërisë dhe me nder e shtrëngojmë dhëmbët nga dhimbjet NE do të vazhdojmë të ekzistojmë edhe për shumë e shumë vite të tjera derisa turizmi të bëhet 365 ditët e vitit ne Shqipëri dhe Shqipëria të kthehet e gjitha në ekspert IT.
Deri atëherë ju lutemi lëreni biznesin të bëj biznes dhe në rast se nuk mund ose dëshironi të ndihmoni, të paktën mos vazhdoni si deri më sot, sepse një gjë është e sigurt që tashmë kjo histori (kursi i këmbimit) do të studiohet në vitet e ardhshme në universitetet më të mira të shkencave ekonomike jo si një projeksion, por event i ndodhur në realitet.
Shpresojmë në një reflektim, besojmë në një ndërhyrje emergjente nga ana e Qeverisë pasi pasojat në punësim dhe mosndezja e makinerive do të kishte një impakt socio/ekonomike shkatërrues.
*Opinioni është i Shoqatës së Eksportuesve dhe nuk përbën qëndrim të Revistës Monitor
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Shkrim model Çoçoli…
I pavlefshëm, pa as në argument! Si mund t’i kërkosh kryeministrit të të japë të drejtë me një …HARTIM të tillë!?
ekspertet e Bankes se Shqiperise mire kane bere qe kane vajtur me pushime se kane pasur nje vit te mbushur me sfida dhe lodhje prej jush. Bej takim mbas takimi per tju mbushur mendjen juve qe ekonomia eshte forcuar. Kur nuk do te kuptosh mos kupto, por mos i lodh me takime sipas qejfit.
vazhdoni beni takime me ekspertet e Bankes se Shqiperise sepse jam i bindur qe kane zgjidhje per cdo problematike