Pas muajsh vonesë dhe javësh me bisedime të vështira, ministrat miratuan një marrëveshje midis Greqisë dhe kreditorëve, Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore, Mekanizimit Europian të Stabilitetit dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Por kjo marrëveshje do të lejojë që vetëm ekspertët nga institucionet kreditore të shkojnë në Athinë për të arritur konsensusin në lidhje me reformat që duhet të ndërmarrë qeveria greke.
Reformat nevojiten që të përfundojë rishikimi i dytë i programit të shpëtimit që u shpall në 2015-n, si dhe të lejojë disbursimin e këstit të ri të ndihmës financiare.
Në mënyrë që të mbyllet rishikimi, Eurogrupi gjithsesi duhet të bjerë dakord edhe për çështje shtesë, si objektivat fiskalë që Greqia duhet të përmbushë në vitet e para të përfundimit të programit, si dhe për qëndrueshmërinë e borxhit grek.
Paketa e reformave
Dijsselbloem tha se Greqia dhe kreditorët kanë rënë dakord në parim për paketën e reformave, që do të shkurtojë shpenzimet me rreth 2% të PBB-së.
1% do të vijë nga shkurtimet e pensioneve të larta deri në 2019-n dhe përqindja tjetër do të vijë kryesisht nga një rritje e pragut të tatimit mbi të ardhurat.
Detajet në lidhje me këtë marrëveshje të arritur në parim do të diskutohen nga qeveria greke dhe institucionet në mision kur të kthehen në Athinë. Gjithashtu do të diskutohet edhe për reformën e tregut të punës.
Shkurtimi i shpenzimeve të kërkuara nga kreditorët dhe masat e kërkuara nga qeveria greke për të ndihmuar njerëzit e goditur më së shumti nga kriza, do të diskutohen njëherazi në Parlamentin grek, si dhe do të duhet të miratohen përpara se Eurogrupi të mbyllë rishikimin.