Rezerva Federale rriti të mërkurën normën bazë të interesit me gjysmë pikë përqindjeje, rritja më e madh në 22 vite, dhe tha se do të fillonte reduktimin e obligacioneve të saj muajin e ardhshëm, si një hap i mëtejshëm në betejën për uljen e inflacionit.
Banka qendrore e SHBA caktoi normën e synuar të fondeve federale në një interval midis 0.75% dhe 1% me një vendim unanim, i cili mund të pasohet nga një rritje e mëtejshme e kostove të huamarrjes me përmasa që mund të jenë të ngjashme.
Pavarësisht rënies së produktit të brendshëm bruto gjatë tre muajve të parë të këtij viti, “shpenzimet e konsumatorëve familjarë dhe investimet fikse të bizneseve vazhdojnë të mbeten në nivele të larta. Rikthimet në vendet e punës kanë qenë po ashtu në nivele të mëdha,” tha për rritjen e normës së interesit Komiteti Federal i Tregut të Hapur në një deklaratë pas përfundimit të një takimi dyditor për politikat monetare në Uashington.
Inflacioni “mbetet i lartë”, me luftën në Ukrainë dhe izolimet e reja të shkaktuara nga koronavirusi në Kinë që kërcënojnë të ushtrojnë presionin të lartë. “Komiteti është shumë i vëmendshëm ndaj rreziqeve të inflacionit.”
Në këtë deklaratë u tha se bilanci i obligacioneve të Fed, i cili u rrit në rreth 9 trilion dollarë teksa banka qendrore po përpiqej të ndihmonte ekonominë si rrjedhojë e pasojave të pandemisë të COVID-19, do të lejohet të bjerë me 47.5 miliardë dollarë ҫdo muaj në qershor, korrik dhe gusht. Ky reduktim do të shkojë deri në 95 miliardë dollarë në muaj duke filluar nga shtatori.
Politikëbërësit nuk dhanë projeksione të reja ekonomike pas takimit të kësaj jave, por të dhënat që nga mbledhja e tyre e fundit në mars nuk tregojnë shenjat e ndonjë ngadalësimi të inflacionit, të rritjes së pagave apo të ritmit të shpejtë të punësimeve.
Tregjet e aksioneve në SHBA pësuan një rritje pas këtij njoftimi, ndërsa yield-et e obligacioneve të qeverisë nuk patën ndonjë ndryshim të madh. Dollari u dobësua në përmasa modeste kundrejt një shporte valutash të partnerëve kryesorë tregtarë.
Kontratat e ardhshme të normave të interesit vazhduan të pasqyrojnë pritshmëritë që Fed do të rrisë normën e politikës së saj monetare, duke e ҫuar atë në intervalin 3% – 3,25% deri në fund të vitit, sipas aplikacionit FedWatch të CME Group. Ky ritëm do të përfshinte disa rritje prej gjysmë pikë përqindjeje, ose edhe më të mëdha, në mënyrë që të arrihet targeti.
Fed “sinjalizoi gjithashtu një rrugë më agresive për rritjen e mëtejshme të normave, duke përsëritur synimin e deklaruar së fundi për të rritur normat deri në nivelin e tyre neutral, sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Michael Brown, kreu i inteligjencës së tregut për Caxton në Londër. “Megjithatë, duke pasur parasysh sasinë e konsiderueshme të rritjeve të çmimeve në treg… mundësia për një lëvizje surprizë kontraktuese mbetej gjithmonë e lartë.”