Gjermania dhe Holanda, të cilat kanë suficite të mëdha të llogarisë rrjedhëse, duhet të investojnë më shumë për të ndihmuar nxitjen e rritjes ekonomike dhe inflacionin në të gjithë zonën e euros, deklaroi Komisioni Evropian.
Komisioni, krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, vlerësoi ekonomitë e të 28 vendeve të BE në një analizë vjetore të quajtur procedura e pabarazive makro ekonomike, me qëllim identifikimin e hershëm të problemeve dhe trajtimin e tyre përpara se ato të rriten.
Ai tha se për të përforcuar rimëkëmbjen e moderuar ekonomike dhe inflacioni vazhdimisht të ulët në eurozonë, qeveritë duhet të fokusohen vitin e ardhshëm në investime, reformat strukturore dhe financat e ‘shëndosha’ publike.
Megjithatë përgjegjësia për më shumë investime, vlen kryesisht për ata që mund ta përballojë më mire atë – gjermanët dhe holandezët – që gjithashtu do të përfitojnë nga një ribalancim i ekonomive të tyre.
Komisioni beson se suficiti i llogarisë korente që shënon më i lartë se 7 për qind i prodhimit të brendshëm bruto është i tepruar dhe Gjermania që vitin e kaluar kishte një suficit prej 7.8 për qind.
Këtë vit Gjermania do të regjistrojë një suficit prej 8.7 për qind, tha Komisioni, 8.6 për qind në vitin 2016 dhe 8.4 për qind në vitin 2017.
Suficiti i Holandës është edhe më i lartë – ai ka vijuar shumë më i lartë se 10 për qind i PBB-së që nga viti 2012 dhe pritet të bjerë lehtazi në 9.6 për qind për vitin 2017.