Heqja e tatimit të dyfishtë për të ardhurat dhe kapitalin me Kosovën vlerësohet nga biznesi si fillimi i një marrëdhënie të re bashkëpunimi mes dy shteteve shqiptare në nivel ekonomik. Sipas tyre, kjo është një mundësi e shtuar për të shmangur evazionin fiskal
Nga Elona Bedalli
Shqipëria është vendi i parë me të cilin Kosova ka hequr tatimin e dyfishtë mbi të ardhurat dhe kapitalin. Në fakt, bëhet fjalë për një marrëveshje të vitit 2004, por që në atë kohë ishte e lidhur nga misioni i Kombeve të Bashkuara. Me fitimin e pavarësisë nga Kosova dhe më tej me rregullimet e tjera ligjore lindi domosdoshmëria për të përshtatur edhe legjislacionin në këtë fushë.
Kjo është edhe arsyeja se përse dy qeveritë risollën në vëmendje heqjen e disa barrierave, siç ishte edhe shmangia e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal. Pas miratimit nga ana e qeverisë shqiptare, nënshkrimit në Kosovë, tashmë është radha e ministrit të Financave, Besim Beqaj, të vizitojë Tiranën zyrtare për të vazhduar procedurat. E më pas do të jenë ligjvënësit e të dy vendeve që do të thonë fjalën e tyre përmes kartonëve.
Ekspertët ligjorë thonë se marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës “Për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin e evazionit fiskal”, krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridikë shqiptarë apo nga Kosova, të cilët kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera që bien nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dy shteteve.
Nga ana tjetër, ata nxitojnë të sqarojnë se marrëveshja e datës 28 shtator 2004, e lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në emër të Institucioneve të Përkohshme për Vetëqeverisje në Kosovë për shmangien e tatimeve të dyfishta lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal do të pushojë së zbatuari në ditën kur ajo do të bëhet efektive. Përtej këtyre kornizave ligjore, marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve kanë pasur luhatje, shpeshherë të forta e që kanë ndikuar jo pak te bizneset. Për këtë rritja e bashkëpunimit mes dy qeverive shihet si një mundësi për të sheshuar çdo pengesë artificiale ose jo.
Financat e Kosovës: Marrëveshja, efekte konkrete te bizneset
Me mbledhjen e parë të përbashkët të qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, iu hap rruga diskutimit të shumë çështjeve që kishin të bënin me marrëdhëniet e të dy vendeve. Gjatë saj u artikulua edhe vendimi në parim për heqjen e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin e evazionit fiskal.
Vizita e ministrit të Financave të Shqipërisë në Kosovë shënoi nënshkrimin e marrëveshjes nga njëra palë, ndërkohë që do të pritet edhe vizita e homologut të tij, z. Beqaj në Tiranë.
Për revistën “Monitor”, këshilltari politik i ministrit të Financave të Kosovës, Menderes Ibra, sqaron se marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë mes Kosovës dhe Shqipërisë ka ekzistuar edhe më parë, përkatësisht është nënshkruar në shtator të vitit 2004 në kohën e administratës së UNMIK-ut.
Në atë kohë, në emër të Kosovës, u nënshkrua nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe edhe nga ministri i atëhershëm i Financave.
Sipas tij, në fakt kjo ka qenë marrëveshja e parë që Kosova ka realizuar me një shtet tjetër për sa i përket shmangies së tatimit të dyfishtë.
“Kjo marrëveshje për bizneset e të dyja vendeve do të ketë efekte pozitive dhe do të reflektojë në rritjen e bashkëpunimit reciprok por edhe të rritjes së besueshmërisë. Efekti konkret i marrëveshjes nënkupton krijimin e mundësisë që të gjitha kompanitë që operojnë edhe në Shqipëri edhe në Kosovë të kryejnë obligimet tatimore vetëm në njërin vend”, -thotë këshilltari politik i ministrit të Financave të Kosovës.
Zoti Ibra sqaron se tatimet ekzistuese ndaj të cilave do të zbatohet marrëveshja janë:
Në Shqipëri:
1. Tatimet mbi të ardhurat (që përfshijnë):
– Tatimin mbi fitimin e shoqërive
– Tatimin mbi të ardhurat personale
– Përfitimet kapitale
– Tjetërsimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme
2. Tatimet mbi aktivitetet e biznesit të vogël
3. Tatimi mbi pasurinë
Në Kosovë:
1. Tatimi mbi të ardhurat personale
2. Tatimi mbi të ardhurat e korporatave
3. Tatimi mbi pronën
Për këshilltarin e ministrit Beqaj, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, realisht taksimi i dyfishtë nuk do të jetë më një çështje mes dy qeverive dhe do të shërbejë për t’i dhënë më shumë frymëmarrje bizneseve në të dy anët e kufirit.
Vlerësojmë nismën, por e domosdoshme ngritja e grupit ndërqeveritar
Flet Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë
Si e vlerësoni heqjen e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin e evazionit fiskal?
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë e vlerëson këtë nismë të qeverive shqiptare, pasi për hir të së vërtetës institucioni ynë e ka ngritur shumë herë shqetësimin për marrëdhëniet tregtare që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Bashkë me Odën Ekonomike të Kosovës jemi munduar të japim zgjidhje të çështjeve të caktuara, qoftë në daljet tona mediatike, qoftë në drejtimin me shkresa zyrtare për institucionet përgjegjëse, apo edhe në rrugë informale që të bëjmë të mundur funksionimin e këtij tregu. Kemi dëgjuar shpesh për tregun e madh 6 milionësh. Kjo filloi të artikulohej edhe më shumë, pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 Shkurt 2008. Madje ky treg u artikulua nga sipërmarrësit para kësaj date, e konsideruar si një paraprirje e politikës. Por, sot, shifrat e bashkëpunimit lënë shumë për të dëshiruar. Ngërçi mes dy shteteve mbetet përherë i dallueshëm. Herë për interes të njërit, herë për hakmarrje të tjetrit, herë për pataten, e herë për çimenton, në këto pesë vitet e fundit ka pasur veç ulje-ngritje të shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve që flasin të njëjtën gjuhë. Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri – Kosovë karakterizohen nga shkëmbimet tregtare (eksport/import), por jo forma të tjera të bashkëpunimit, siç janë investimet e përbashkëta apo ato direkte. Por, edhe pse kemi pasur rritje të qarkullimit tregtar, e gjitha kjo është përcjellë me barriera të ndryshme, të cilat kanë kufizuar qarkullimin e lirë të tyre, si rasti i eksportit të patates në Shqipëri, apo vendosja e taksës së çimentos nga qeveria e Kosovës. Parë në këtë kontekst, heqja e taksimit të dyfishtë, do të mund të vendosë një marrëdhënie të re në bashkëpunimin mes dy shteteve tona në nivelin ekonomik.
Cilat do të jenë efektet konkrete për biznesin në të dyja vendet?
Interesi më i madh, sipas treguesve ekonomikë, ka qenë i sipërmarrësve shqiptarë që kanë lëvizur drejt Kosovës, por që gjithsesi mbetet në shifra jo fort të konsiderueshme me mënyrën se si kanë hyrë në treg dhe sa munden të jenë aktivë atje. Në vitin e shpalljes së pavarësisë u regjistruan 92 biznese, një vit më vonë dy më pak, ndërsa rritja më e madhe u shënua në vitin 2010, kur u regjistruan 145 biznese; në 2011-n numri i tyre arriti në 106, kurse deri në korrik të vitit 2012 ishin 68 biznese. Në këtë mënyrë, totali i bizneseve shkon në 502 biznese, me 2.190 punëtorë, me një kapital të përgjithshëm prej 59.781.835 eurosh. Mirëpo, këto shifra nuk flasin shumë për përmasat dhe për cilësinë e bizneseve, meqenëse 149 prej tyre kanë kapital zero. Ndërkaq, dhjetë kompani zotojnë 53.187.866 euro kapital, apo 98,9% të kapitalit që kanë të gjitha kompanitë nga Shqipëria që operojnë në Kosovë. Për nga veprimtaria, dominojnë ndërmarrjet tregtare. Janë gjithsej 139 të tilla, me një kapital prej 2.272.531 eurosh dhe me 398 punëtorë. Po ashtu, në këtë treg operojnë 11 subjekte që për veprimtari kanë lojërat e fatit dhe bixhozin me 89 punëtorë. Këta tregues janë një domethënie e qartë se sa pak kemi mundur të jemi në tregun e Kosovës, në një kohë që ky treg afron shumë mundësi. Nëse sipas relacionit mbi heqjen e taksimit të dyfishtë flasim për shmangien e tatimit të dyfishtë për të ardhurat nga dividentët, nga interesi dhe nga tarifat për licenca (të ardhurat nga pronësia intelektuale – të drejtat e autorit, patentat), të jemi të bindur që do të ketë një efekt pozitiv në rishikimin e këtyre shifrave që citova më lart.
Sa do të ndikojë në përmirësimin e klimës së biznesit të të dyja vendeve?
Çdo lehtësim taksash për biznesin është një mundësi e mirë për të zhvilluar ekonominë. Duke shtuar këtu faktin se shmangia nga taksimi i dyfishtë, është një mundësi e shtuar për të shmangur evazionin fiskal. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë do të mbështesë çdo lloj iniciative të të dy qeverive që ndikojnë në përmirësim e kushteve për të bërë biznes dhe që ndikon në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona. E nëse nga njëra anë kjo është një iniciativë për t’u vlerësuar, ajo çfarë ne kërkojmë për të qenë sa më konkretë dhe jo selektivë për probleme të sektorëve të veçuar është ngritja e Komisionit Ndërqeveritar të Punës. Kjo do të ndihmonte në mënyrë specifike gjithë problemet që krijohen, duke mos krijuar shteg dhe duke i dhënë një hov të rëndësishëm marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve tona, pasi tashmë besojmë se fokusi ynë duhet të jetë rajoni, kjo dhe për vetë pozitën gjeopolitike të Shqipërisë.
AmCham: Çdo barrierë artificiale do të ishte joproduktive
Shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, si dhe parandalimin e evazionit fiskal e ka vlerësuar edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Presidenti i saj, Mark Crawford, shprehet se dhoma përshëndet çdo masë që ndërmerr qeveria shqiptare në reduktimin e barrierave tregtare. “Shqipëria zbaton një numër marrëveshjesh të dyfishta tatimore me vendet e tjera dhe është e natyrshme që një marrëveshje e tillë të zbatohet me vendin fqinj, Kosovën. Statistikat sugjerojnë se pa marrë parasysh madhësinë e tregut, vendet tentojnë të realizojnë më shumë marrëdhënie tregtare me fqinjët e tyre. Çdo pengesë artificiale kundrejt kësaj tregtie do të rezultonte joproduktive”, thotë z. Crawford. Ai thotë se të bërit të biznesit kudo në botë është sfiduese, ndaj dhe komuniteti i biznesit përshëndet hapat që qeveria ndërmerr për të lehtësuar mjedisin komercial. “Ne përgëzojmë qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje”, thotë presidenti i AmCham.
Argumentimi
Sipas relacionit që shoqëron marrëveshjen, të dorëzuar në Kuvend, konventat për shmangien (eliminimin) e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal kanë një rol të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërkombëtare. Duke pasur aktivitet në të dy shtetet apo duke qenë rezident i njërit shtet që siguron të ardhura në shtetin tjetër, individi apo personi juridik mund të rëndohet me tatim të dyfishtë (për të njëjtën të ardhur të tatohet dy herë) gjë që mund të krijojë premisa për shmangie të tatimit dhe evazion fiskal. Kjo marrëveshje, dispozitat e së cilës kanë përparësi ndaj legjislacioneve tatimore të të dy vendeve, trajton pikërisht faktin se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet apo duke e ndarë këtë të drejtë midis të dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë. Marrëveshja gjithashtu ka dispozita në bazë të të cilave shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë aktivitet në të dy vendet. Çështjet kryesore që trajtohen në këtë marrëveshje, sipas relacionit janë:
– Tatimet e përfshira, që janë tatimet mbi të ardhurat, që vihen nga ana e një shteti kontraktues apo autoriteteve të tyre vendore, pavarësisht nga mënyra e mbledhjes së tyre.
– Përcaktimi i rezidencës tatimore të tatimpaguesit (neni 4) ku jepen kriteret e përcaktimit të rezidencës (“banimit për efekt fiskal”) për individët dhe për personat juridikë.
– Përcaktimi i konceptit të “njësisë së përhershme” të biznesit që një individ apo një sipërmarrje e njërit shtet kontraktues ka në shtetin tjetër kontraktues (neni 5) dhe të ardhurat nga ky “filial i përhershëm” tatohen në shtetin ku ndodhet njësia e përhershme apo vendi fiks i biznesit.
– Përcaktimi i së drejtës së plotë tatimore të tatimit mbi të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme (qiratë, apo të ardhura të tjera) për shtetin ku ndodhen pasuritë e paluajtshme, pavarësisht nga rezidenca e tatimpaguesit apo pronarit. Dispozitat e nenit do të zbatohen gjithashtu ndaj të ardhurave nga pasuria e paluajtshme e një ndërmarrjeje dhe për të ardhurat nga pasuria e paluajtshme e përdorur për kryerjen e shërbimeve personale të pavarura.
– Trajtimi i të ardhurave nga transporti ndërkombëtar ku e drejta e plotë tatimore i jepet shtetit ku ka rezidencën shoqëria ajrore apo detare që ushtron biznesin e transportit ndërkombëtar.
– Një rol të rëndësishëm në marrëveshje ka lufta kundër të ashtuquajturit “transferim i çmimeve” ose transferimi i fitimit nëpërmjet ndryshimit të çmimeve. Në shumë raste, kompanitë e të njëjtit grup multinacional (apo në përgjithësi personat e lidhur) bëjnë transferimin e fitimeve (nëpërmjet ndryshimit të çmimeve) në vende ku fitimet nuk tatohen apo tatohen me tarifa minimale. Në këtë rast, bazuar në dispozitat e nenit 9, nëse një shtet kontraktues përfshin në përfitimet e një ndërmarrjeje të atij shteti – dhe taton sipas tyre – fitimet për të cilat një ndërmarrje e shtetit tjetër kontraktues është tatuar në shtetin tjetër, dhe fitimet e përfshira janë fitime që do të ishin mbledhur nga ndërmarrja e shtetit të parë të përmendur, nëse kushtet e vëna ndërmjet dy ndërmarrjeve do të ishin ato që do t’u ishin vënë ndërmarrjeve të pavarura, atëherë shteti tjetër do të bëjë një rregullim të përshtatshëm për shumën e tatimit të vënë mbi këto fitime. Në përcaktimin e këtyre rregullimeve, dispozitat e tjera të kësaj marrëveshjeje do të konsiderohen në mënyrën e duhur dhe autoritetet kompetente të shteteve kontraktuese, nëse është e nevojshme, do të konsultojnë njëri-tjetrin.
– Shmangia e tatimit të dyfishtë për të ardhurat nga dividentët, nga interesi dhe nga tarifat për licenca (të ardhurat nga pronësia intelektuale – të drejtat e autorit, patentat), bëhet duke e ndarë të drejtën tatimore midis të dy vendeve, dhe konkretisht, vendi i burimit, pra vendi ku lindin këto të ardhura, ka të drejtë tatimore të kufizuar, ndërsa vendi i rezidencës (pra vendi ku është rezident individi apo kompania që i përfiton të ardhurat) krediton (redukton) tatimin e paguar në vendin tjetër, kur llogarit detyrimin tatimor të tatimpaguesit.
– E drejta tatimore për tatimin e të ardhurave nga shitja e pronave të paluajtshme (neni 13) i takon vendit ku ndodhen këto prona të paluajtshme, pavarësisht nga rezidenca e tatimpaguesit.
– Të ardhurat nga shërbimet personale të pavarura, shërbimet profesionale që një rezident i një shteti kontraktues realizon në shtetin tjetër do të tatohen në shtetin e rezidencës së individit që realizon këto të ardhura, përveçse kur këto shërbime realizohen nëpërmjet një baze të qëndrueshme që ky individ ka në shtetin tjetër. Në një rast të tillë, të ardhurat që i atribuohen kësaj baze të qëndrueshme, do të tatohen në shtetin ku ndodhet baza e qëndrueshme.
– E drejta për tatimin e kapitalit (përfshirë tatimin mbi pronën), kur ky kapital konsiston në pronë të paluajtshme, i takon shtetit kontraktues ku ndodhen këto prona.
Ekonomia me “dy shigjeta”
Interesi më i madh sipas treguesve ekonomikë ka qenë i sipërmarrësve shqiptarë që kanë lëvizur drejt Kosovës, por që gjithsesi mbetet në shifra jo fort të konsiderueshme me mënyrën se si kanë hyrë në treg dhe sa kanë mundur të jenë aktivë. Të dhënat tregojnë se niveli më i lartë i investimeve shqiptare në Kosovë u regjistrua në vitin 2010.
Megjithëse Shqipëria është e pranishme me investime në Kosovë, kjo e fundit nuk figuron në raportet e Investimeve të Huaja Direkte në Shqipëri. Ka pasur disa përpjekje që bizneset e Kosovës të depërtojnë në Shqipëri, sidomos në hotelieri dhe në turizëm, por këto nisma janë të vogla. Nëse do të renditeshin arsyet pse kjo mungesë investimi e kapitalit të Kosovës në vendin tonë, do të dalë në pah ngërçi i madh i komunikimit dhe vendosja e barrierave fiskale, herë nga njëri shtet e herë nga tjetri. Edhe pse politikëbërësit e të dy vendeve kanë trumbetuar me forcë heqjen e këtyre barrierave, pikërisht në pikun e prodhimit të produkteve të ndryshme është parë vendosja e taksave doganore. Por, edhe ambienti i të bërit biznes i vë në vështirësi palët, duke shtuar këtu edhe mungesën e ofertës tërheqëse nga të dy vendet.
Ndërsa lëvizja me kah të kundërt, pra i bizneseve nga Kosova në Shqipëri është shumë e ngadaltë. Numri i bizneseve nga Kosova që operojnë në Shqipëri vlerësohet shumë i vogël, gjithsej 386. Struktura e tyre nuk është aq e mirë, meqenëse ato dominohen nga bizneset e vogla. Sipas të dhënave nga autoritetet shqiptare, 197 subjekte kanë statusin e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, 180 janë persona fizikë, ndërsa 9 janë shoqëri anonime.
Statistika të biznesit shqiptar në Kosovë
2007 – 92 biznese
2008 – 90 biznese
2010 – 145 biznese
2011- 106 biznese
2012 – 68 biznese (deri në korrik).
502 – numri total
2,190 numri i punonjësve me një kapital të përgjithshëm prej
59.7 milionë euro kapitali i përgjithshëm.
Libri i “ lirë” të kalojë kufijtë
Një tjetër mall që ka hasur jo pak pengesa në qarkullimin e tij sa andej–këndej kufirit është edhe shtypi i shkruar. Për të reduktuar barrierat, dy ministrat e Financave, Cani dhe Beqaj nënshkruan një marrëveshje për përjashtimin reciprok nga Tatimi i Vlerës së Shtuar në import për librat, produktet e përafërta me të dhe materialet e ngjashme të shtypit, gazetat, revistat dhe periodikët të publikuar në Republikën e Kosovës apo në Republikën e Shqipërisë. Heqja e TVSH-së shihet si një mënyrë për të rritur bashkëpunimin mes të dy vendeve në sferën e qarkullimit për librat, gazetat, revistat, periodikët etj. E në fakt, libri i Kosovës në Shqipëri është shumë pak i pranishëm, ndërsa vlen më shumë e anasjella. Madje mund të thuhet se libri që vjen nga Shqipëria arrin të “mbysë” produktin e Kosovës, e këto të fundit kanë mbetur pak në hije. Pra, botohet shumë më shumë në Shqipëri sesa në Kosovë. Megjithatë, Kosova ka ruajtur traditën e autorëve shqiptarë, ndërsa e kundërta ndodh në Tiranë, ku ata botohen në nivel më të ulët. Nëse shihni te botimet në Kosovë, do të vini re se ka ende nostalgji dhe besnikëri për librat shqiptarë, ndaj kritikës, historisë, botimeve akademike, etj. Shqipëria kryeson me botimin e “bestseller”, libra komercialë dhe të huaj. Në të dyja vendet libri ndeshet me problemet si shpërndarja, mbledhja e të ardhurave, etj.
Në Kosovë, libri ende nuk është shndërruar në industri e në këto aspekte tregu çalon. Për botuesit e librave në Kosovë, shteti duhet patjetër që të japë subvencionime, pasi nëse ai e merr nën “ombrellë”, atëherë, sipas tyre, do të ketë vazhdimësi. Aktualisht në Kosovë po shfaqen disa shenja në mbështetje të librit. Vitin e kaluar nisi projekti për pasurimin e bibliotekave që u huazua nga Shqipëria dhe që po zbatohet edhe nga Ministria e Kulturës.
Por, nuk është vetëm shtypi që ka hasur pengesa në “kapërcimin” e kufijve, ndaj dy ministrat e Financave gjatë takimit të tyre në Prishtinë, u kujdesën që të trajtonin edhe heqjen e disa barrierave të diskutuara edhe më herët, siç është ai i gypave të çelikut që ka qenë problematike në anën e Shqipërisë e që nuk është më. Ndërsa në mbledhjen e fundit të qeverisë shqiptare u hoq edhe transitimi i cigareve, çështje që u diskutua edhe në Kosovë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.