Inflacioni i Eurozonës ra më shumë se sa pritej muajin Maj, pasi rritja bazë e çmimeve u ngadalësua gjithashtu, duke mbështetur argumentet për rritje të kujdesshme të mëtejshme të normës, ndërsa cikli më i shpejtë i shtrëngimit monetar të Bankës Qendrore Europiane, fillon të hyjë në fuqi.
Inflacioni në 20 vendet e monedhës së përbashkët, u lehtësua në 6.1% në maj nga 7.0% në prill, nën pritjet për 6.3% të ekonomistëve.
Megjithatë, leximi erdhi si surprizë modeste për investitorët, pasi të dhënat kombëtare në fillim të kësaj jave parashikuan rënien.
Inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe karburanteve, dhe që ka luajtur një rol në rritje në diskutimet e politikave të BQE-së, ra në 5.3% nga 5.6%, shifër shumë më e mirë se sa pritshmëritë për 5.5%.
BQE ka rritur normat bazë me 375 pikë bazë, në 3.25%, gjatë vitit të kaluar, për të luftuar çmimet e rënduara.
Por, me rritjen e çmimeve gjatë gjithë vitit 2023, edhe pse inflacioni i përgjithshëm ka qenë në rënie, banka qendrore në thelb është angazhuar për rritje tjetër të normës, me 25 pikë bazë më 15 qershor.
Disa politikëbërës, duke përfshirë guvernatorët e bankave qendrore të Gjermanisë, Holandës dhe Irlandës, kanë paraqitur gjithashtu një rritje të normës në korrik, por ka një marrëveshje të gjerë se perspektiva përtej kësaj, është shumë e errët për t’u kryer.
Zëvendëspresidenti i BQE Luis de Guindos tha se, ndërsa banka kishte kaluar pjesën më të madhe të shtrëngimit të politikës monetare, për të rikthyer inflacionin në objektivin afatmesëm prej 2%, cikli nuk kishte përfunduar ende.
Përparim i ngadaltë
Ndërsa të dhënat pozitive të çmimeve i shtojnë arsyet për të pasur kujdes, problemi i inflacionit në Europë është larg zgjidhjes, pasi rritja e çmimeve për shumë artikuj bazë, veçanërisht shërbimet, mbetet e lartë.
Inflacioni i shërbimeve u ngadalësua në 5.0% nga 5.2%, ndërsa rritja e çmimeve për mallrat industriale, u lehtësua në 5.8% nga 6.2%, ende e lartë, por ndryshime të kënaqshme.
BQE mund të ngushëllohet nga ulja e ritmit të inflacionit të ushqimeve, në 12.5% nga 13.5%, pasi presionet në atë front pritej të rriteshin për disa kohë.
“Perspektiva europiane e inflacionit ndikohet shumë nga dy shtytës të kundërt,” tha ekonomisti i ING Carsten Brzeski.
“Çmimet më të ulëta se sa pritej të energjisë, për shkak të motit të ngrohtë të dimrit, ka të ngjarë të ulin inflacionin total më shpejt sesa sugjerojnë parashikimet e fundit,” tha ai. “Nga ana tjetër, pagesat e fundit të pagave dhe trysnia e çmimeve të shërbimeve, ka të ngjarë ta mbajnë inflacionin bazë të lartë.”
Rritja e pagave në Eurozonë, po luhatet në intervalin 5% deri në 6%, dyfishi i normës që do të ishte në përputhje me objektivin e inflacionit të BQE-së.
Por, inflacioni ka hyrë thellë në të ardhurat reale për vite me radhë dhe BQE shpreson, që sapo inflacioni të ngadalësohet, do të pasojë rritja e pagave, kështu që ato do të barazojnë reciprokisht njëra-tjetrën.
Ndërsa ky është një skenar i besueshëm, tregu i punës i Eurozonës është jashtëzakonisht i shtrënguar dhe firmat, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, po raportojnë rritje të mungesës së fuqisë punëtore.
Një shqetësim tjetër i mundshëm për BQE-në, është se rritja ekonomike duket më pak elastike sesa mendohej, veçanërisht në prodhim. Një sërë treguesish shpjegojnë se aktiviteti industrial, mund të rëndojë mbi ekonominë e përgjithshme, edhe kur shërbimet lulëzojnë.
Investitorët financiarë parashikojnë dy rritje të tjera të normës nga BQE, ku lëvizjen e parë me çmim të plotë do të bëhet në qershor dhe një e dytë në korrik ose shtator. / Reuters