Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë bërë një rrugë të gjatë për të prekur pushtetin. Pas një rrugëtimi prej 23 vitesh, fillimisht si aktivist politik e më pas edhe si kryetar i subjektit opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka marrë edhe zyrtarisht pozitën e kryeministrit të Kosovës. Si lider i Vetëvendosjes, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, 2019, Kurti u nominua dhe më pas u zgjodh kryeministër i Kosovës, me mbështetjen e partisë partnere në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Historia e krijuar në rrugë
Vetëvendosje u formua si një lëvizje e rrugës duke këmbëngulur që Kosova ta përcaktojë fatin e saj vetë dhe duke kundërshtuar çdo marrëveshje ndërkombëtare për të ardhmen e vendit. Më 12 Qershor 2005, kur Kosova po festonte 6 vjetorin e çlirimit nga regjimi serb, një grup i të rinjve dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK.
Një ish-udhëheqës i lëvizjes studentore, Albin Kurti, i cili ishte burgosur nga Serbia gjatë fushatës së sulmeve ajrore të NATO-s më 1999, udhëhoqi grupin e njerëzve, të cilët kishin shkruar sloganin “Jo Negociata, Vetëvendosje”. Fillimi i lëvizjes, e cila sfidoi një sistem politik të sponsorizuar dhe mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, përkoi me kohën kur ish sekretari i OKB-së emëroi një diplomat norvegjez, Kai Aide, për të parë nëse ishte koha për të ecur përpara në zgjidhjen e statusit final të Kosovës.
Pas veprimeve të shumta në rrugë, duke përfshirë shkrimet e grafiteve në mure, në shkurt të vitit 2007 Vetëvendosje kishte organizuar një protestë masive në sheshin kryesor të Prishtinës, kur i dërguari i OKB-së për statusin përfundimtar të Kosovës, diplomati finlandez Marti Ahtisaari, paraqiti planin e tij, për të cilin lëvizja këmbënguli se nuk përmbushte pritjet.
Dy protestues u qëlluan për vdekje nga policia speciale rumune që vepronte në kuadër të UNMIK-ut. Në fillim të këtij viti, organizata mbikëqyrëse e të drejtave të njeriut Amnesty International i bëri thirrje OKB-së për t’i dhënë drejtësi familjeve të dy viktimave dhe të kërkojë falje për “dështimin për të mbrojtur jetët e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit”.
Vetëvendosje zyrtarisht në politikë
Në vitin 2010 Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Kuvendin e Kosovës. Por, ndërkohë që shumica e njerëzve menduan se tani ishte koha që Vetëvendosje të lëvizë nga veprimet e rrugës në angazhim politik në parlament, Vetëvendosja ka vazhduar me të dyja. Në qershor të vitit 2013, kur deputetët po diskutonin marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE në mes të Kosovës dhe Serbisë, protestuesit e Vetëvendosjes bllokuan hyrjet në parlament.
Ish-ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson kishte pësuar gërvishtje në dorën e saj duke u përpjekur për të hyrë në ndërtesë. Disa javë më vonë, ish-Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philipp Reeker bëri bujë të madhe kur reagoi me zemërim ndaj incidenteve të tilla. “Palaçot që duan të jenë të dhunshëm duhet të mendojnë dy herë për veprimet e tyre për të ardhmen e vendit”. Përgjigja e Vetëvendosjes erdhi menjëherë. “Kjo është një gjuhë anti-demokratike. Autoriteti amerikan nuk mund të ndërtohet duke ofenduar një bashkësi politike”.
Ndërkohë, Vetëvendosja përdori gaz lotsjellës brenda Parlamentit dhe koktej molotovi jashtë tij në përpjekje për të ndaluar Parlamentin që të ratifikojë një marrëveshje kufiri me fqinjin e Kosovës me Malin e Zi dhe themelimin e një Asociacioni autonom të komunave me shumicë serbe.
VV e ndërron liderin, zgjeron pushtetin në tri komuna
Më 1 mars 2015 për herë të parë në historinë e Lëvizjes Vetëvendosje u ndërrua udhëheqësi i saj. Themeluesi i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti i lëshoi rrugë Visar Ymerit, për të marrë udhëheqjen e partisë duke ‘pretenduar’ kështu demokraci të brendshme, mirëpo gati disa vite më pas, ky vendim i Kurtit doli të jetë problemi kryesor. Visar Ymeri e Dardan Molliqaj, dikur bashkëpunëtorët më të mirë të Kurtit, nuk po e ‘përkrahin’ kandidimin e tij për kryetar të partisë.
Përderisa Kurti po qëndronte në burg, të ‘fortit’ me vota të partisë nuk po e mbështesin si zakonisht. Kryetari Visar Ymeri, ish sekretari Dardan Molliqaj e gruaja më e votuar e Vetëvendosjes, Aida Dërguti edhe publikisht kanë deklaruar se problemet në këtë parti janë të mëdha. Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2017 i ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë me asnjë votë kundër, edhe pse Visar Ymeri kishte deklaruar se ende nuk është koha që të thirret mbledhja e këtij Këshilli.
Me Visar Ymerin kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo e fundit u dyfishua edhe në zgjedhjet parlamentare edhe në ato lokale që u mbajtën gjatë vitit 2017. Përderisa me Albin Kurtin kryetar, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 2014 kishte marrë më pak se 100 mijë vota, 3 vite pas me Visar Ymerin kishte marrë mbi 200 mijë vota. Megjithatë në dy këto palë zgjedhje, kandidat për kryeministër kishte qenë Albin Kurti, ani pse herë si kryetar e herë si anëtar i Vetëvendosjes. Vendimi i Lëvizjes Vetëvendosje për ta kandiduar Albin Kurtin për Kryeministër, kishte qenë rasti i parë në Kosovë ku nuk kandidohet kryetari i partisë por dikush tjetër, e pastaj e bëri edhe LDK-ja me partnerët e koalicionit në momentet e fundit, duke nxjerrë Avdullah Hotin pretendent për të parin e Qeverisë.
Në zgjedhjet lokale të 2013, kur Kurti ishte udhëheqës i Vetëvendosjes, kjo e fundit arriti të fitojë vetëm komunën e Prishtinës, madje me ‘ndihmën’ e të gjitha partive politike në Prishtinë, me të vetmin qëllimin, rrëzimin nga pushteti i përhershëm i LDK-së në kryeqytet. Ndërsa në zgjedhjet e tetorit të 2017, Vetëvendosje nga 1 komunë sa e udhëhiqte, fitoi 3, duke fituar kështu në ‘Jerusalimin’ e PDK-së, në Prizren dhe në qytetin e vogël të Kamenicës si dhe duke rikonfirmuar udhëheqjen në Prishtinë.
Pra Visar Ymeri ishte kryetar që erdhi në krye të partisë pa asnjë kundërkandidat dhe me një konsensus të disa personave. Gjatë mandatit të Visar Ymerit, Vetëvendosje që ishte në opozitë kishte pasur një ‘bashkëjetesë parlamentare’ me AAK-në dhe Nismën, në kundërshtim të marrëveshjes së Demarkacionit dhe Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
Përçarja e partisë: Ahmeti, Ymeri, Molliqaj ikin nga VV
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në muajin e tretë të vitit 2018 ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje. Në një letër që kanë publikuar mediat, Ahmeti ka arsyetuar motivin pse e ka braktisur këtë parti pas shtatë vjetësh aktiviteti në të dhe nga e cila e ka nisur edhe mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës.
“Sikurse edhe ju, qytetarë të nderuar, muajt e fundit kam vëzhguar një debat me dëme të pariparueshme për Lëvizjen Vetëvendosje, të cilin as armiqtë më të mëdhenj të LVV-së e të shtetit nuk do të mund as ta dizajnonin e as imagjinonin…”.
Përplasjet në Vetëvendosje kanë dalë në sipërfaqe pas publikimit të bisedave private ndërmjet disa deputetëve të këtij subjekti politik. Nga postet udhëheqëse në këtë subjekt politik kanë dhënë dorëheqje ish kryetari, Visar Ymeri, ish-Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj, nënkryetarët dhe zyrtarët e tjerë. Në tetor të vitit të 2017 përmes zgjedhjeve lokale, Ahmeti ka fituar mandatin e dytë në postin e kryetarit të Prishtinës.
Në pushtet pas 23 vjetëve….
Pas një rrugëtimi prej 23 vjetëve, fillimisht si aktivist politik e më pas edhe si kryetar i subjektit opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka marrë edhe zyrtarisht pozitën e kryeministrit të Kosovës.
Si lider i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, 2019, Kurti u nominua dhe më pas u zgjodh kryeministër i Kosovës, me mbështetjen e partisë partnere në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është pritur nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku është intonuar himni i Kosovës. Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës më 3 shkurt. Ai drejton qeverinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Qeveria Kurti ka 15 ministri, prej të cilave nga gjashtë (6) ministri udhëhiqen nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, kurse tri (3) ministri nga komunitetet pakicë.
Albin Kurti fjalët e para të tij i ka thënë duke treguar se në qeveri, nuk ka Vetëvendosje e LDK, por ka vetëm Qeveri të Republikës së Kosovës. Kurse në kuvend, tha ai, ka parti politike që flasin në emër të subjekteve që përfaqësojnë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.