Flet Luigj Aliaj, kryetar i Shoqatës së Hidrokarbureve/Tregu nevojë urgjente për identifikimin korrekt të saj
Në çfarë gjendjeje është aktualisht tregu i karburanteve në Shqipëri, veçanërisht pas disa “daljeve” dhe “hyrjeve” të disa kompanive?
Në tregun e karburanteve, largimi apo futja e një kompanie nuk shoqërohet me ndonjë ndryshim drastik në strukturën e tregut, sepse janë pothuajse të njëjtat biznese.
Janë lëvizje që nuk ndikojnë as në çmim apo cilësi?
Nuk ka arsye që këto lëvizje të sjellin ndryshime çmimesh në treg sepse ato diktohen nga bursa dhe detyrimet fiskale.
Shoqata ka qenë pjesë edhe e seancave që janë realizuar në Kuvend për mendimet që po i bëhen ligjit të Hidrokarbureve, cilat janë pretendimet tuaja?
Ne kemi dhënë mendimet tona jo vetëm në komisione, por edhe në grupin e punës. Ne kemi sugjeruar që të mos nxitohet me ndryshimet, sepse në fakt duhet të bëhet një ligj tërësisht i ri, duke qenë se është “arnuar” disa herë. Si gjithë legjislacioni ynë, ai bie në kundërshtim me Kodin Doganor për përcaktimin e magazinave, por edhe me ligje të tjera që kanë të bëjnë me Tatimet, si me TVSH-në. Pra, ka shumë kontradikta në të. Ne propozuam që të gjitha institucionet të harmonizohen në mënyrë që të mos ketë përplasje. Por, këto nuk u morën parasysh, sepse ndërhyrjet u konsideruan emergjente dhe që duhet të përmbusheshin sa më shpejt.
Në lidhje me mendimet, ne kemi dhënë sugjerime të qarta, veçanërisht sa i përket saktësimit të markës, në mënyrë që marrë fund mashtrimi ndaj konsumatorëve. Duhet të qartësojmë se emrat që shkruhen në tabela dhe që merr konsumatori janë false dhe nuk përfaqësojnë burimin e furnizimit, por merren me dëshirë nga vetë tregtuesit, duke abuzuar në këtë mënyrë me konsumatorin.
Gjithashtu ka edhe një paradoks në ndryshimet që propozohen, siç është fakti që kontrollet që realizohen nga IQT-ja të paguhen nga subjektet private. Ka një “nonsens” që ky institucion të ushtrojë kontrolle që në fund të fundit do të paguhen nga vetë ne e kur në fakt duhet të paguhen nga buxheti i shtetit. Edhe në këtë rast nuk u pa e udhës që të reflektoheshin sugjerimet tona. Gjithashtu kërkuam që të kalohet në një inspektorat të vetëm, siç ka qenë edhe një premtim që u bë gjatë fushatës elektorale, pasi ekzistenca e shumtë e tyre nuk sjell gjë tjetër, veçse përplasje. Kam parasysh këtu faktin se të njëjtën gjë mundohet të bëjë laboratori i Doganës, po kështu një operator i huaj i cili merr një vlerë të caktuar për litër dhe që nuk ka asnjë efekt në treg dhe që është GTI-ja, por edhe sektori i Peshëmatjeve dhe Kalibrimeve. Do të ishte e udhës që të gjitha këto funksione t’i kryente një institucion i vetëm, në mënyrë që disiplinimi i tregut të funksiononte.
Ndryshimet në ligj parashikojnë ashpërsim të masave të ndëshkimit për subjektet që abuzojnë me cilësinë, a do të mund të jetë kjo një masë efektive për të minimizuar fenomenin tepër shqetësues?
Shumëfishimi apo rritja e gjobave nuk do të sjellë ndonjë efekt të madh, sepse ligji duhet të jetë më i fortë në dy drejtime: e para, licenca për tregtimin e karburantit duhet të ketë vlerë, nuk duhet të jetë kaq e lirë sesa është sot, sepse edhe heqja e saj do të mund të kishte më shumë ndikim. E dyta ka të bëjë me sekuestrimin e produktit. Është e pakuptimtë që shteti gjen produkt që është i dëmshëm qoftë për tregun apo për njerëzit dhe mjaftohet vetëm me gjobën. Ky sektor nuk disiplinohet me gjoba, sepse këto të fundit nuk kanë efekte.
Po reduktimi i numrit të pikave të karburantit, si një tjetër masë që propozohet, çfarë efekti mendoni se do të sjellë në treg?
Në Shqipëri, numri i pikave të tregtimit të karburantit është shumë herë më i lartë në raport me popullsinë dhe parametra të tjerë në krahasim me vendet e rajonit (sepse me Europën jemi ‘kilometra’ larg) dhe rregullimi i tyre mbetet një problem i vazhdueshëm. Çështja është mbi ç’kritere do të mbyllen pikat e karburantit? Në treg nuk mund të ndërhyhet në mënyrë abuzive apo korruptive, sepse shteti nuk mund të ‘godasë’ në mënyrë selektive. Me vendosjen e rregullave të qarta, të standardeve, të taksimit, pikat që nuk do të arrijnë dot të mbijetojnë do të mbyllen vetvetiu dhe nuk është e nevojshme që të shkatërrohen apo të shemben. Në këtë rast nuk do të kishte asnjë ndryshim nëse do të ishin 200 apo 1,000 pika. Mjafton që të vendosen standardet. Nëse një pikë do të gjendej duke tregtuar karburant pa cilësi, apo do të ishte e paregjistruar, apo do të tregtonte pa kasë fiskale, nuk do të paguante rregullisht taksat ndaj pushtetit qendror dhe atij lokal atëherë, ajo duhet të mbyllet. Nëse ecet me këtë logjikë, atëherë do të jetë tregu ai që do të bëjë edhe “spastrimet” e nevojshme.
A mund të flasim në vitet e fundit për rritje të ndërgjegjësimit mes tregtarëve për të ofruar produkte cilësore apo kjo mbetet diçka e parealizueshme?
Për këtë duhet t’u jepet fund mashtrimeve. Nafta e importit nuk vjen asnjëherë pa cilësi, sepse nuk sigurohet dot. Rafineritë janë strukturat më të kontrolluara sot në Europë dhe më tej dhe nuk ka asnjë shans që të prodhohet pa standarde, por ndaj produktit ndërhyhet në tregun e brendshëm. Produkti vendas nuk prodhohet me cilësi, futet në treg dhe prish cilësinë. Në këtë aspekt nuk ka ndërgjegjësim, sepse diferenca e fitimit mes asaj që importohet dhe asaj që futet në treg me këtë rrugë është e madhe.
Si e parashikoni ecurinë e tregut në pjesën tjetër të vitit?
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, konsumi ka mbetur thuajse në të njëjtat nivele, me një tendencë të vogël në rënie, në masën 3-4%. Ne besojmë se ky trend do të vazhdojë i tillë edhe për pjesën tjetër dhe vetëm vitin e ardhshëm do të mund të flasim për rikuperim.
Aliaj: Në lidhje me mendimet ne kemi dhënë sugjerime të qarta, veçanërisht sa i përket saktësimit të markës, në mënyrë që të marrë fund mashtrimi ndaj konsumatorëve. Duhet të qartësojmë se emrat që shkruhen në tabela dhe që merr konsumatori janë false dhe nuk përfaqësojnë burimin e furnizimit, por merren me dëshirë nga vetë tregtuesit, duke abuzuar në këtë mënyrë me konsumatorin.
Pikat e karburanteve
Qeveria ka ngritur një grup pune që po merret me studimin dhe me daljen me një plan masash për minimizimin e pikave të karburantit. Do të përcaktohen kriteret për aksesin në rrugët kryesore, për futjen në infrastrukturën shtetërore. Pikat që janë pa leje do të shemben
Impiantet
Futen nën kontroll të gjitha impiantet e përpunimit të hidrokarbureve, standardizohet mirë procesi i licencimit të tyre dhe i rafinerive. Forcohet roli i inspektoratit, por njëkohësisht garantohet edhe transparenca më shumë për personat e interesuar në lidhje me cilësinë e analizave.
Gazi
Do të përcaktohen rregullat teknike sepse ka dalë se bombolat e gazit kanë qenë rrezik për jetën e njerëzve dhe për sigurinë e pasurisë në Shqipëri.
Evazioni
Qeveria do të rishikojë të gjithë kompleksitetin në lidhje me pikat e karburantit për të eliminuar evazionin fiskal, por njëkohësisht edhe për të siguruar konkurrencë, por cilësi më të mirë në treg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.