Korporata Elektronenergjetike Shqiptare ka mbyllur vitin 2018 me një fitim rreth 80 milionë euro. Treguesit e performancës të bërë publik nga vetë KESH tregojnë se kjo situatë ka ardhur si rrjedhojë e dyfishimit të prodhimit të energjisë në krahasim me një vit më parë. Gjithsesi duhet pasur parasysh që viti 2017 ishte një nga vitet më problematikë në aspektin e situatës hidrike. KESH arriti të prodhonte vetëm 2915 gigvat/orë ndërkohe që gjatë vitit 2018 prodhimi ishte 5851 gigavat/orë.
Të ardhurat nga shitja e energjisë shënuan vlerën 18.3 miliardë duke u rritur 1.5 herë në raport me vitin 2017 kur regjistronin vlerën 7.2 miliardë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka arritur përgjatë vitit të shkuar që të ule shpenzimet fikse të saj me 10 për qind. Ky zë shpenzimesh ishte 1.79 miliardë lekë kurse në vitin 2017 ishte 1.99 miliardë lekë.
Totali i huave ka rënë me rreth 50 për qind kur në fund të vitit 2018 ato shënonin gjendje 17.4 miliardë nga 33.9 që ishin në vitin 2017. Për rrjedhojë kjo është reflektuar edhe tek interesat që paguhen për këto hua, shpenzimet e të cilave ranë me 49 për qind. Një efekt tek pjesa e kredive duket se ka pasur ristrukturimi që u bë falë këstit të parë të kredisë marrë nga BERZH.
“Në qershor 2018 u lëvrua kësti i parë i kredisë së BERZH në shumën 14.460 mld. lekë me të cilat janë mbyllur 3 linja OD dhe është ulur limiti i linjave të tjera duke ulur shpenzimet për interesa
Të ardhurat e realizuara nga shitjet e energjisë elektrike në tregun e parregulluar (eksport) gjatë vitit 2018 janë përdorur për: vijueshmërinë e aktivitetit operacional të shoqërisë (shpenzimeve për paga; sigurime shoqërore e shëndetësore; shpenzime për interesa të linjave të OD, etj) megjithëse KESH sh.a. nuk ka arkëtuar akoma detyrimet, korrente nga dy partnerët kryesorë të biznesit (1,8 miliardë leke nga OSHEE sh.a. dhe 900 milionë lekë nga OST sh.a.; shlyerjen e detyrimeve ndaj tatim-taksave. Gjatë vitit 2018, janë shlyer 100% detyrimet korrente tatimore me vlerë 3,4 miliardë lekë dhe 1,45 miliardë detyrime të prapambetura (total 4,85 miliardë)” thuhet ne njoftimin e KESH. Po kështu Korporata nënvizon se ka bërë shlyerjen 100% të detyrimit prej 700 milion lekë ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për tarifën koncensionare për energjinë e prodhuar nga PPE&PVE për vitet 2012- 2016shlyerjen e detyrimit ndaj PPE&PVE me vlerë rreth 500 milionë lekë, në zbatim të Vendimit të Gjykatës së Lartë Nr. 239, në lidhje me Vendimeve të ERE nr.143/144, datë 26.12.2014; dëmshpërblimin financiar të banorëve të qarkut Shkodër të prekur nga përmbytjet e vitit 2010 në zbatim të VKM nr. 295, datë 05.04.2017 në vlerën rreth 57 milionë lekë duke shlyer në total 530 nga rreth 556 milionë lekë që ishte vlera e mbetur e detyrimit” thuhet në njoftimin e KESH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.