Kredia konsumatore e ka nisur me rritje vitin 2024.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit, kredia e re për konsum e dhënë nga sektori bankar arriti vlerën e 9.1 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vlera totale e portofolit të kredisë konsumatore në fund të muajit mars kishte vlerën e 72.2 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 17%.
Rritja e kredisë konsumatore është një tregues i mëtejshëm i një ecurie pozitive të kreditimit të individëve, e mbështetur nga tendenca e mirë e ekonomisë dhe nga normat relativisht të ulëta të interesit, krahasuar me ekonomitë e tjera.
Edhe sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues, të kryer nga Banka e Shqipërisë, kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u lehtësuan disi vetëm në kreditë konsumatore në tremujorin e parë. Lehtësimi i kushteve e termave të kreditimit u arrit në sajë të
shtimit të madhësisë së kredisë dhe zgjatjes së maturitetit të kredisë vetëm në kreditë akorduar me qëllim financimin e konsumit. Edhe në tremujorin e dytë të vitit 2024, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë sërish e lartë, si në financimin e konsumit, ashtu edhe në blerjen e banesave.
Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se kredia konsumatore zakonisht ka një natyrë prociklike, duke qenë se është një kredi që mbështet konsumin dhe ndjek rritjen e tij.
Për këtë arsye, ecuria e kredisë konsumatore mund të jetë një indikator për përmirësimin e tendencave të konsumit privat në ekonomi.
Mbështetur në të dhënat e INSTAT, rritja ekonomike mesatare e konsumit privat të popullatës vitin e kaluar ishte rreth 2.7%. Rritja e konsumit ishte më e ulët se rritja mesatare e PBB-së. Pavarësisht shifrave rekord të turistëve të huaj, ndikimi i sektorit turistik në konsumin e përgjithshëm duket të ketë qenë i kufizuar. Megjithatë, një pjesë e analistëve mendojnë se pjesërisht kjo mund të lidhet me shkallën e lartë të informalitetit në sektorin e turizmit.
Ndërkohë, në segmentin kryesor të kredisë për individë, atë që financon blerjen e banesave, rritja po vazhdon edhe në pjesën e parë të këtij viti. Shifrat tregojnë se për tre muajt e parë të vitit, sektori bankar disbursoi gjithsej 13 miliardë lekë kredi të reja për blerje banesash, në rritje me 6.5% krahasuar me një vit më parë.
Në përgjithësi, statistikat e Bankës së Shqipërisë po tregojnë një rritje me ritme të shpejta të kreditimit për ekonominë gjatë pjesës së parë të këtij viti.
Për të gjithë tremujorin e parë, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti vlerën e 82.8 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 30% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Kontributin kryesor në rritje vazhdon ta japë kredia në lekë, që për tremujorin e parë të vitit pothuajse është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./E.Shehu
![](https://www.monitor.al/images/2024/05/kkon.jpg)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Bankat po përfitojnë nga dhënia e këtyre kredive, duke pasuruar bilancet e tyre, individët që marrin kredi për konsum po përballen me barrë të rëndë financiare. Kjo situatë jo vetëm që rrit varësinë nga borxhi, por gjithashtu kontribuon në përkeqësimin e gjendjes financiare të shumë familjeve shqiptare. Ndaj, ndërsa rritja e kredisë konsumatore mund të duket si një tregues pozitiv për ekonominë, në realitet, ajo pasuron bankat në kurriz të qytetarëve që kanë nevojë për mbështetje financiare të qëndrueshme dhe të përballueshme.