Kreditë që bizneset dhe individët nuk u kthejnë bankave në kohën e duhur kanë vijuar të rriten për të dytin muaj radhazi, pasi kishin ndalur këtë tendencë në dhjetor.
Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave bëjnë të ditur se huatë e pakthyera në afat arritën në 24.2% të totalit në shkurt, nga 24.1% që ishin në janar dhe 23.22% që u mbyll viti 2013.
Bankat, në përpjekje për të mbyllur me fitim 2013-n, duket se kanë shtyrë klasifikimin e kredive me probleme për në fillim të vitit tjetër, çka u reflektua në zgjerimin e këtij treguesi në janar.
Një tjetër factor që ka ndikuar ka qenë dhe tkurrja e kredisë në dy muajt e parë të vitit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kredisë për ekonominë në fund të muajit shkurt ishte 540.7 miliardë lekë, duke rënë me 0.7% në krahasim me janarin e po këtij viti.
Në raport me fundin e 2013-s, kredia për ekonominë ka rënë me 1.3%.
Bankierët kishin shpresuar se 2013 do të shënonte dhe fundin e rritjes së kredive me problem, por dy muajt e parë të vitit po tregojnë se sistemi do ta ketë të vështirë të frenojë zgjerimin e këtij treguesi, që është bërë një problem shqetësues dhe po ndikon ndjeshëm në frenimin e huadhënies për ekonominë, teksa bankat janë përqendruar në mbledhjen e kredive të pakthyera në afat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.