Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) përshëndet miratimin nga Kuvendi të ligjit “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme” në kuadrin rregullator të transaksioneve me pasuritë e paluajtshme.
Në përfundim të angazhimit disa mujor të NAREA në procesin e hartimit të Ligjit për “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”, në datë 25 Janar 2022, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe Komisioni për Ekonominë dhe Financat, dhe në datë 27 Janar Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, miratoi Ligjin për “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”, duke reflektuar një pjesë të sugjerimeve të NAREA.
Nëpërmjet këtij Ligji, Profesioni i Ndërmjetësit të Pasurive të Paluajtshme konsolidohet akoma më tepër si një “Profesion Publik i Rëndësishëm”, duke garantuar kështu rritjen e pjesës së tregut në transaksionet me pasuritë e paluajtshme, zhvillimin profesional të vazhdueshëm, standardet më të larta të etikës, si dhe mbrojtjen reciproke në marrëdhëniet e biznesit dhe me institucionet shtetërore.
Në funksion të zbatueshmërisë sa më të mirë të këtij ligji, NAREA rikonfirmon angazhimin për të vazhduar punën, në një klimë besimi të ndërsjellët, në procesin e hartimit dhe implementimit të akteve nënligjore/normative, të cilat do të adresojnë dhe përsosin më tej këtë kuadër rregullator, duke pasur gjithnjë si busull, jo vetëm fuqizimin e ndërmjetësve të NAREA-s, por edhe ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtës së pronësisë për të gjithë.
Shoqata shpreh mirënjohjen për cilindo aktor të sektorit të përfshirë në këtë proces, për kontributin e dhënë në mënyrë që ky projektligj të përmirësohej dhe për këdo nga institucionet shtetërore që kishin gatishmërinë, kuptuan dhe reflektuan sugjerimet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.