Kuvendi miratoi me 73 vota pro projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar”. Socialistët e abstenuan bashkë me pr/ligjin për mbikëqyrjen financiare. Seanca u shoqërua me akuza e kundër akuza për grabitje dhe abuzime me pronat e ish pronarëve.
Deputeti socialist, nënkryetari i grupit të PS-së tha se, ndryshimet në ligj nuk do i shërbejnë ish pronarëve. Sipas Erion Braçes, “është e pamundur të gjesh një ligj që të ketë ndryshuar kaq shumë në 18 vite dhe brenda një mandati qeverisës”.
“Paradoksi është i jashtëzakonshëm. Afati i ri për kthimin e përgjigjes për një dosje përmes të cilës kërkohet njohja e kthimit të pronës shkon në 2014. Nga 1990- 2014 numëroj 24 vite, janë gjysma e kohës së regjimit që i shtetëzoi”. Ai akuzoi qeverinë se po përdor dy ligje për të grabitur tokat dhe për të lënë me gisht në gojë ish pronarët.
Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu në mbështetjen e tij për projektligjin, ka pohuar se, tre amendamentet e propozuara prej tij kanë gjetur pasqyrim. Ai ka deklaruar se, e drejta e pronës për vite me radhë është trajtuar ndesh me interesin e pronarëve të ligjshëm. “Për këtë kërkohet reflektim nga të gjithë. Theksoj se janë tre elementë kryesorë por të parin do rendisja atë kushtetues të çështjes së të drejtës për zgjidhjen e pronës, ku shteti nuk mbivendoset, por i jep zgjidhje kompensimit fizik e duke lënë të fundit atë financiar”- theksoi Mediu.
Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka theksuar se me projektligjin në fjalë gjejnë zgjidhje të gjitha çështjet për të kaluar në hallkën e fundit që me përmbylljen e privatizimit të përmbyllet njëherë e mirë edhe tranzicioni që lidhej me pronat.
Sipas tij, në bazë të projektligjit nuk ka mundësi për të hyrë e manipuluar çmimin e tregut, pasi lloji i pronës e kategorizimi i pronës është një çështje e parashikuar dhe kategorizuar me ligje të miratuar që më parë, është kriter pa mundësi për të ndërhyrë në të.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.