Kampionati Botëror që do të zhvillohet këtë vit në Rusi nuk ka nisur ende, megjithatë, ndërkohë, ky kompeticion ka pasur ndikim të “jashtëzakonshëm” në ekonominë e vendit. Këtë e bëri të ditur presidenti i Komitetit Organizator të Turneut, Alexei Sorokin, i cili komentoi të dhënat e një raporti paraprak.
“Në periudhën mes 2013 dhe 2018, ndikimi total (në këtë moment) në PBB është 867 miliardë rubla, pra rreth 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Sorokin.
“Pa Kupën e Botës nuk do të kishim rritje ekonomike në vend”, tha zëvendëskryeministri Arkady Dvorkovich para gazetarëve, duke cituar raportin e ri ekonomik. Dvorkovich theksoi se përgatitjet për Kupën e Botës kanë kontribuar me rreth 14 miliardë dollarë – rreth 1 pikë përqindje në Produktin e Brendshëm Bruto të Rusisë në pesë vitet e fundit.
“1% është sigurisht një kontribut me rëndësi për zhvillimin e vendit tonë”, u shpreh zëvendëskryeministri i vendit.
Dvorkovich tha se shpenzimet totale për Rusi 2018, nga periudha 14 qershor – 15 korrik, do të kontribuojnë në rritjen ekonomike me 26 – 30,8 miliardë dollarë gjatë dhjetëvjeçarit 2013 – ‘23.
Dvorkovich shpjegoi se janë bërë investime të rëndësishme në aeroporte, rrugë, klinika dhe impiante sportive në dhjetë qytete të Rusisë.
“Kompeticioni ka pasur ndikim në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të rajoneve pritëse dhe do të ketë impakt pozitiv në afat të gjatë”, shtoi ai.
Pas dy vitesh recesion, si pasojë e sanksioneve ekonomike të vendosura nga vendet perëndimore, ekonomia e Rusisë u rrit me 1,5% në 2017, më e ulët se rritja prej 2% e synuar nga Presidenti Vladimir Putin.
Në raport thuhet se falë Kupës së Botës janë krijuar 220,000 vende të reja pune, përfshirë ato që lidhen me infrastrukturën e re dhe projektet me stadiumet.