Studimet e mëparshme kanë nxjerrë jo fizibël Rrugën e Arbrit për shkak të trafikut dhe me leverdi ndërtimin e boshtit të qendrës nëpërmjet aksit Thumanë-Kashar, ku lëvizjet parashikohen me 11 mijë mjete në ditë.
Mirëpo ekspertët e ekonomisë dhe inxhinierët e rrugëve hedhin dyshime mbi kthimin e investimeve në këto rrugë për shkak se, kostot janë shumë të larta dhe se rrugët nuk janë të azhurnuara me ndonjë prioritet zhvillimi, shprehet inxhinieri Arben Meçe.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës ndërkohë që po jep koncesionet me kosto të larta nuk po shpjegon leverdishmërinë me shifra të këtyre investimeve, për sa vjet do të kthehen investimet dhe se sa do të rritet ekonomia e vendit nga këto investime. Zoti Meçe thotë se qeveria ka ndërmarrë investimet nëpërmjet paktës 1 miliard, më shumë për të krijuar një imazh se po punohet se sa nga një analizë e përfitimeve.
Sipas tij, fakti se investime kaq të mëdha po bëhen njëherazi, do t’i kushtojë vendit dhe shqiptarëve shumë shtrenjtë në të ardhmen, ashtu siç ka ndodhur me Rrugën e Kombit. Inxhinierët me përvojë, në kushtet e anonimati pohojnë se me çmimet e paketës së koncesioneve “One Billion” nuk mund të bëhet fjalë për analizë kosto-përfitim. Pasi balanca e përfitimeve shifrore nuk i justifikon këto shpenzime.
PPP arrijnë 259 mld lekë, 17% e PBB
Projekti “One billion”, një paketë investimesh prej 148 miliardë lekësh që po aktivizohet nga qeveria “Rama” në bashkëpunim me kompanitë vendase për ndërtimin e 6 segmenteve rrugore, një spitali rajonal në Fier dhe rreth 5 shkolla në Tiranë rrezikon të minojë stabilitetin fiskal të vendit në afat të gjatë. Precedentët negativë të koncesioneve në të shkuarën dhe mungesa e ekspertizës dhe kapaciteteve monitoruese të Shqipërisë i shtojnë më tej rreziqet. Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, ka pohuar më herët për “Monitor” se “kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë.
Gjithashtu, përfaqësuesi i FMN në Tiranë, Jens Reinke ka pohuar po për “Monitor” se Fondi sheh si faktor rreziku koncesionet dhe PPP-të që qeveria ka nënshkruar kohët e fundit, ose planifikon të ndërmarrë, të cilat do të krijojnë detyrime potenciale për partnerin publik.
Deri në fund të vitit të kaluar, vlera e kontratave të dhëna me PPP ka arritur në 111 miliardë lekë, të cilat dominohen nga kontrata shërbimesh në shëndetësi dhe tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, Fier dhe Elbasan. Ndërkohë, këtë vit, do të jepen me koncesion në total me PPP edhe 148 miliardë lekë, duke e çuar vlerën e përgjithshme të PPP-ve më shumë se 259 miliardë lekë, e cila është sa 17% e PBB-së. institucionet financiare ndërkombëtare këmbëngulin që kjo shumë të përfshihet në borxhin publik.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën përmbyllëse të marrëveshjes trevjeçare, kërkoi që ndikimi i projekteve me PPP, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare. Aktualisht, qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik.
FMN e ka shprehur më parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto-përfitime dhe një analizë të plotë rreziku. Nëse PPP e dhëna deri më tani dhe ato që janë planifikuar të jepen më 2018 do të përllogariteshin si detyrime publike, borxhi i vendit do të shkonte në mbi 87% e PBB, nga rreth 71% që është aktualisht. Duke anashkaluar efektin që kanë në stabilitetin makroekonomik në afat të gjatë, eficenca e projekteve që do të kryhen investimet duket se nuk përputhet me prioritetet kombëtare që ka vendi në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.