“Me qëllim që bujqësia shqiptare të jetë konkurruese prodhuesit duhet të hyjnë në tregjet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare me produkte unike të cilat mbajnë një identitet të përcaktuar dhe i japin blerësit siguri”, tha në fjalimin e saj Ambasadorja Zvicerane Sh.S. Yvana Enzler. “Unë jam e bindur se me punë dhe mbështetje të mëtejshme prodhuesit bujqësorë shqiptarë do të jenë në gjendje të hyjnë në tregje të reja dhe të krijojnë biznes të suksesshëm me vendet e BE-së”, shtoi Ambasadorja Enzler.
“Gjatë viteve të fundit ne kemi bërë përparim të dukshëm jo vetëm në kuadrin ligjor, por edhe në modernizimin e sektorëve dhe ndërtimin e reputacionit tonë në tregjet ndërkombëtare”, tha Zv. Ministri i Bujqësisë, Z. Tokli Thomai. Ai gjithashtu theksoi se poilitika dhe rregulla qeveritare janë dizenjuar për të mbështetur sektorin e bujqësisë organike. “Sfida jonë për sjelljen e prosperitetit të këtij sektori mbetet e pranishme, dhe unë inkurajoj të gjithë aktorët e përfshirë në këta sektorë të shikojnë tek përdoruesi përfundimtar i zinxhirit të vlerës (konsumatori) kur të dizenjojnë përpjekjet e tyre me qëllim suksesin e tyre dhe atë të gjithë sektorit”, shtoi Zv. Minister Thomai.
Disa nga produktet e ekspozuara në aktivitet përfshijnë bimë mjekësore, vaji ulliri ekstra i virgjër, pasta tradicionale shqiptare ‘jufka’, mjaltë, verë, fruta të thata dhe lëngje frutash. Një pjesë e madhe e tyre gëzojnë shitje të qëndrueshme në tregun e brendshëm, ndërsa disa kanë qenë të sukseshme gjithashtu edhe në tregjet e eksportit në vendet perëndimore.
“Ne mund të themi me siguri që ka tani në këtë vend një sector të bujqësisë organike”, that Drejtore e Bashkëpunimit Zviceran, Isabel Perich. “Ka akoma më tepër mundësi për të futur këto produkte nëpër të gjithë sektorin e shitjes me pakicë, dhe këtu puna e të gjithë aktorëve, dukë përfshirë edhe Ministrinë, do të jetë tepër e vlefshme”, shtoi Zj. Perich. Ajo gjithashtu përmendi se një nga sukseset e projektit të mbështetur nga Zvicra ishte ngritja e institucioneve vendase të cilët japin shërbime ndaj biznesit siç janë AlbInspekt dhe BioAdria, të cilat garantojnë se sektori i bujqësisë organike do të vazhdojë të përparojë.
Si në tregjet ndërkombëtare edhe në ato vendore ka më shumë kërkesë për produkte organike dhe të prodhuara natyrshëm dhe kjo do të thotë mundësi të reja për ndërmarrjet bujqësore dhe ato të agrobiznesit. Një nga arritjet e projektit të bujqësisë së qëndrueshme të financuar nga Zvicra ishte prezantimi i Standartit të Garancisë Shqiptare, një skemë çertifikimi e cila përfshin inspektimin, çertifikimin, dhe etiketimin e produkteve të vendit. Tre vula origjine (logo) janë krijuar për të përcaktuar llojet e ndryshme të produkteve bujqësore që përfshijnë origjinën organike, tipike dhe rajonale.
Në këtë moment janë nëntë pika shitjeje të cilat ofrojnë një varietet me produkte organike dhe tipike siç është Këndi i Shëndetit tek supermarket Mercator që ndodhet tek City Park, dhe një dyqan Duty Free tek Aeroporti i Tiranës ‘Nënë Tereza’. Gjatë vazhdimësisë së projektit asistenca teknike u bashkua me financim me qëllim mbështetjen e prodhimit, paketimin, shitjet dhe marketingun për bizneset klientë.
Mbështetja Zvicerane për sektorin e bujqësisë filloi në 2001 dhe fokusi kryesor ishte vendosja e një sektori organik funksional me qëllim përmirësimin e ekonomisë rurale. Përmes aktiviteteve të tij projekti injektoi një metodë të orientimit nga tregu dhe prezantoi teknologji që janë miqësore ndaj mjedisit. Si rezultat më shumë se 3,000 njerëz që punojnë në bujqësi kanë përfituar ndërsa mbi 100 firma dhe ndërmarrje kanë marrë pjesë në proçeset e zhvillimit të tregjeve të reja. Përveç asistencës ndaj bizneseve një rezultat i rëndësishëm i projektit ishte krijimi i institucioneve shqiptare të çertifikimit dhe inspektimit të cilat sigurojnë mbajtjen e standarteve të BE-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.