“Një skenar i ringjalljes së trazirave në eurozonë mund të ketë ndikim të fortë në ekonomitë e CEB dhe SEE, të cilat kanë lidhje të forta tregtare dhe financiare me zonën e monedhës së vetme,” thotë raporti i BERZH…
Raporti i fundit i perspektivës ekonomike rajonale i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i publikuar sot, është më pesimist në krahasim me pritshmëritë e Bankës Botërore, duke vlerësuar që ekonomia shqiptare është rritur vetëm me 1.5% në 2014-n, nga 2.1% që ishte vlerësimi i BB, pak ditë më parë.
Edhe për 2015-n, pritshmëritë e BERZH janë për një rritjëe prej 2.5%, nga 3% që është vlerësimi i Bankës Botërore dhe Qeverisë shqiptare.
BERZH është institucioni i dytë, pas Komisionit Europian, që vlerëson se ekonomia shqiptare është rritur më pak se 2% në 2014-n.
Rritjen më të lartë për 2014-n vlerësohet ta ketë pasur Maqedonia, me 3.8%, e ndjekur nga Rumania 2.6%, Kosova 2.5%.
BERZH rishikon në ulje rritjen për Europën Lindore e Qendrore
BERZH ka rishikuar në ulje të ndjeshme rritjen për Europën Lindoree Qendrore, si rrjedhojë e situatës së përkeqësuar në Rusi. Mesatarisht, vendet në rajonin e BERZH pritet të tkurren tashmë me 0.3% në 2015, pas një parashikimi për një rritje prej 1.7% në shtator.
Një rënie e fortë e çmimeve të naftës ka ushtruar presion mbi Rusinë tashmë të dobët dhe po dëmton rritjen në eksportuesit e energjisë dhe vendeve të tjera që janë të lidhura ngushtë me ekonominë më të madhe të Europës Lindore.
Gjithsesi, BERZH thotë se nga çmimet më të ulëta të naftës mund të përfitojnë vendet në Europën Qendrore dhe Juglindore (CESEE) dhe Mesdheun Jugor dhe Lindor (SEMED), duke ndihmuar që të kalojnë efektet negative të kërkesës së dobët të jashtme nga eurozona.
Kërkesa e brendshme ka qenë një faktor pozitiv në disa vende të Europës Jugliondore (SEE).
Raporti thotë se pasiguritë e zgjedhjeve të 25 janarit në Greqi mund të ndikojnë në ekonomitë e Europës qendrore e juglindore.
“Një skenar i ringjalljes së trazirave në eurozonë mund të ketë ndikim të fortë në ekonomitë e CEB dhe SEE, të cilat kanë lidhje të forta tregtare dhe financiare me zonën e monedhës së vetme,” thotë raporti i BERZH.
Rritja e kredisë ka mbatur e vakët në Europën qendrore dhe juglindore. Një ulje e ekspozimit të bankave të huaja është neutralizuar gjerësisht nga rritja e depozitave. Rritja e kredisë për sektorin e korporatave ka qenë veçanërisht e ulët dhe në shumë raste negative.
Niveli i lartë i huave me probleme (NPLs) ka qenë një arsye kryesore për rritjen e dobët të kredisë. Normat e NPL-së janë afër 20% në pjesën më të madhe të vendeve në Europën juglindore dhe në Ukrainë. Në Kazakistan ato kaluan 30% dhe në Qipro ato janë rreth 50%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.