Për periudhën 4-mujore Janar-Prill 2024, Terminali i Kontejnerëve Durrës përpunoi 61,977 njësi TEU të kontejnerëve, duke pasur një rritje prej 26% në krahasim me te njëjtën periudhe të vitit 2023.
Burimet zyrtare nga “Mariner Adriatic” shpk, pjesë e “Hili group”, që operon në Terminalin e Kontejnerëve në Portin e Durrësit, që prej vitit 2021, tregojnë se volumi i punës në përpunimin e kontejnerëve me mallra, ka ardhur duke u rritur, nga viti në vit.
“Hili” ka nje kontratë shërbimi me Autoritetin Portual Durrës, për menaxhimin e Terminalit të Kontejnerëve për një periudhë deri në pesë (5) vjet, duke synuar të plotësojë nevojat e Autoritetit Portual Durrës, në përputhje me kontratën përkatëse.
Tendenca në rritje, e vazhduar që prej vitit të shkuar, shkon paralelisht me rritjen ekonomike të vendit, e udhëhequr nga rritja e konsumit privat, turizmit dhe ndërtimit.
Gjatë vitit 2023, flota e pajisjeve përpunuese të Terminalit u shtua me një mjet përpunues Reach Stacker të markës Sany me kapacitet mbajtës 45 Ton, si dhe me një Vinc portual të markës Italgru, me kapacitet mbajtës 125 Ton.
Zgjerimi i kapaciteteve përpunuese në Terminalin e Kontejnerëve ka pasur edhe një ndikim pozitiv sa i përket rritjes së punësimit. Konkretisht, ky Terminal, i menaxhuar nga operatori privat, gjate muajit Prill 2024 kishte te punësuar 25% me shume punonjës, krahasuar me numrin e punonjësve fillestarë kur filloi punën ky operator.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.