Rritet rreth 6% mortaliteti te shpendët në raport me ditën e djeshme nga rënia e influencës aviare sipas shifrave të Ministrisë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Zv.ministrja Ermira Gjeçi deklaroi se deri tani janë raportuar 358,520 shpendë të ngordhura nga rreth 340,000 raste (shifra e plotë 338,426) që u raportuan një ditë më parë. Në Shqipëri sipas zv. ministres të Bujqësisë zonat në karantinë janë Durrësi, Dibra dhe Korça.
“Dua të sigurojmë konsumatorët se nuk ka asnjë rast nga studimet e bëra që sëmundja mund të transmetohet nga konsumimi i nënproduktit të shpendëve. AKU është në terren në secilin subjekt tregtues mishi dhe po kontrollon çdo produkt për të garantuar sigurinë ushqimore.
Aktualisht zonat në karantinë janë: Durrës, perimetri me rreze 10 km në qarkun Durrës me qendër në fshatin Rrashbull. Dibër, perimetri me rreze 10 km në qarkun Dibër me qendër në fshatin Rrethkal (rasti pozitiv në shpend oborri). Korçë, perimetri me rreze 10km në qarkun Korçë me qendër në fshatin Prespë të vogël (rasti pozitiv i pelikanit kaçurrel).
Deri tani janë raportuar të ngordhura 358 mijë e 520 shpendë nga të cilat vetëm ditën e djeshme janë groposur pothuajse 39 mijë shpendë. Është e rëndësishme të kuptojmë që proceset janë dinamike dhe këto shifra ndryshojnë me orë.
Me identifikimin e vatrës së re, sipas planit të kontigjencës dhe legjislacionit në fuqi, do të shtojmë masat. Sot jemi në proces vendimmarrje për masat e reja që do të marrim dhe do ju lajmërojmë. Lidhur me sinjalizimet që kemi marr dhe nga media, është aktivizuar shërbimi veterinar, i cili në bashkëpunim me pushtetin vendor kanë marr masat për ndalim të tregtimit në kushte të pa miratuara. Gjej rastin të falënderoj mediat për sinjalizimet dhe ftojmë çdo shtetas që nëse has në tregti të pakontrolluar të produkteve të mishit ti drejtohet numrin jeshil 0800 33 66”.
Zonja Gjeçi nënvizoi se konfirmimi të rasteve me influencë aviare janë në shumë shtete të Europës, ndërsa prekshmëria më e madhe është në Francë me 72 mln shpendë të ngordhura.
“Në shumë vende të BE-së, si Franca, Gjermania, Polonia, Hungaria, Zvicra, Spanjë, Italia, Greqia janë konfirmuar raste të pranisë së influences aviare në shpendë të egër dhe në stabilimente të rritjes së shpendëve. Kjo është një sëmundje e cila sot ka prekur të gjithë kontinentin europian dhe rregullat që po ndiqen në Shqipëri janë konform procedurave të Bashkimit Europian. Aktualisht prekshmërinë më të madhe e ka Franca ku janë prekur 540 stabilimente dhe kanë ngordhur dhe eliminuar 72,000,000 shpendë.
Procedurat rregullatore të BE-së për masat mbrojtëse kundër sëmundjes së influencës aviare janë vendosur edhe në vendin tonë (siç janë zona e mbrojtjes dhe e mbikëqyrjes 3 dhe 10 km.) Sëmundja e influences aviare është listuar në 7 sëmundjet kryesore emergjente në BE. Kjo sëmundje konsiderohet si sëmundje ndërkufitare ku janë të përcaktuar masat që duhet merren si në kuadrin ligjor të BE-së ashtu dhe në aktet tona ligjore”, veçon ajo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.