Kompanitë që veprojnë në fushën e Call Center janë ato që kanë shënuar rritjen më të ndjeshme në 2013-n.
Të dhënat e bilanceve të vitit 2013 për dy kompanitë kryesore, Intercom Data Service dhe Albacall flasin për një zgjerim të qarkullimit vjetor me ritme dyshifrore, mbi 50%.
Për Intercom Data Service (IDS), kompania më e madhe Call Center në vend, 2013-a ka qenë një vit i mbarë. Qarkullimi vjetor i kompanisë, sipas bilanceve të dorëzuara te Tatimet, ishte 2.56 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 71%. Ajo hyri në listën e 100 më të mëdhave, duke u renditur e 77-a në 2013-n.
Sipas të dhënave nga tatimet, Intercom Data Service ka rreth 3000 të punësuar, duke qenë punësuesi i dytë më i madh në vend, pas CEZ Shpërndarje.
Edhe Albacall realizoi një xhiro prej 2.25 miliardë lekësh në 2013-n, me një rritje prej 60% në raport me një vit më parë, duke hyrë dhe ajo në listën e 100 më të mëdhave, në vendin e 90.
Operatori i tretë më i madh Call Center në vend, Albania Marketing Service (Teleperformance) realizoi një qarkullim vjetor prej 11.8 miliardë lekësh në 2013-n, ndërsa kishte 1500 të punësuar. Kompania ka shënuar për herë të parë një rënie të aktivitetit në 2013-n. Që nga 2009 kur filloi aktivitetin, deri në 2012, zgjerimi ka qenë tepër i shpejtë, nga rreth 500 milionë lekë, në 2009-n, në rreth 1.4 miliardë lekë në 2012-n.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.