Shqipëria ka vendosur që të mos lejojë që të eksportohet miell nga Kosova. Një “kundërpërgjigje” që duket se ka ardhur pas vetëm pak kohë më parë Kosova bllokoi qumështin që vinte nga Shqipëria. Sipas të përditshmeve kosovare, kompanisë së miellit “M&Sillos” prej pesë ditësh i janë bllokuar mbi 20 kamionë më miell në kufi me Shqipërinë. Sipas deklarimeve të kësaj kompanie, humbjet llogariten në qindra mijëra euro. Gerald Wlflingseder, kryetar i bordit i kompanisë “M&Sillos” tha se nuk ka arsye se përse të ndodh ky bllokim pasi ata kanë plotësuar të gjitha kushtet që iu janë kërkuar nga autoritetet shqiptare, ndërsa këta të fundit kanë kërkuar dokumente të tjerë shtesë. “Nuk e dimë përse na janë ndaluar këta kamionë pasi ne kemi plotësuar gjitha kushtet që janë kërkuar nga shteti shqiptar. Iu kemi dërguar analizat që janë kryer si nga ne ashtu edhe nga AUVK, mirëpo nuk janë pranuar. Gjatë tre ditëve iu kemi dërguar tri palë analiza “”, thotë Wlflingseder. Sipas tij pala shqiptare ka kërkuar disa kode që nuk përputhen të Kosovës. “ Nga ana tjetër po kërkojnë që secili thes të ketë nga një numër ‘llok 20’, ‘llok 24’ dhe ‘llok 30’ që nuk gjenden në marrëveshjen Kosovë-Shqipëri”, thotë Wlflingseder. Sipas tij nuk mund të ketë prani të alfatoksinës në miell.
Doganat: Kjo nuk është çështje e jona
Autoritetet doganore kosovare thanë se kjo tashmë nuk është çështje e doganës, pasi procedurat janë kryer të gjitha. “Mielli është ndalur për arsye se dyshohet se ka alfatoksinë. Sasia e miellit aktualisht gjendet e bllokuar në Kukës, dhe për procedurat e mëtejshme çështja i ka kaluar agjencitë përkatëse të ushqimit”, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.
Për një bllokadë të tillë nuk është njoftuar ende Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. “Nuk jemi të njoftuar, nuk kemi asgjë zyrtare deri më tani”, tha Arta Istrefi, këshilltare për media e ministres Mimoza Kusari-Lila.
Ndërsa zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, kanë thënë se që nga momenti që janë njoftuar për një bllokadë të tillë, ata kanë filluar me bërjen e analizave dhe më pas do t’ua bashkëngjisin lëndëve të eksportit. Zëdhënësi i AUVK, Lamir Thaçi tha se është e drejtë e autoriteteve të Shqipërisë, që të dokumente në rast se kanë dyshime të tilla.
“Sa i përket asaj se pse AUVK nuk i pajis me dokumente të analizave kompanive që iu nënshtrohen analizave të tilla, Thaçi ka thënë se analizat që kërkojnë AUVK për import të grurit në Kosovë janë të ndryshme nga analizat që kërkojnë Shqipëria. “Dokumente të tilla nuk na janë kërkuar deri më sot nga asnjë autoritet tjetër, ne jemi duke vazhduar të punojmë sipas kërkesave të vendeve importuese”,tha ai.
Sasia e miellit që eksportohet në Shqipëri çdo muaj nga kjo kompani sipas tyre është afër 2 mijë ton.
Kosova ktheu qumështin
Pak ditë më parë një sasi e konsiderueshme e qumështit shqiptar nuk u lejua që të futet në territorin e Kosovës, autoritetet doganore të së cilës e kanë kthyer mbrapsht dhe pikërisht në doganën e Durrësit ku janë kryer dhe procedurat e eksportit të saj, raportoi Top Channel. Drejtues të doganës bënë të ditur se sasia e qumështit, sipas palës kosovare, nuk ka qenë e pajisur me fletë-analizat e nevojshme dhe konkretisht me certifikatën e aflatoksinës në këtë produkt.
Pas kthimit, sipas kryedoganierit të Durrësit, do të jenë autoritetet përkatëse që do të vendosin për asgjësimin ose jo të sasisë prej 23 tonësh të qumështit prodhim shqiptar.
Ndërkohë, pas skandalit mbi praninë e lartë të substancës së dëmshme të aflatoksinës në qumësht, Ministria e Bujqësisë mësohet se ka nxjerrë një urdhër që detyron të gjithë importuesit e qumështit dhe nënprodukteve të tij të kenë pjesë të dokumentacionit edhe certifikatën e aflatoksinës, prania e së cilës në nivele të larta njihet si shkaktar i sëmundjeve të rënda në organizmin e njeriut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.