Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë në pesëmujorin e parë 2017 është 1.321.474, duke u rritur me 9,5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016, teksa shihet se numri i vizitorëve për qëllime pushimi është rritur me 176% në krahasim me pesëmujorin e 2016-s.
Por siç shihet nga të dhënat e INSAT, numri i turistëve në maj ka rënë për vizitat ditore dhe është rritur për pushimet gjata. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në pesëmujorin e parë 2017 është 1.882.335, duke u rritur me 3,8%, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në maj 2017 është 721.054. Krahasuar me maj 2016, ky tregues rezulton me rritje 1,9%. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 360.082. Krahasuar me maj 2016, ky numër është rritur me 0,4 %.
Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi në maj 2017 janë 789.052 duke shënuar një ulje me 2,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë në maj 2017 është 407.096. Krahasuar me muajin maj 2016, ky numër është ulur 2,7%.
Numri i vizitorëve të huaj, të hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi dhe vizita ditore në maj 2017, rezulton 134.364 ndërsa në maj 2016 ky numër ishte 145.655, duke shënuar një rënie me rreth 7,8%.
Në Shqipëri, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë për qëllime personale në maj 2017 është 353.277 dhe përbëjnë 98,1%, të numrit gjithsej të hyrjeve të shtetasve të huaj. Krahasuar me maj 2016, numri i shtetasve të huaj për qëllime personale është ulur 0,3%.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri për qëllime biznesi përbën 1,9% të hyrjeve të shtetasve të huaj, duke shënuar një rritje prej 67,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në maj 2017, në rrugë tokësore zënë peshën më të madhe të hyrjeve gjithsej me 79,7%, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore zënë 13,5% dhe detare zënë 6,8%.
Numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, në maj 2017 rezulton nga Kosova me 29,3%, pasuar nga hyrjet e shtetasve të huaj nga Maqedonia me 13,6%, Mali i Zi me 10,1 %, Greqia me 8,8%, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.