Qeveria e Kosovës të mërkurën i shpalli “luftë” të hapur ekonomike Serbisë, duke marrë vendim që tash e tutje të aplikohet taksë prej 100% për produktet serbe që hyjnë në vendin tonë. Një vendim i tillë u mirëprit me entuziazëm nga prodhuesit vendorë, ndërsa gjeti kundërshtimin e ashpër nga pala serbe, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës miratoi propozimin e ministrit të Tregtisë dhe të Industrisë (MTI) Endrit Shalës, që të rrisë taksën doganore ndaj produkteve serbe nga 10 për qind në 100 për qind. Vendimi i ka gëzuar prodhuesit vendorë, të cilët tregojnë barrierat që i kanë hasur deri më tani për eksportimin e produkteve të tyre për në shtetin serb. Ministri Endrit Shala, që drejton dikasterin e Tregtisë dhe të Industrisë, kërkoi publikisht nga prodhuesit dhe nga tregtarët që të fokusohen në cilësinë e produkteve dhe të arrijnë standardin më të lartë që të mos ketë mëdyshje për konsum ditor. Ai në mes tjerash obligoi menjëherë Doganën e Kosovës dhe mekanizmat tjerë relevantë që të fillojnë me zbatimin e vendimit. “Qytetarë, prodhues, importues e tregtarë ju ftoj të gjithëve t’i bashkohemi kauzës për zhvillim të vendit e mirëqenie të popullit. Kërkoj nga prodhuesit të fokusohen më shumë në cilësi. Të arrini standardin dhe cilësinë më të lartë në mënyrë që qytetari i Kosovës të mos ketë mëdyshje për konsum ditor e të konsumojë prodhime vendore. Të bashkohemi të gjithë e të gjejmë zgjidhje kreative. Nuk është vetëm Serbia e Bosnja në këtë rajon”, u shpreh ministri në një konferencë për medie.
Por nuk dha një deklaratë të prerë se sa do të jetë jetëgjatësia e këtij vendimi, duke pasur parasysh presionet e ndërkombëtarëve. Ministri u përgjigj duke thënë se ka kryer detyrën që i takon. “Unë e kam kryer detyrën time me këtë rast. Po i kryej detyrat e mia si ministër. Në kompetenca të mia si ministër dhe pas analizave të departamenteve përkatëse kemi propozuar këtë masë dhe kjo masë u mor në mbrojtje të ekonomisë së vendit e mbi të gjitha në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të vendit tonë”, ka sqaruar në mes tjerash. Ministri ka ftuar Doganën dhe institucionet tjera që të zbatojnë menjëherë vendimin duke ndaluar importin e produkteve serbe që si distributor e kanë mbishkrimin “Kosova i Metohija”.
Vendimin me entuziazëm e priti prodhuesi kosovar Burim Piraj. Ai në një deklaratë për gazetën “Zëri” tha se gjithçka që Serbia zbaton kundër nesh duhet zbatuar ndaj tyre. “E përkrahi vendimin se është taksë politike, është një prej atyre vendimeve që ne i kemi kërkuar të jemi të barabartë me Serbinë. Krejt ajo çfarë zbatojnë ata kundër nesh edhe ne t’i zbatojmë kundër atyre. Qeveria duhet t’i rishikojë edhe çështjet tjera që ne të barazohemi me Serbinë dhe të sillemi si shtet. Kjo të jenë proporcionale. Ata edhe neve sot e kësaj dite në shumë aspekte kanë shkelur CEFTA-n, nuk e kanë respektuar, nëse bazohen te CEFTA ata janë shkelësit më të mëdhenj”, është shprehur Piraj.
Më tej ka përmendur edhe vështirësitë që has në biznesin e tij për të transportuar mallra me origjinë shtazore nëpërmjet Serbisë. “Unë nuk mund të transportoj mallra me origjinë shtazore nëpërmjet Serbisë, atë kurrë këtë çështje nuk e kanë përmendur se është barrierë jotarifore, ndërsa Traktati i CEFTA-s lejon mbrojtjen e interesave nacionale me vendosjen e taksave. Nuk janë shkelje të CEFTA-s kur bëhet fjalë për interesat e popullit. Prandaj unë e përkrah këtë vendim që e ka marrë Qeveria e Kosovës”, ka theksuar në mes tjerash.
Në anën tjetër Ridvan Nebihu, nga kompania “Migros”, thotë se para se Qeveria e Kosovës ta kishte marrë këtë vendim është dashur t’i paralajmërojë kompanitë që kanë importuar produkte nga Serbia. “Ne si kompani kemi shumë kontrata komerciale, por një pjesë të madhe të mallit e kemi edhe në depot doganore që tash me vendimin e Qeverisë në mënyrë automatike do t’i nënshtrohen taksës prej 100%. Këtë rritje të madhe të çmimit do ta paguajë konsumatori”, tregon ai.
Më tutje ai tregon se edhe kompanitë tjera do ta ngrenë çmimin, pasi do të vërehet mungesë e produkteve në treg.
Pa strategji të Qeverisë qytetari bart koston shtesë
Ndonëse vendimi i gëzoi prodhuesit kosovarë, ekspertët e çështjeve ekonomike në vend theksuan një problem tjetër të këtij vendimi, koston shtesë që mund ta bartë qytetari me këtë ngritje në rast të mosposedimit të ndonjë strategjie nga institucionet. “Ngritja e taksës nga 10 për qind në 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe nga Bosnja ka dy probleme, dy sfida për Kosovën. Nëse Qeveria jonë nuk ka ndonjë strategji se si të kompensohet produkti i parë si gruri e të tjera për sasinë që vjen prej Serbisë, atëherë ngritjen e kësaj takse do ta bartë qytetari që nuk është e drejtë ndaj konsumatorit, ndaj qytetarit të këtë kosto shtesë”, ka alarmuar Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI). Si problem të dytë ajo ka përmendur edhe zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s, duke shtuar se Serbia qe një dekadë nuk e respekton të njëjtën. “I dyti problem është se sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së CEFTA-s, Serbia ka një dekadë që nuk e respekton Marrëveshjen e CEFTA-s për Kosovën, ashtu edhe Bosnja.
E kemi një armë që përderisa ata nuk e zbatojnë këtë marrëveshje, atëherë pse prej neve pritet të zbatohet. Kur flasim për politikat e BE-së drejt stabilizimit të rajonit dhe krijimit të marrëdhënieve të mira po presim të kemi një presion të rritur prej BE-së kundrejt Qeverisë. Mund të ketë edhe luhatje, presim të shohim cilat janë strategjitë e Qeverisë. Shpresojmë që ky nuk është vetëm veprim impulsiv pa e llogaritur çka të bëhet më tutje”, ka nënvizuar menaxherja e projekteve në KDI.
Ndërkohë në anën tjetër eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka thënë se ka kohë që Kosova është dashur të zbatojë parimin e reciprocitetit karshi Serbisë. Në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” Mustafa këtë kërkesë e ka parë si legjitime. “Ka kohë që është theksuar domosdoshmëria që Kosova të zbatojë parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet ekonomike dhe politike me Serbinë, por edhe me vendet tjera. Kjo kërkesë legjitime është neglizhuar një kohë të gjatë nga institucionet e Kosovës, shpeshherë duke dashur të tregohemi konstruktivë ose ‘të dëgjueshëm’ ndaj sugjerimeve të faktorëve ndërkombëtarë. Ky lloj qëndrimi inferior ka prodhuar efekte negative për prodhuesit kosovarë dhe për ekonominë e Kosovës”, ka treguar Mustafa.
Sipas tij, ato probleme tashmë janë akumuluar dhe po arrijnë të shpërfaqin masa të tilla si kjo e vendimit për vendosjen e taksës në 100 për qind ndaj produkteve serbe. “Kjo neglizhencë jona ka prodhuar efekte negative edhe në aspektin politik aq sa Kosova e pavarur të mos pranohet nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina si realitet dhe me respektin e duhur. Natyrisht se problemet me Serbinë kanë dimensione më të thella ekonomike e politike. Serbia me politikën e saj dyfytyrëshe dhe me shprehitë e vjetra e të reja koloniale shpesh duke tentuar t’i kamuflojë me mite e me ndjenja mesjetare, gjithnjë ka tentuar që tregut kosovar t’ia shërbejë industrinë e saj përpunuese, ashtu që ajo të fitojë gjithçka, Kosova të mbetet treg i saj dhe ajo nga ana tjetër të pengojë prodhuesit eksportues kosovarë në forma të ndryshme, gjithnjë duke tentuar që ta mohojë, ta nënçmojë dhe ta denigrojnë shtetësinë e Kosovës”, është shprehur tutje.
/ZËRI
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.