Ndërkohë që klubet e Premier League u kursyen në merkaton e transferimeve në janar, merkatoja e dimrit gjithsesi regjistroi për të dytën herë shpenzimet më të larta të të gjitha kohërave, në 1.46 miliardë dollarë.
Gjithashtu u regjistrua një rekord në shpenzimet e futbollit për femra, por gjithsesi një shifër më modeste, prej 2.1 milionë dollarësh.
Ndoshta është edhe më i rëndësishëm fakti që në merkaton e dimrit u regjistruan 5.073 transferime ndërkombëtare, nga të cilat 4.716 në futbollin për meshkuj, me rritje 0.6% krahasuar me vitin 2023.
Të dhënat vijnë nga raporti International Transfer Snapshot i FIFA dhe janë nxjerrë nga Transfer Match System (TMS) i FIFA që regjistron transferimet e lojtarëve.
1.46 miliardë dollarët e shpenzuara në merkaton e janarit 2024 janë 8.2% më pak krahasuar me shpenzimet rekord të janarit 2023.
“Pjesa më e madhe e shpenzimeve në futbollin për meshkuj vjen nga klubet në Europë (77.9% në total), ku klubet franceze rezultuan shpenzuesit më të mëdhenj, me një total prej më shumë se 290 milionë dollarësh, më shumë se dyfishi se sa shpenzuan në janar 2023.
Në futbollin për femra, klubet që shpenzuan më shumë ishin ato të UEFA, me 55.0% të totalit” – thuhet në raport.
Shpenzimet e klubeve angleze në janar u tkurrën në mënyrë drastike, me thuajse 80% krahasuar me shpenzimet rekord në janar 2023, por gjithsesi klubet angleze renditeshin të dytët për shpenzimet më të larta.
Në lidhje me moshën e lojtarëve të transferuar 52.3% e 752 transferimeve ndërkombëtare që parashikonin një komision transferimi ishin të moshës 18 – 23 vjeç, ndjekur nga lojtarët mes 24 – 29 vjeç (40.6%).
“Këto dy grupmosha përfaqësuan më së shumti shpenzimet e përgjithshme për transferime (përkatësisht 63.9% dhe 31.4%). Europa dominon ende në lëvizjen e lojtarëve, me 59.9% të transferimeve ndërkombëtare që përfshijnë të paktën një klub të UEFA. Klubet europiane përfaqësojnë 77.9% të shpenzimeve botërore për komisionet e transferimeve dhe morën më shumë se 60% të këtyre komisioneve.