Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve (SHSJPFI) ka njoftuar zgjedhjen e drejtuesve të rinj.
Mbështetur në rezultatet e votimit, që prej datës 7 prill, Bordi Drejtues i SHSJPFI do të përbëhet nga:
- Elton Korbi, me detyrën e Presidentit të Shoqatës;
- Niko Kotonika, Zëvendëspresident i Shoqatës;
- Estela Koçi, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës.
Elton Korbi që prej vitit 2019 është Administrator i Përgjithshëm i Shoqërisë Administruese të Fondeve të Pensionit dhe Fondeve të Investimit, Albsig Invest. Ai ka një eksperiencë të gjatë në sektorin bankar, fillimisht në Bankën Kombëtare të Greqisë dhe më tej në Bankën e Shqipërisë. Sipas njoftimit të Shoqatës, në funksionin e Presidentit, Z. Korbi do të përfaqësojë zërin e anëtarëve për çështjet e ndërgjegjësimit dhe promovimit të interesit më të mirë të SHSJPFI-së dhe anëtarëve të saj.
Niko Kotonika është Administrator i Përgjithshëm i Shoqërisë Administruese të Fondeve të Investimit ABI Invest. Më herët, ai ka punuar në pozicione drejtuese në sektorin bankar dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Estela Koçi mban detyrën e Administratores së Përgjithshme të Shoqërisë Administruese të Fondeve të Pensionit dhe Fondeve të Investimit Credins Invest, ndërsa ka një përvojë të gjatë në fushën e auditimit dhe konsulencës.
Drejtuesit e rinj do të zëvendësojnë Bordin e mëparshëm, që përbëhej nga Elvis Ponari, z.Genc Koxhaj dhe Edlira Konini.
Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve u themelua në vitin 2016 dhe aktualisht përfshin 10 institucione financiare të këtyre fushave.
Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), institucionet anëtare të shoqatës administrojnë gjithsej asete në vlerën e më shumë se 62 miliardë lekëve ose rreth 620 milionë eurove.
Tregu i fondeve të investimit iu kthye rritjes vitin e kaluar, duke u ringritur pjesërisht nga rënia e fortë e vitit 2022. Asetet neto të fondeve të investimit në fund të vitit 2023 arritën në 50.3 miliardë lekë, në rritje me 9.2% krahasuar me një vit më parë. Deri në fund të vitit 2023, në treg ishin aktive 11 fonde investimi, të administruara nga pesë shoqëri të ndryshme administruese.
Asetet neto të fondeve private të pensioneve në fund të vitit 2023 arritën në 6.7 miliardë lekë në rritje me 18.2% krahasuar me një vit më parë. Numri total i anëtarëve arriti në 38 180, në rritje me 4.55% krahasuar me një vit më parë. Në treg aktualisht veprojnë gjashtë fonde të pensioneve private, të administruara nga katër shoqëri administruese.
Sipas statistikave të AMF, në fund të 9-mujorit 2023 shoqëritë e sigurimit të jetës raportonin gjithsej asete në vlerën e 5.5 miliardë lekëve. Në këtë treg veprojnë aktualisht katër shoqëri sigurimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.