Në kontekstin e zgjerimit të fundit të Inteligjencës Artificiale, iu referuam të dhënave të Quid (nëpërmjet Stanford’s 2024 AI Index Report) për të nxjerrë në pah 15 vendet që kanë regjistruar numrin më të madh të startup-eve IA në dekadën e fundit.
Shifrat përfaqësojnë numrin e startup-eve IA të sapofinancuara në atë vend, në periudhën 2013 – 2023. Janë marrë në konsideratë vetëm kompanitë që kanë marrë më shumë se 1.5 milionë dollarë investime private.
Nga të dhënat del në pah se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar shfaqen si vatra kryesore për inovacionin.
Në terma financiarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në avantazh të dukshëm, ku investimet private në IA arrijnë në total 335 miliardë dollarë mes 2013 – 2023.
Startup-et e Kinës kanë mbledhur 104 miliardë dollarë në të njëjtin hark kohor, ndërsa ato të Mbretërisë së Bashkuar, 22 miliardë dollarë. Një analizë tjetër tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e thellojnë këtë hendek.
Në vitin 2023, për shembull, investimet private në Shtetet e Bashkuara u rritën me 22% krahasuar me nivelet në vitin 2022. Në të njëjtën kohë, investimet u tkurrën në Kinë (-44%) dhe Mbretërinë e Bashkuar (-14,1%).
Ku po shkojnë gjithë këto para?
Quid ka ndarë edhe totalin e investimeve private në IA sipas fushave të interesit, duke dhënë informacione se cilët sektorë po marrin më shumë financime. Sektori që tërheq më shumë fonde është ai i infrastrukturave, kërkimit dhe të qeverisjes së IA.
Fusha e dytë me interes është përpunimi i gjuhës natyrore (NPT – natural language processing), një lloj IA që u mundëson kompjuterëve të kuptojnë dhe interpretojnë më mirë gjuhën njerëzore.
Me 8 miliardë dollarë investime në startup të fokusuara në NPL në vitin 2023, investitorët janë të vetëdijshëm në potencialin e transformimit të kësaj teknologjie.