BMW deklaroi të mërkurën se pret një rënie të lehtë të fitimit para taksave këtë vit për shkak të rritjes së kostove për kërkim dhe zhvillim, të prodhimit dhe personelit; edhe rënia e çmimeve të makinave të përdorura do të ndikojë te tkurrja.
Shtëpia automobilistike me seli në Mynih regjistroi rënie të marzhit të fitimit në tremujorin e parë në segmentin e automobilave.
Fitimi para taksave i shtëpisë automobilistike gjermane në segmentin e makinave ra në 8.8% nga 12.1% në një vit dhe nën 9.2% që pritej nga analistët në një konsensus të përpiluar nga kompania.
Të ardhurat në tremujorin e parë ranë lehtë, pavarësisht rritjes së shitjeve të makinave prej 1.1%.
Gjatë pandemisë, mungesat e zinxhirit të furnizimit nënkuptonin që prodhuesit e automjeteve mund të vendosnin çmime më të larta për automjetet e tyre dhe të shisnin makinat me qira me një çmim më të lartë, për shkak të kërkesës së madhe për makina të përdorura.
BMW po investon shumë te makinat elektrike dhe te rinovimi i modeleve të gamës së saj dhe parashikon shpenzime rekord këtë vit, krahasuar me 7.5 miliardë euro vitin e kaluar.
“Këtë vit do të jetë më e rëndësishme se kurrë ruajtja e drejtimit të strategjisë” – deklaroi drejtuesi financiar Walter Mertl. “Investimet e nevojshme për të ardhmen dixhitale dhe elektrike të kompanisë sonë janë më të lartat që kanë qenë ndonjëherë”.
Edhe rivalët e BMW, Mercedes Benz dhe Porsche, po shpenzojnë shumë, ndërkohë që prodhuesit gjermanë të makinave po përballen me rritjen e konkurrencës në tregun e makinave elektrike nga Kina dhe Tesla.
Fitimi para taksave i grupit në tremujorin e parë ra me 18.9% në 4.1 miliardë euro, por tejkaloi shifrën 3.9 miliardë që pritej nga analistët.
Shitjet e makinave tërësisht elektrike u rritën me 28% në 83.000 makina në tremujorin e parë.
/ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.