Përditësim/ Sistemi e-Filing i është rikthyer normalitetit gjatë pasdites. Bizneset dhe ekonomistët ngritën shqetësimin se prej mëngjesit të ditës së sotme, faqja e deklarimeve nëpërmjet sistemit e-Filing nuk funksiononte.
Sot është afati i fundit i pagesave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe pagesës së tatimit në burim për biznesin e madh.
Afati për deklarimin e tyre është jo më vonë se data 20 e muajit që pason periudhën tatimore.
Si bizneset, por edhe ekonomistët mbajtës të bilanceve të tyre pohuan për “Monitor” se nuk po arrijnë të logohen në sistem për dorëzimin e listë pagesës apo për të bërë ndryshime në të.
“Sistemi nuk funksion prej mëngjesit. Nuk hapet lista e pagesave në e-Filing, ndërsa sot është afati i fundit për deklarimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe tatimit në burim”.
“Nuk aksesohet normalisht, vetëm nëpërmjet Self-Care po edhe nëse hyn te llogaria nuk mund të kryhet asnjë veprim”, shton një tjetër përfaqësues biznesi.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u tha se po punohet për funksionimin e sistemit. Edhe në raste të mëparshme të mosfunksionimit të sistemimit ndaj tatimpaguesve nuk ka pasur penalizime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.