Ekspertët mendojnë se përmirësimi i renditjes së Shqipërisë nga agjencia e renditjes Standard & Poor’s, në datën 22 mars 2024, ka një ndikim të qenësishëm në rënien e normave të interesit, me të cilat tregtohen ndërkombëtarisht obligacionet e qeverisë shqiptare, si pasojë e një rreziku më të ulët që shfaq ekonomia e vendit
Selami Xhepa, ekonomist dhe President i Universitetit Europian të Tiranës, mendon se faktori kryesor që ka përcaktuar përmirësimin e vlerësimit nga S&P është rënia e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
“Performanca fiskale pozitive, konsolidimi fiskal, si dhe fuqizimi i monedhës kombëtare, janë faktorët kryesor që kanë çuar në rënien e borxhit publik në terma relativë.
Njëkohësisht, edhe rritja ekonomike pritet të jetë pozitive, kryesisht për shkak të entuziazmit që ka krijuar rritja e të ardhurave nga sektori i turizmit. Pra, dhe në afatin e mesëm, pritshmëritë mbeten pozitive si për performancën fiskale dhe për rritjen ekonomike, gjë që ndikon në rritjen e aftësisë paguese të borxheve publike,” thotë z.Xhepa.
Sipas tij, rritja e vlerësimit do të ketë një ndikim pozitiv në uljen e primit të rrezikut për huamarrjen e re në tregjet ndërkombëtare, duke bërë që borxhi i huaj të sigurohet me një normë interesi më të ulët.
“Sigurisht që normat e interesit në tregjet e huaja përcaktohen nga faktorë të tjerë që janë ekzogjenë në raport me ekonominë tonë, por ulja e rrezikut në çdo rast do të faktorizohet me një vlerë më të ulët në normën e interesit të tregut.
Impakti mbetet pozitiv mbi financat publike, ndërsa nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me tregun e brendshëm financiar,” shton z.Xhepa.
Blodin Çuçi, ekspert i tregjeve financiare, thotë se agjencitë e renditjes kanë ndikim shumë të rëndësishëm në vlerësimin e kapaciteteve të shlyerjes së borxhit të një qeverie.
Vlerësimi i këtyre agjencive, duke qenë i pavarur, u shërben investitorëve ndërkombëtarë për të adresuar nivelin e rrezikut që bartin obligacionet e emetuara nga këto qeveri, si dhe nivelin e shëndetit ekonomik të një vendi. Sa më e lartë të jetë renditja e një shteti, aq më i ulët është rreziku që të shfaqen probleme në kapacitetin e shlyerjes së borxhit qeveritar.
Si rrjedhojë, aq më i sigurt është obligacioni i emetuar nga një shtet me renditje më të lartë, duke sjellë edhe norma më të ulëta interesi të huamarrjes së këtij shteti.
“Në këtë këndvështrim, përmirësimi i renditjes së Shqipërisë nga Agjencia e renditjes Standard & Poor’s, në datën 22 mars 2024, ka një ndikim të qenësishëm në rënien e normave të interesit, me të cilat tregtohen ndërkombëtarisht obligacionet e qeverisë shqiptare, si pasojë e një rreziku më të ulët që shfaq ekonomia e vendit.
Në këndvështrimin praktik, kjo do të thotë që nëse qeveria do të emetonte Eurobonde të reja në tregjet ndërkombëtare, norma e interesit do të ishte më e ulët. Ndikimi kryesor i kësaj rënie të normës së interesit është ulja e kostove të rifinancimit të borxhit të jashtëm, ku rikujtojmë që në vitin 2025, Shqipëria ka maturimin e Eurobondit të radhës”, – thotë z. Çuçi.
Sipas tij, një tjetër përfitim që sjell përmirësimi i renditjes, është zgjerimi i bazës së investitorëve në Eurobonde të qeverisë shqiptare. Rreziku më i ulët i investimit që vjen nga përmirësimi i renditjes bën të mundur përfshirjen në portofola, fonde dhe strategji investimi me nivele më të ulëta të rrezikut, çka përshtatet me profilet e investimit të një baze më të gjerë investitorësh institucionalë.
Kjo krijon një spirale pozitive në kërkesë dhe shton më tej presionet për një rënie të mëtejshme të normave të interesit të huamarrjes së qeverisë dhe rënie të kostove të rifinancimit të borxhit.
“Krijimi i një baze më të gjerë investitorësh, duke përfshirë ata institucionalë, rrit po ashtu aksesin e qeverisë për financim në tregjet ndërkombëtare, dhe, nga ana tjetër, krijon likuiditet të shtuar në emetime, duke përmirësuar parametrat e tregtueshmërisë së këtyre instrumenteve në tregjet dytësore.
Aksesi në tregjet financiare ndërkombëtare është një ndër faktorët kyç në themel të stabilitetit financiar të një shteti, pasi përmirëson aftësinë e tij për përthithjen e goditjeve si pasojë e krizave të ndryshme.
Në një këndvështrim praktik, Shqipëria sot është financiarisht më e mbrojtur nga kriza të ndryshme të brendshme apo ngjarje të pakontrollueshme nga njeriu, si tërmete apo pandemi”, – shprehet ai.
Sipas tij, një renditje më e lartë përkthehet po ashtu në një rrezik më të ulët të ekonomisë, faktor që sjell efekt pozitiv edhe mbi rritjen e Investimeve të Huaja Direkte.
“Përmirësimi i renditjes, ndër të tjera, sjell edhe përmirësim në perceptimin e rrezikut ndaj një shteti. Si rrjedhojë, një investitor i huaj, në qoftë se do bënte një vlerësim se çfarë norme interesi do të duhej të merrte nga një investim në Shqipëri, do të kërkonte një normë interesi më të ulët kthimi nga investimi, si pasojë e një rreziku më të ulët.
Kjo sjell efektin e zgjerimit të fushave potenciale të investimeve me norma kthimi tërheqëse nga investitorë të huaj dhe rritjen e Investimeve të Huaja Direkte.
Përtej përfitimeve afatshkurtra dhe afatgjata që sjell përmirësimi i renditjes, domethënia kryesore në themel të një renditje më të lartë është përmirësimi i njëkohshëm i treguesve makroekonomikë dhe performancës financiare aktuale dhe të ardhshme të ekonomisë së këtij shteti.
Ky përmirësim i treguesve materializohet në rritje ekonomike të lartë, nivele gradualisht më të ulëta të borxhit publik, deficite më të ulëta, përmirësim të pozitës fiskale, etj.” – thotë z. Çuçi.
Selami Xhepa, president i UET
“Performanca fiskale pozitive, konsolidimi fiskal, si dhe fuqizimi i monedhës kombëtare, janë faktorët kryesor që kanë çuar në rënien e borxhit publik në terma relativë. Njëkohësisht, edhe rritja ekonomike pritet të jetë pozitive, kryesisht për shkak të entuziazmit që ka krijuar rritja e të ardhurave nga sektori i turizmit. Pra, dhe në afatin e mesëm, pritshmëritë mbeten pozitive si për performancën fiskale dhe për rritjen ekonomike, gjë që ndikon në rritjen e aftësisë paguese të borxheve publike,”
Blodin Çuçi, ekspert i tregjeve financiare
“Përmirësimi i renditjes, ndër të tjera, sjell edhe përmirësim në perceptimin e rrezikut ndaj një shteti. Si rrjedhojë, një investitor i huaj, në qoftë se do bënte një vlerësim se çfarë norme interesi do të duhej të merrte nga një investim në Shqipëri, do të kërkonte një normë interesi më të ulët kthimi nga investimi, si pasojë e një rreziku më të ulët. Kjo sjell efektin e zgjerimit të fushave potenciale të investimeve me norma kthimi tërheqëse nga investitorë të huaj dhe rritjen e Investimeve të Huaja Direkte”
LEXONI EDHE:
S&P na rriti “notën”, çfarë përfitojmë tani?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.