Kreditimi i ekonomisë u rrit përsëri në muajin mars dhe ndodhet në nivelet më të larta historike në tremujorin e parë të vitit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sektori bankar disbursoi 30.1 miliardë lekë kredi të reja në muajin mars, shifër kjo 7.5% më e lartë krahasuar me marsin e vitit të kaluar.
Për të gjithë tremujorin e parë, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti vlerën e 82.8 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 30% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Kontributin kryesor në rritje vazhdon ta japë kredia në lekë, që për tremujorin e parë të vitit pothuajse është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pesha e kredisë së re në lekë ndaj totalit ka arritur në 62%, nga 41% që kishte qenë një vit më parë.
Rritja e kredisë së re është mjaft domethënëse, duke pasur parasysh edhe efektin e kursit të këmbimit. Megjithëse kreditimi i ri po dominohet nga leku, ajo pjesë e portofolit në valutë të huaj vazhdon të ndikohet negativisht nga rënia vjetore e kursit të këmbimit. Në veçanti, kursi i këmbimit euro-lek gjatë gjithë tremujorit të parë ka qenë në një rënie vjetore në intervalin midis 8% dhe 10%.
Kredia e re për bizneset për periudhën janar-mars 2024 arriti në 58.1 miliardë lekë, në rritje me 53% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Ndërsa kredia e re për individët arriti në 24.6 miliardë lekë, në rritje me 13.8% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, kredia e re sidoqoftë nuk përfaqëson në të gjitha rastet flukse të reja, por përfshin edhe rinovimin e linjave ekzistuese të kredisë së biznesit apo zhvendosjen e kredive ekzistuese nga njëra bankë te tjetra.
Megjithatë, rritja e kredisë është shumë e dukshme edhe në ecurinë e portofolit total ose tepricës së saj. Në fund të muajit mars, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 763.2 miliardë lekëve, me një rritje prej më shumë se 13 miliardë lekësh krahasuar me shkurtin.
Me bazë vjetore, rritja e kredisë ka kërcyer në nivelin 7.3% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në fund të shkurtit rritja vjetore ishte 5.6%. Përmirësimi i ritmeve të rritjes vjetore, pavarësisht forcimit të lekut, është ndoshta treguesi më domethënës se kreditimi i ekonomisë po përmirësohet ndjeshëm.
Në segmentin e individëve, portofoli i kredisë është në rritje me pothuajse 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, për bizneset rritja ngelet në nivele më të ulëta, me 5.6% me bazë vjetore. Duhet thënë sidoqoftë se pjesërisht kjo i detyrohet peshës më të lartë të kredisë në valutë në portofolin e biznesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.