- Tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit, janë rritur, pasi SHBA rriti kufizimet tregtare dhe sanksionet ndaj Kinës, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare.
- Që nga pushtimi i Ukrainës, tregtia midis blloqeve, ka rënë me rreth 12% dhe investimet e huaja direkte, janë ulur me 20%, krahasuar me ato brenda përbërësve të bllokut.
- Nëse ndarjet nuk kapërcehen, FMN vlerëson se kostot ekonomike ndaj PBB-së botërore, mund të jenë deri në 7%, në skenarin ekstrem.
Dallimet midis blloqeve ekonomike perëndimore dhe atyre të lidhura me Kinën, kërcënojnë bashkëpunimin tregtar botëror dhe rritjen ekonomike, paralajmëroi një zyrtar i lartë i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Zëvendës Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Gita Gopinath, tha se ngjarje të tilla si pandemia globale dhe pushtimi i Rusisë në Ukrainë, kanë ndërprerë marrëdhëniet tregtare në mënyra, që nuk janë pare, që nga Lufta e Ftohtë.
“Gjithnjë e më shumë, vendet në mbarë botën, udhëhiqen nga shqetësimet e sigurisë ekonomike dhe të sigurisë kombëtare, për të përcaktuar se me kë tregtojnë dhe investojnë”, tha ajo, duke shtuar se kjo ka rezultuar, që vendet të zgjedhin gjithnjë e më shumë anë, mes Kinës dhe SHBA-së.
Ndërsa forcimi i qëndrueshmërisë ekonomike, “nuk është domosdoshmërisht i keq”, tendenca e fragmentimit, kërcënon një largim nga një “sistem tregtar global i bazuar në rregulla” dhe një “përmbysje të konsiderueshme të përfitimeve nga integrimi ekonomik”, tha Gopinath.
Tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit, janë rritur ndërsa SHBA rriti kufizimet tregtare dhe sanksionet ndaj Kinës, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare, ndërsa shqetësimet për përparimet e Pekinit në Detin e Kinës Jugore dhe retorika rreth Tajvanit, gjithashtu kanë acaruar situatën.
Tensioni në rritje, midis dy ekonomive më të mëdha në botë, është reflektuar globalisht, me mbi 3,000 kufizime tregtare të vendosura nga vendet në mbarë botën në 2022 dhe 2023, më shumë se trefish në krahasim me 2019, sipas të dhënave të përpiluara nga FMN.
Tregtia midis blloqeve të Kinës dhe SHBA-së, ka rënë në krahasim me tregtinë midis vendeve brenda grupimeve, tha Gopinath. Blloku i SHBA përfshin kryesisht Europën, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re, ndërsa vendet me prirje nga Kina përfshijnë Rusinë, Eritrenë, Malin, Nikaraguan dhe Sirinë.
Që nga pushtimi i Ukrainës, tregtia midis blloqeve, ka rënë me rreth 12%, dhe investimet e huaja direkte, janë ulur me 20% krahasuar me ato brenda përbërësve të bllokut.
Kina, në veçanti, ka luftuar për të mbajtur investimet e huaja, mes tensioneve në rritje me Perëndimin. Flukset e investimeve të huaja direkte në vend, raportohet se ranë 26% në tre muajt e parë të 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndikimi në të ardhmen
Ndërsa fragmentimi ekonomik, nuk ka arritur ende të njëjtat nivele si në Luftën e Ftohtë, ndikimi i tij i mundshëm, është shumë më i madh për shkak të varësisë më të madhe të ekonomisë globale nga tregtia, sipas Gopinath.
Nëse ndarjet nuk kapërcehen, FMN vlerëson se kostot ekonomike, ndaj PBB-së botërore, mund të jenë deri në 7% në skenarin ekstrem të fragmentimit. PBB-ja do të goditet me rreth 0.2% në rastin më të mirë.
Vendet me të ardhura të ulëta, ka të ngjarë të goditen më së shumti, për shkak të mbështetjes së tyre më të madhe në importet bujqësore dhe investimet e huaja nga ekonomitë më të përparuara, sipas FMN.
Megjithatë, pavarësisht tendencave të fragmentimit në ekonominë botërore, raporti i tregtisë totale të mallrave ndaj PBB-së globale, ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë dy dekadave të fundit, tha Gopinath.
Një arsye është se ndikimi i fragmentimit, është zbutur nga një grup vendesh neutrale ndaj SHBA-së dhe Kinës, si Meksika dhe Vietnami, të cilat veprojnë si ekonomi “lidhëse”, përmes të cilave tregtia dhe investimet mund të ridrejtohen.
Duke përdorur “peshën e tyre ekonomike dhe diplomatike”, këto vende të paangazhuara, mund të luajnë një rol më të madh në mbajtjen e botës të integruar, tha Gopinath. / CNBC