Sa e fortë është ekonomia e Indisë? Ajo nuk është Kina e ardhshme, por mund të shndërrojë veten dhe botën, shkruan The Economist
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, pritet të fitojë një mandat të tretë, duke vulosur statusin si udhëheqësi më i rëndësishëm indian që nga Nehru.
Suksesi zgjedhor i këtij politikani, i cili më parë ka punuar si shitës çaji, pasqyron aftësitë e tij politike, fuqinë e ideologjisë së tij hindu-nacionaliste, si dhe dëmtimin e institucioneve demokratike.
Por pasqyron edhe ndjesinë e votuesve të zakonshëm dhe elitave, se ai po i sjell Indisë mjaft pasuri dhe fuqi.
India e zotit Modi është një eksperiment se si mund të pasurohesh në epokën e rënies së globalizimit dhe nën udhëheqjen e një politikani me prirje autoritare.
Nëse vendi mund të rritet shpejt ekonomikisht dhe të shmangë trazirat gjatë 10-20 viteve të ardhshme, ai do të ketë ndikim të madh në fatin e 1.4 miliardë indianëve dhe gjithë ekonomisë botërore.
Siç shpjegon raporti i The Economist, formula e zotit Modi duket se po funksionon, të paktën deri diku. Por ka pyetje nëse suksesi i Indisë mund të zgjasë dhe nëse kjo varet nga qëndrimi i tij në pushtet.
India, shteti i madh me rritjen më të shpejtë në botë, po zgjerohet me një normë vjetore prej 6-7%. Të dhënat e reja tregojnë se besimi i sektorit privat është në nivelin më të lartë që nga viti 2010.
Tashmë India është ekonomia e pestë më e madhe në botë, dhe deri në vitin 2027, pritet të renditet e treta, pas Amerikës dhe Kinës.
Ndikimi i Indisë po shfaqet edhe në mënyra të tjera. Firmat amerikane kanë 1.5 milionë punonjës në Indi, më shumë se në çdo shtet tjetër të huaj. Tregu i aksioneve të Indisë është i katërti më i vlefshëm në botë, ndërsa tregu i aviacionit renditet i treti.
Blerjet e naftës ruse nga India ndryshojnë çmimet globale.
Rritja e pasurisë së vendit do të sjellë më shumë peshë gjeopolitike. Pasi rebelët Houthis bllokuan kanalin e Suezit, India vendosi dhjetë anije luftarake në Lindjen e Mesme.
Presidentët Joe Biden dhe Donald Trump janë përpjekur ta joshin Indinë, por pa e vënë në diskutim faktin se vendi do të mbetet një aktor i pavarur.
Kina e ardhshme
Pra, nëse po kërkoni për një “Kinë të ardhshme”, një mrekulli të udhëhequr nga prodhimi, kjo është India. Vendi po zhvillohet në një kohë të stanjacionit të tregtisë së mallrave dhe automatizimit të fabrikave.
Prandaj, ajo duhet të jetë pioniere e një modeli të ri rritjeje. Një shtyllë e këtij modeli është e njohur: një program infrastrukture që bashkon një treg të madh të vetëm.
India ka 149 aeroporte, sa dyfishi i numrit të një dekade më parë, dhe po shton 10,000 km rrugë dhe 15 GW kapacitet të energjisë diellore në vit.
Një pjesë e kësaj infrastrukture është teknologji dixhitale, duke përfshirë pagesat online, tregjet moderne të kapitalit dhe bankat, si dhe një sistem tatimor dixhital të unifikuar. E gjithë kjo i lejon firmat të shfrytëzojnë ekonomitë kombëtare të shkallës.
Shtylla e dytë janë eksportet e shërbimeve, të cilat kanë arritur në 10% të PBB-së. Tregtia globale e shërbimeve është ende në rritje dhe kompanitë teknologjike indiane kanë krijuar “qendra globale të aftësive”; këto janë qendra që u shesin korporatave shumëkombëshe shërbime si kërkim dhe zhvillim, dhe të tjera, si shërbime ligjore dhe kontabilitet.
Megjithatë, pavarësisht qendrave të shkëlqyera të teknologjisë, India mbetet ende një shoqëri gjysmë rurale.
Kjo shpjegon shtyllën e tretë të modelit ekonomik, një sistem i ri i ndihmave sociale, nëpërmjet të cilit, me qindra milionë indianë të varfër, marrin pagesa në formën e transfertave dixhitale.
Të dhënat e reja tregojnë se pjesa e popullsisë që jeton me më pak se 2,15 dollarë në ditë me çmimet e vitit 2017, ka rënë nën nivelin 5%, nga 12% në vitin 2011.
Modeli
Sa nga këto arritje mund të themi se janë merita të zotit Modi? Politikat e tij më të suksesshme mbështeten në axhendën liberale që u përhap në Indi në vitet 1990 dhe 2000.
Ai ka meritën për nxitjen e reformave të ngecura, duke mbikëqyrur personalisht vendimet kyçe dhe duke thjeshtuar burokracinë.
Disa ankohen se Modi, në fakt, ka nxitur kapitalizmin “me mik”. Edhe pse disa firma të mëdha marrin favore, përqendrimi i bizneseve të mëdha ka rënë, korrupsioni është zbehur dhe bota e biznesit krenohet me një larmi të pasur. Si një kryqëzim midis një shefi kompanie dhe një populisti, kryeministri Modi pëlqen prezantimet në PowerPoint, po aq sa edhe mitingjet.
Nëse ai fiton mandatin e kryeministrit edhe për pesë vite të tjera, India do të vazhdojë të rritet fuqishëm. Po kështu edhe shtresa e saj e mesme: 60 milionë njerëz fitojnë mbi 10,000 dollarë në vit. Deri në vitin 2027, ky numër pritet të rritet në 100 milionë, llogarit Banka Goldman Sachs, e cila ka 20% të stafit në Indi.
Sidoqoftë, India përballet me një problem të frikshëm. Nga një popullsi në moshë pune prej 1 miliard banorësh, vetëm 100 milionë prej tyre kanë punë formale.
Shumica e pjesës tjetër kryejnë punë të rastësishme, ose janë të papunë. Këta njerëz e pëlqejnë kryeministrin Modi, sepse edhe ai vetë ka pasur një jetë modeste në rini.
Për të rritur numrin e punëtorëve në Indi, kryeministri po përdor një skemë stimulimi të drejtuar nga shteti, për të nxitur prodhimin.
Por edhe nëse skema arrin synimet e vendosura, ajo do të krijojë vetëm 7 milionë vende pune. Plani i presidentit kinez Xi Jinping për rritjen e eksporteve kineze vetëm sa do ta vështirësojë planin indian.
Ekonomia e Indisë duhet të rrisë shumë punësimin për të mbështetur rritjen ekonomike. Një mënyrë do të ishte rritja e sektorit të teknologjisë së informacionit, duke vepruar si një qendër për një botë të dixhitalizuar, ku përfshihen financat dixhitale, ushqimi dhe mbrojtja (një fushë ku do të ndihmonin lidhjet më të forta me Amerikën).
Shpenzimet në këto industri do të krijonin më shumë vende pune në sektorë të tjerë, si ndërtimi dhe hoteleria. Një treg vendas efikas dhe i përbashkët do të rriste produktivitetin e përgjithshëm dhe nivelin e mirëqenies.
Për të arritur këtë, India duhet ta shndërrojë arsimin dhe bujqësinë dhe të nxisë emigrimin nga veriu i populluar, drejt qyteteve më të mëdha jugore dhe perëndimore.
Partia e zotit Modi, e quajtur Bharatiya Janata (BJP), ka mjaft talente dhe ide, por kryesisht është e përqendruar në ideologji dhe sulmet ndaj myslimanëve.
Mungesa e liberalizmit ka penguar opozitën politike dhe fjalën e lirë. Fakti që kompanitë i frikësohen zotit Modi, mund të jetë një arsye pse investimet në vend ende nuk janë rritur. Procesi i përgatitjes së publikut për ndryshime të mëdha shoqërore në vitet 2030 ka filluar me vështirësi.
Rimodelimi i arsimit, qyteteve dhe bujqësisë, do të kërkojë bashkëpunimin e qeverive shtetërore që nuk udhëhiqen nga partia BJP dhe të grupeve shoqërore të përndjekura, por politika hakmarrëse e zotit Modi ka armiqësuar shumë prej tyre.
Është një Lee Kuan Yew apo një Erdogan?
Pyetja për Indinë dhe ekonominë e saj nuk është nëse do të fitojë apo jo Modi, por nëse ai do të evoluojë. Në moshën 73-vjeçare, fuqitë e tij drejtuese mund të kenë filluar të zbehen.
Për të krijuar një axhendë të re reformash në të njëjtin nivel me atë të viteve 1990 dhe për të nxitur një ekonomi të lulëzuar që shpërblen njerëzit, Modi duhet të zbusë impulset autokratike.
Për të tërhequr më shumë investime vendase dhe të huaja dhe për të gjetur një pasardhës të denjë, partia e tij duhet të frenojë politikën shoviniste. Nëse jo, atëherë premtimi i zotit Modi për një ripërtëritje kombëtare, nuk do të përmbushet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.