Nuk ju pëlqen puna? Hiqni dorë dhe shkoni në një kompani rivale. Lina Khan shpreson të lirojë punëtorët amerikanë
Një e pesta e punëtorëve amerikanë kanë një klauzolë kundër konkurrencës në kontratat e tyre, që i ndalon ata të largohen për të punuar në një kompani rivale.
Për shkak të një rregulli të ri të lëshuar nga Komisioni Federal i Tregtisë më 23 prill, këto klauzola së shpejti mund të anulohen.
Mbështetësit e tyre shpresojnë se kjo masë e re do të sjellë dinamizëm në ekonominë amerikane dhe do të rrisë pagat, ndërsa kritikët paralajmërojnë se do të pengojë investimet, shkruan The Economist.
Debati rreth klauzolave kundër konkurrencës është një debat i vjetër, që daton në Europë që në vitet 1400. Në përgjithësi, atëherë gjykatat mbanin anën e praktikantëve që përpiqeshin t’u shpëtonin kthetrave të mentorëve të tyre.
Por me ardhjen e Revolucionit Industrial, ndryshuan pikëpamjet.
Argumenti kryesor për mbështetjen e klauzolave kundër konkurrencës, si atëherë dhe tani, është se ato ndihmojnë kompanitë që duan të mbrojnë sekretet e tyre tregtare.
Falë këtyre klauzolave, kompanitë bëhen më të gatshme për të kryer investime të mëdha dhe për të trajnuar punëtorë, duke qenë të sigurta se do të korrin përfitime.
Një studim i publikuar së fundmi nga Jessica Jeffers në Universitetin HEC Paris zbuloi se kur shtetet amerikane e bëjnë më të lehtë zbatimin e këtyre klauzolave kundër konkurrencës, firmat rrisin investimet e tyre fizike deri në 39%.
Fatkeqësisht, shumë drejtues abuzojnë me fuqinë që u jep një kontroll i tillë. Për shembull, në vitin 2004, një punëtor në zinxhirin e sanduiçëve Jimmy John’s bëri publike kushtet e kontratës së kompanisë, ku thuhej se punonjësit e kishin të ndaluar të punësoheshin te një firmë rivale, brenda dy viteve pas largimit nga puna.
Punëtorët që përgatisin sanduiçë nuk janë të vetmit amerikanë që kryejnë punë të thjeshta që janë kaq të kufizuara. Studimet kanë zbuluar se rreth 10% e punonjësve me paga minimale, nga berberët te kamerierët, përballen me kufizime të ngjashme.
Edhe për punonjësit që janë shumë të aftë, nuk mund të themi se këto kufizime janë të vlefshme. Kalifornia, shtëpia e shumë prej firmave më të njohura të teknologjisë në botë, ua ka mohuar prej kohësh kompanive të drejtën për të ndaluar punonjësit që t’i bashkohen një firme rivale.
Hulumtimi i zonjës Jeffers tregon se ka një kleçkë: megjithëse firmat përfituan nga kufizimet e punësimit, rregulla të tilla çuan në një rënie prej 7% të kompanive të reja që hyjnë në sektorë me njohuri intensive. Pra, këto klauzola janë një pengesë për risinë.
Kështu, duket se batica është kthyer kundër klauzolave moskonkurruese në Amerikë. Të paktën dhjetë shtete e kanë bllokuar përdorimin e tyre për punëtorët me paga të ulëta. Më 23 prill, FTC-ja (Komisioni Tregtar Federal) shkoi një hap më larg, duke votuar për një ndalim gjithëpërfshirës.
Sipas rregullave, mund të mbahen në fuqi klauzolat kundër konkurrencës vetëm për punonjësit që fitojnë mbi 151,164 dollarë në vit, por të gjitha klauzolat e tjera ndaluese, nuk do të zbatohen më dhe punëdhënësit nuk do të kenë më të drejtë të krijojnë klauzola të reja, përfshirë edhe për drejtuesit ekzekutivë.
FTC-ja parashikon se ky ndalim do të ulë shkallën e krijimit të bizneseve me 3% dhe do të rrisë të ardhurat për një punëtor mesatar me rreth 500 dollarë në vit.
Sipas Lina Khan-it, kryetares së FTC-së të emëruar nga presidenti Biden, ky ndalim do të ishte një arritje e rrallë në fushatën e saj për të rimodeluar ligjin e konkurrencës në Amerikë, një fushatë e cila ka qenë e pahijshme në përpjekjet e pareshtura për të marrë pushtetin e kompanive të mëdha.
Nuk është e sigurt nëse ndalimi do të hyjë me të vërtetë në fuqi pas gjashtë muajsh, siç ishte planifikuar.
Pothuajse menjëherë pas vendimit, Dhoma Amerikane e Tregtisë e paditi FTC-në në një gjykatë në Teksas, duke argumentuar se megjithëse agjencia mund të sfidojë praktika të posaçme biznesi, asaj i mungon autoriteti kushtetues që nevojitet për të krijuar rregullore.
Me fjalë të tjera, ky ndalim do të hapë një debat tjetër të konkurrencës: nëse agjencitë federale kanë apo jo të drejtën të garojnë me Kongresin në vendosjen e rregullave.