Rregullat europiane mbi Inteligjencën Artificiale do të hyjnë në fuqi muajin e ardhshëm, pasi vendet e BE-së miratuan të martën një marrëveshje politike të arritur në dhjetor, duke përcaktuar një pikë referimi globale të mundshme, për një teknologji që përdoret nga kompanitë dhe në jetën e përditshme.
Ligji mbi Inteligjencën Artificiale i Bashkimit Europian (AI Act) është më i plotë krahasuar me një qasje vullnetare dhe të thjeshtë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa qasja e Kinës synon të ruajë stabilitetin social dhe kontrollin e Shtetit.
Vota e vendeve të BE-së vjen vetëm dy muaj pasi ligjvënësit e BE-së mbështetën legjislacionin mbi IA të hartuar nga Komisioni Europian në vitin 2021, pasi bëri një sërë ndryshimesh thelbësore.
Shqetësimet rreth Inteligjencës Artificiale që përhap keqinformim, lajmet e rreme dhe materiale të mbrojtura nga e drejta e autorit janë rritur në gjithë botën në muajt e fundit, si pasojë e përhapjes së sistemeve të IA gjeneruese, si ChatGPT e OpenAI, e mbështetur nga Microsoft dhe chatbot Gemini i Google.
“Ky ligj historik, i pari në botë i llojit të vet, përballet me një sfidë teknologjike globale, që krijon edhe mundësi për shoqëritë dhe ekonomitë tona” – deklaroi ministri belg për Dixhitalizimin, Mathieu Michel.
“Me ligjin për IA (AI Act), Europa thekson rëndësinë e besimit, transparencës dhe përgjegjësisë kur kemi të bëjmë me teknologji të reja, duke garantuar në të njëjtën kohë që kjo teknologji në evolucion të shpejtë të mund të lulëzojë dhe t’i japë nxitje inovacionit europian”.
AI Act vendos detyrime rigoroze transparence për sistemet e IA me rrezik të lartë, ndërkohë që kërkesat për modelet e IA për qëllime të përgjithshme do të jenë më të lehta.
Ai Act kufizon përdorimin e mbikëqyrjes biometrike në kohë reale në hapësirat publike për raste të caktuara krimesh, parandalimin e sulmeve terroriste dhe kërkimet për njerëz të dyshuar për krimet më të rënda.
Ligji i ri do të ketë ndikim përtej bllokut të 27 vendeve, deklaroi Patrick van Eecke, nga studio ligjore Cooley.
/ Reuters