Sot më 9 Maj festohet Dita e Evropës në të gjithë Bashkimin Evropian. Edhe në Kosovë, kjo ditë është festë zyrtare.
Republika e Kosovës është vendimi i vetëm në Evropë që feston 9 Majin, Ditën e Evropës. Në këtë ditë të rëndësishme për kontinentin e vjetër, Kosova po ashtu është vend i vetëm evropian që është nën sanksione të BE-së.
Masat ndëshkuese që janë vendosur para një viti, nuk do të jenë pengesë që për nder të kësaj dite të organizohen shumë aktivitete nga institucionet e Kosovës.
Muajin e ardhshëm bëhen një vit që BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Këto masa, që nga Kosova po konsiderohet si të padrejta, deri me tani Kosovës i kanë sjell dëme të mëdha në disa drejtimeve.
Dëmtimi i imazhit dhe aspekti ekonomik janë fushat kryesore ku e kanë prekur Kosovën më së shumti sanksionet e BE-së.
Sipas ekonomistëve, demi që këto masa i kanë shkaktuar Kosovës llogaritet të jenë qindra miliona euro.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se vetëm në 6 mujorin e parë demi ka qenë rreth 300 milionë euro.
Ai ka bërë me dije se ky dëm do të rritet vazhdimisht.
“Kërkesa jonë është edhe ndaj institucioneve këtë rast Qeverisë së Republikës së Kosovës, që këto masa të largohen sa më shpejtë, kërkesa jonë orientohet te qeveria që të bëjë gjithçka brenda kapaciteteve të tyre, që të i plotësojnë kushtet që kërkohen në mënyrë që të largohen sa më shpejt këto masa. Se këto masa jo vetëm që po ndikojnë që ne mos me thith burime, mos me thith projekte, projekte që deri më tani sipas informatave që i kemi sillen rreth 300 milionë. Mirëpo, kjo shkon duke u rritur për arsye se çdo muaj vinë projekte të reja që ne nuk mund t’i marrim se nuk mund të implementojmë për shkak të masave që janë vendos”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë i ka bërë thirrje BE-së që të hiqen masat.
“Masa që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave të BE-së. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se Kosova është e gatshme jo vetëm për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, por edhe të që të hapë negociatat dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit.
“Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci, si demokracia me e avancuar në rajon ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vinë nga Komisioni Europian. Krahasuar me rajonin Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejtë anëtarësimit. Anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike, ne kemi bërë zgjedhje andaj Agjenda e Reformave Europiane që nga fillimi i mandatit është trajtuar me shumë seriozitet”.
Thirrjet e liderëve institucionalë të Kosovës për heqjen e masave ndëshkuese nuk po dëgjohen nga vendet anëtare të BE-së. Deri me tani askush nuk e di se kur do të largohen këto masa.
Këto kërkesa u injoruan pasi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë masa largohen kur të vendosin vendet e BE-së e jo kur duan liderët institucionalë të BE.
“Kur BE-ja vendosi masat ndaj Kosovës për situatën me krizën permanente dhe vendimet e njëanshme në eskalimin e situatës mes Kosovës-Serbi, BE-ja njoftoi se ato janë të kthyeshme, ato do të largohen. Qëllimi është se kur shtetet anëtare të vendosin, KUR SHTETET ANËTARE TË VENDOSIN, jo politikanë të Kosovës, që nuk ka më arsye për t’i mbajtur ato”
Ai ka treguar se BE-ja është në diskutime, por megjithatë, masat nuk janë larguar ende dhe vazhdojnë të mbesin në fuqi.
Këto qëndrime të Stanos kanë ardhur si reagim ndaj kërkesës se kryeministrit Kurti për të hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Për sanksionet, gjatë javës se kaluar, ka folur edhe presidentja Osmani.
Në takimi që ka pasur me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, , ajo është ankuar për këtë çështje.
“Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për procesin e votimit në katër komunat veriore, me ç’rast Presidentja Osmani ripotencoi se vazhdimi i masave është i padrejtë dhe se Kosova i ka plotësuar kushtet që përfundimisht të largohen ato”, është thënë në komunikatën e Presidencës, e cila është lëshuar pas takimit.
Për vendosjen e masave, opozita e fajëson direkt Qeverinë Kurti. Sipas tyre, masat kanë ardhur si rezultat i veprimeve të papërgjegjshme të kryeministrit Albin Kurti.
Republika e Kosovës është nën masa ndëshkuese të BE-së prej qershorit të vitit të kaluar. Këto masa ishin vendosur pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur dërgimin e katër kryetarëve të veriut me asistencë policore në objektet komunale. Këto veprime kishin nxitur reagime dhe protesta të serbëve lokalë, ku ishin lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe policë të Kosovës.
Dita e Evropës shënohet me anë të aktiviteteve në të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, porse pushohet në vetëm një prej tyre. Ditë feste më 9 Maj është veç në Luksemburg, vend ky që Ditën e Evropës e ka përfshirë në kalendarin e festave zyrtare para katër vjetësh. Për Ditën e Evropës pushohet edhe në Kosovë, e cila nuk është ende pjesë e BE-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.