Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka protestuar me kërkesa ndaj qeverisë në ditën e punëtorëve. “Kërkojmë të ngritët vlera e koeficientit”, “Duam dialog social”, “Qeveri respekto pensionistët”, janë disa nga pankartat që kanë mbajtur në duar protestuesit.
Dita e Punëtorëve, 1 Maji, në Kosovë është shënuar me një protestë dhe një marsh protestues.
Gjatë ditës së sotme, qindra protestues, kanë marrë pjesë në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, e mbështetur nga sindikata tjera.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj në protestën e sotme i ka bërë thirrje qeverisë që të plotësojë kërkesat e kësaj sindikate.
Ai është shprehur se qeveria po vazhdon t’i ik dialogut, duke u shprehur se nuk dëshirojnë që të përsëritet viti 2022.
“Kemi bërë shumë angazhime dhe kemi pasur gatishmëri që shqetësimet dhe kërkesat legjitime të anëtarësisë dhe pensionistëve t’i bashkëbisedojmë me qeverinë dhe të angazhohemi bashkërisht për realizimin e tyre. Por, qeveria vazhdon t’i ik dialogut dhe parandaj duke respektuar zërin e anëtarësisë jemi këtu në këtë protestë me apelin drejtuar qeverisë që të realizojë kërkesat tona për të parandaluar kështu veprimet e tjera sindikale. I drejtohem Qeverisë me lutjen që të veprojë dhe të mos na përsëritet vitit 2022, kur filluam me protesta modeste, pastaj me protesta masive dhe shkaku i heshtjes së tyre na u desht të bëjmë edhe veprime sindikale që asnjëherë nuk i kemi dashur”, është shprehur ai.
Ata kanë listuar edhe kërkesat që ia kanë drejtuar qeverisë:
Duam dialog social për realizimin e kërkesave tona.
Nuk lejojmë të bëhen ndryshime të ligjeve në dëm të punëtorëve të arsimit.
Kërkojmë nënshkrimin e aneks kontratës kolektive të arsimit sidomos për ruajtjen e vendeve të punës.
Kërkojmë urgjentisht të ngritët vlera e koeficientit të pagave për së paku 30 për qind.
Kërkojmë përmirësimin e kushteve të punës në institucionet arsimore.
Plotësimi i ligjeve të mos bëhet pa pajtimin e sindikatave.
Duam funksionalizimin e Këshillit Ekonomiko-social.
Kërkojmë që norma javore të jetë 18 orë si në të gjitha shtetet e rajonit, e jo 20, 22 e edhe 24.
Qeveria të siguroj buxhet për zbatimin e kontratës kolektive, pa pasur nevojë të shkohet nëpër gjykata.
Qeveri, zbato vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagesën e përvojës së punës 0.5 për qind edhe për 15 vitet e para të punës.
Kërkojmë të kemi përfaqësues të punëtorëve në komisionet e bordeve në të cilat vendoset për fatin e tyre , për çështjet jetike të punëtorëve të arsimit dhe të gjithë punëtorëve të tjerë.
E Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtoreve të Sektorit Privat, ka thënë se kjo sindikatë i adreson kërkesat e tyre çdo ditë, mirëpo nuk ka ende asnjë zgjidhje.
Ai kritikoi kryeministrin Albin Kurti se para ardhjes në pushtet u kishte premtuar shumë zgjidhje punëtorëve.
“Para se të vinte në këtë qeveri, ky kryeministër na pat lodh. Zgjidhjen nuk po e kërkojmë te Qeveria por te liberalizimi i vizave, që nëse vazhdon kështu edhe dy vite kryeministrin nuk ka kush ta bartë me xhipa të zi sepse Kosovën defacto 150 mijë punëtorë e braktisën në tre muajt e parë të këtij viti”.
Gjatë dhjetë vjetëve në Kosovë kanë humbur jetën 147 punëtorë në vendet e tyre të punës, kurse janë lënduar 933 punëtorë. Shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur në sektorin privat. Përfaqësues të Sindikatës së sektorit privat konsiderojnë se këto shifra duhet të jenë alarm për institucionet dhe kompanitë që të veprojnë për t’i rritur masat e sigurisë në vendin e punës.
Kosova nuk ka sigurime shëndetësore, ndonëse në vitin 2007 u miratua ligji për këtë çështje, por asnjëherë nuk hyri në fuqi, pasi shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk e nënshkroi.
Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ishin vetë qeveritë e Kosovës ato që e tërhoqën ligjin, për shkak të implikimeve buxhetore.
Kuvendi i Kosovës arriti ta miratonte Ligjin e ri për sigurime shëndetësore në vitin 2014, mirëpo as ai nuk u zbatua.
Zbatimit të tij u tha se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh për mbledhjen e fondeve, e cila do të niste nga 1 korriku i vitit 2017.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve që shënohet çdo 1 maj, punëtorët në Kosovë i gjen me pagë mesatare prej 520 eurosh dhe me minimalen që sillet nga 130 deri në 170 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.