Megjithatë rriten ndjeshëm të ardhurat nga tatim fitimi dhe nga akciza…
Ndonëse të ardhurat tatimore në total kanë shënuar një përmirësim të lehtë në janar të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të një vit më parë, një tregues i rëndësishëm i qarkullimit të mallrave të ekonomi, ai i TVSH-së ka qenë në rënie.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave në raportin mujor fiskal për janarin, totali i të ardhurave në buxhet për muajin e parë të vitit ishte rreth 27.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të viti të kaluar. Megjithatë, pavarësisht rritjes relativisht të kënaqshme, të ardhurat janë pothuajse në të njëjtin nivel me janarin e vitit 2011, teksa muajt e parë të 2012-s kishin regjistruar një performancë të dobët fiskale.
Pavarësisht rritjes, zëri kryesor i të ardhurave në buxhet, ai i TVSH-së, që është njëkohësisht një tregues i rëndësishëm i qarkullimit në ekonomi, shënoi një rënie prej 6.3% me bazë vjetore.
Të ardhurat nga tatim fitimi, që vitin e kaluar shënuar zbritje të ndjeshme, kanë pasur tendencë pozitive për janarin, duke u rritur ndjeshëm me 33%. Megjithatë duket pritur dhe ecuria e muajve në vijim, për të parë se sa e qëndrueshme është kjo tendencë, pasi në katër muajt e parë të vitit tatim fitimi parapaguhet mbi bazën e fitimeve të rezultuara në bilancin e vitit 2011, vit që ka pasur një rritje më të lartë ekonomike në raport me 2012-n.
Ecuri pozitive kanë shënuar dhe të ardhurat nga akciza, me rreth 10%, edhe ky një zë që ka pasur tendencë negative në 2012-n.
Rritje një shifrore kanë shënuar dhe të hyrat nga sigurimet shoqërore, ndërsa të ardhurat jo tatimore janë zgjeruar me mbi 30%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.