Fokusi drejt turizmit, por edhe numri gjithnjë e në rritje i turistëve të huaj po nxit investimet drejt hoteleve. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për lejet e reja të ndërtimit në tremujorin e parë të 2018-s janë dhënë leje për t’u ndërtuar 25 hotele (apo ndërtesa të ngjashme me to) me një sipërfaqe totale prej 19,031 metra katrorë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, lejet e reja të ndërtimit janë pesëfishuar. Në tremujorin e parë të 2017-s u dhanë vetëm pesë leje ndërtimi, me një sipërfaqe totale prej 10,145 metër katrorë.
Gjatë 2017-s u dhanë në total 53 leje ndërtimi për hotele, i cili shënoi edhe nivelin më të lartë të katër viteve të kaluara. Ndërkohë në 2018-n, vetëm në tremujorin e parë janë dhënë sa gjysma e totalit të lejeve në vitin e kaluar.
Edhe pse numri i lejeve është rritur, sipërfaqja në lejet e reja ka qenë më modeste. Sipërfaqja mesatare për njësi hoteli (apo ndërtesë të ngjashme me të) është 761 metër katrorë. Në të njëjtën periudhë një vit më parë, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit për tremujorin e parë të 2017-s ishte 2029 metër katror për njësi (nga 10,145 që ishte totali). Sipërfaqet më modeste në lejet e reja të ndërtimit për hotele reflektojnë investimet në agroturizëm.
Qeveria nëpërmjet nxitësve fiskalë, fillimisht miratoi ligjin për lehtësim nga taksat për hotelet dhe resortet me 4 dhe 5 yje. Ndërsa tani po lehtësojnë bizneset që operojnë në sektorin e agroturizmit. Të gjithë bizneset do të përfitojnë një normë tatimfitimi nga 15% në 5%, dhe do të kenë një shkallë të reduktuar.
Ndërkohë që edhe disa projekte për hotele me pesë yje kanë qenë gati para se qeveria të lehtësonte taksat.
Shpejt pritet të hapë themelet hoteli i ri “Tirana Internacional” me 5 yje, si zgjatim i hotelit ekzistues në qendër të Tiranës në pronësi 100 për qind të kompanisë “Geci”. Leja zhvillimore për objektin 35-katësh është dhënë për shërbime hotelerie 100%.
Gjithashtu është në përfundim të investimit hoteli “Hilton” i linjës Garden inn” që do të shtojë ofertën e akomodimit në Tiranë me mbi 20%. Projekte të tjera të mëdha janë në nisje.
Një tjetër kullë shumëkatëshe, 30% e së cilës është planifikuar të ofrohet si hotel, do të ndërtohet në mes të Tiranës (atje ku ndodhet sot Dhoma e Tregtisë së Tiranës) e cilësuar “Eyes of Tirana”. Trualli ku do të kryhet investimi është rrethuar.
Një valë hotelesh të reja po ndërtohen në bregdetin e Jugut dhe Adriatikut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.