Pagat e punonjësve janë një vendim i rëndësishëm që merret nga drejtuesit e kompanisë dhe përgjegjësit e Burimeve Njerëzore.
Janë shumë faktorë që duhet të merren në konsideratë: fitimet e tanishme të kompanisë dhe ato të ardhshme, ndikimi i pagave në proceset e rekrutimit etj.
Më poshtë janë shtatë arsye se pse ju duhet t’i paguani punonjësit me paga më të larta se mesatarja…
1.Ka kaq shumë njerëz të aftë…
Sot, në botën e biznesit në zhvillim të vazhdueshëm, ka kaq shumë njerëz me aftësitë e nevojshme për disa role të caktuara. Ju duhet të bëni gjithçka që mundeni për të pasur njerëzit më të aftë në ekipin tuaj. Inxhinierët më të zotë, dizajnerët, menaxherët në shitje etj.
Një ndër mënyrat më efikase për të pasur këta njerëz në kompaninë tuaj janë pagat e larta. Duke iu ofruar një pagë më të lartë se mesatare do t’ju ndihmojë të tërhiqni njerëzit më të zotë të cilët do të ndikojnë në rritjen e biznesit tuaj,
2.Punonjësit angazhohen më shumë
Duke i paguar punonjësit me paga më të larta se sa mesatarja, ju në thelb jeni duke thënë se prisni një punë me më shumë cilësi. Edhe pse paga dhe përfitimet e tjera jo gjithnjë janë motivuesit më të mëdhenj për punonjësit, ato sigurisht që ndikojnë.
E vërteta është se pagat më të larta nxisin një kulturë me rendiment dhe produktivitet të lartë. Kur njerëzit perceptojnë se paguhen më shumë se homologët e tyre në kompani të tjera, shpesh janë “të detyruar” të angazhohen më tepër për të treguar se e meritojnë pagën që marrin.
3.Përmirësohet rekrutimi, nëpërmjet përhapjes së fjalëve
Punonjësit që paguhen mirë në një kompani me produktivitet të lartë mund të jenë më të lumtur për punën e tyre, veçanërisht nëse e vlerësojnë atë. Duke supozuar se ju si punëmarrës përpiqeni shumë që punonjësit të angazhohen në diçka që ka kuptim për ta, ata do të ndihen të entuziazmuar dhe të lumtur të jenë pjesë e kompanisë suaj. Kompanitë e mëdha i angazhojnë punonjësit e tyre jo vetëm duke i paguar më shumë, por duke u kushtuar edhe vëmendje personale, duke i përgëzuar në publik ose duke i përfshirë punonjësit më të zotë në marrjen e vendimeve. Nga ana e tyre, ata do të duan të rekrutojnë në ekipin e tyre miq të kualifikuar apo ata që bëjnë pjesë në rrjetin e tyre. Kjo do të krijojë një cikël pozitiv në rekrutimin e njerëzve më të aftë që të punojnë për kompaninë tuaj.
4.Punonjësit nuk do të duan të largohen nga kompania
Në një kompani ku punonjësit janë më tepër të angazhuar dhe shpërblehen për punën e tyre ka më shumë gjasa që ata të qëndrojnë në atë kompani. Sa më gjatë që një punonjës qëndron në kompaninë tuaj, ai kupton më mirë se si funksionojnë gjërat, rregullat dhe misionin e saj. Kjo mund t’i bëjë më produktivë dhe të krijojnë një ekip dhe lidhje më të forta mes vetë punonjësve.
Në këtë mënyrë ju do të shpenzoni më pak kohë dhe para për të punësuar dhe për të marrë në intervista punonjës të rinj. Procesi i rekrutimit mund të jetë i kushtueshëm, ndaj shmangia sa më shumë të mundeni mund të jetë diçka pozitive.
5.Punonjësit do të përqendrohen më shumë në punë
Kur paratë nuk janë shqetësimi kryesor, punonjësit mund të përqendrohen më shumë në projektet e tyre. Ata do të shqetësohen më pak për pagën në fund të muajit apo se janë kompensuar në mënyrë të padrejtë. Kjo do të rrisë produktivitetin dhe cilësinë e punës.
6.Ju do t’i shpërbleni punonjësit me të drejtë
Kur dikush e bën punën me përgjegjësi dhe me cilësi të lartë, meriton të shpërblehet për të. Mendimi këtu është që ata duhet të marrin një pjesë të vlerës që po i shtojnë biznesit tuaj.
Prandaj, në vend që t’i mbani gjithë fitimet mes drejtuesve dhe investitorëve, njerëzit që krijojnë një vlerë të pamohueshme në kompaninë tuaj, duhet gjithashtu të marrin një pjesë të saj. Kjo perceptohet si diçka e moralshme dhe mund të nxisë kulturën e barazisë, diçka të cilën e kanë për zemër punonjësit.
7.Do të keni nevojë për më pak punonjës për të kryer disa punë të caktuara.
Me punonjësit më të mirë të fushës, rendimenti mund të jetë më i lartë. Dy punonjës më të angazhuar mund të arrijnë të njëjtin rezultat të tre punonjësve më pak të angazhuar dhe më pak të aftë. Për rrjedhojë ju mund të keni nevojë për më pak punonjës në kompaninë tuaj.
Përfitimet kapërcejnë shpenzimet
Rritja e pagave të punonjësve mund të jetë e dhimbshme në fillim. Mund të nënkuptojë më pak fitime për kompaninë tuaj në afat të shkurtër. Me kalimin e kohës, megjithatë, kjo gjë mund të përmirësojë jo vetëm kulturën e punës dhe t’i bëjë punonjësit më të lumtur, por do t’ju kursejë edhe para. Rendimenti dhe produktiviteti mund të jenë më lartë me një numër më të vogël punonjësish. Ndër të tjera, pagat më të larta kursejnë para që do duhet t’i shpenzoni kur rekrutoni punonjës të rinj. Rritja e pagave punonjësve tuaj nuk është vetëm një veprim për t’i bërë ata të lumtur por është edhe një investim drejt një biznesi më produktiv dhe me cilësi të lartë.
*John Boitnott, gazetar dhe këshilltar në sektorin dixhital
Burimi: INC