Aeroporti i Vlorës, MIE: Tre operatorë dorëzojnë ofertën për ta ndërtuar në zonën e Akërnisë

17/01/2018 10:49 AM 0 komente

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije sot se një konsorcium me tre kompani në përbërje të tij ka dorëzuar një ofertë për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Sipas njoftimit, tashmë do të vijohet me fazën e radhës së vlerësimit nga ana e dy ministrive, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo për Financat dhe Ekonominë.

Në njoftimin zyrtar, ministria bën me dije se kompanitë kanë marrë përsipër të bëjnë investimin me fondet e tyre dhe jo përmes buxhetit të shtetit. Aeroporti i Vlorës është cilësuar si një nga projektet më të rëndësishme në sektorin e transportit ajror. Ai është lidhur direkt si një projekt me ndikim në turizëm dhe zhvillimin e rajonit në Jug të vendit.

Jo rastësisht, ndërtimi është vendosur në zonën e Akërnisë, pasi aty është një aeroport ekzistues, bazë ushtarake.

Reagimi i MIE

Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është paraqitur shprehja e interesit për projektin e Aeroportit të Vlorës. Sipas propozimit, aeroporti mendohet të ndërtohet në zonën e Akërnisë. Oferta është paraqitur nga një konsorcium i tre kompanive ndër më seriozet, të cilat janë: Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction. Me marrjen e ofertës, do të ngrihet një grup i posaçëm me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë që do të shqyrtojnë aspektet teknike të propozimit dhe do të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me përcaktimet ligjore.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of