Agjencia e Sigurimit të Depozitave në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (International Association of Deposit Insurers-IADI) organizoi mbledhjen e Komitetit Rajonal të Europës (Europe Regional Committee-ERC) të IADI-t, si dhe seminarin teknik me temë “Planet e Kontigjencës dhe Menaxhimi i Krizave/Rastet e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”, në datat 4 dhe 5 Prill 2019.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, z. Genci Mamani, nënvizoi rëndësinë që kanë mbledhjet e KRE, duke qenë se ato ofrojnë mundësi për shkëmbimin e eksperiencave dhe përfitimin nga praktikat më të mira në fushën e sigurimit të depozitave.
Ndërsa Guvernatori Gent Sejko vuri theksin te bashkëpunimi ndërmjet anëtarëve të rrjetit të sigurisë financiare, si një element kyç në administrimin me efikasitet të sistemit financiar e bankar, si dhe në përballimin me sukses të situatave që mund të kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve të mbikëqyrjes financiare.
Në mbledhjen e KRE, e cila organizohej për herë të parë në një vend jo anëtar të Bashkimit Europian, u diskutuan zhvillimet më të fundit rajonale dhe në juridiksione të veçanta, sa i takon sigurimit të depozitave. Gjithashtu, temë e diskutimeve ishte dhe roli i KRE dhe aktivitetet përkatëse në funksion të Objektivave Strategjikë të IADI-t.
Aktiviteti i organizuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në të cilin merrnin pjesë 70 përfaqësues nga 28 juridiksione të ndryshme, vazhdoi me seminarin teknik në lidhje me “Planet e Kontingjencës, Menaxhimin e Krizave dhe Rastet e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”. Qëllimi kryesor i seminarit teknik ishte diskutimi i thelluar i Parimeve Themelore për Skema Efektive të Sigurimit të Depozitave 6 dhe 14 të IADI-t, duke eksploruar proceset dhe politikat e nevojshme që i duhen një skeme të sigurimit te depozitave për hartimin e një Plani Kontigjence duke përdorur mjetet dhe burimet e duhura për të përballuar në mënyrë efektive një krize të mundshme financiare si edhe rastet e ndërhyrjes se jashtëzakonshme.
Gjatë dy ditëve të seminarit teknik pjesëmarrësit patën mundësinë, përmes sesioneve teorike dhe praktike, të njiheshin dhe diskutonin me prezantimet dhe rastet studimore të ekspertëve nga Kanadaja, Kroacia, Greqia, Italia, Kosova, Holanda, Polonia, Rumania, Rusia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuar si dhe Qendra Këshillimore e Sektorit Financiar të Bankës Botërore. Seminari u përshëndet gjithashtu, nga Zv. Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë Znj. Natasha Ahmetaj, e cila tha se krijimi dhe ruajta e besimit të publikut është nja nga funksionet kryesore të Bankës së Shqipërisë. Në këtë drejtim, bashkëpunimi i Bankës së Shqipërisë me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave merr një rëndësi thelbësore. Në fjalën e saj, Znj. Ahmetaj tha se, Banka e Shqipërisë ka draftuar planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme për bankat sistemike dhe këto plane janë konsultuar plotësisht me ASD-në. në lidhje me këtë, Zv. Guvernatorja Ahmetaj theksoi se, pa opinionin e institucionit të sigurimit të depozitave asnjë nuk plan i ndërhyrjes së jashtëzakonshme nuk mund të konsiderohet i besueshëm. Vlen për t’u përmendur pjesëmarrja dhe prezantimi Z. Dominique Laboureix, anëtar i Bordit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (BNJ) të Bashkimit Europian si dhe Drejtor për Planifikimin dhe Vendimmarrjen në këtë organizëm.
Ai i njohu pjesëmarrësit me zhvillimet më të fundit në kuadrin rregullator evropian të ndërhyrjes së jashtëzakonshme si dhe përqasjen e BNJ kundrejt sfidave me të cilat përballet.
Duke marrë në konsideratë rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zgjidhjen e situatave problematike financiare, në punimet e seminarit teknik merrnin pjesë zyrtarë të nivelit të lartë të Bankës së Shqipërisë si dhe përfaqësues të bankave të nivelit të dytë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.