Drejtoria e Përgjithshme e Doganave publikoi së fundi listën me 42 biznese që përjashtohen nga falja fiskale për shkak se janë dënuar me një vendim të formës së prerë. Ligji që sanksiononte pjesën e faljes ka mbyllur efektin e tij në datë 31 dhjetor 2017 por ndërkohë lista del periodikisht nga Doganat pas përpunimit që ju bëhet dokumenteve të dorëzuara nga biznesi.
Në shkresën e firmosur nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arben Seferi, në datë 22 shkurt thuhet se lista duhet të mbahet parasysh nga Degët Doganore, drejtoria e Hetimit si dhe Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit gjatë kryerjes së procedurave në zbatim të ligjit 33/2017 “Për pagesën/fshirjen/ shuarjen e detyrimeve tatimore detyrimeve të pagueshme në doganë si dhe procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore”.
Lista është hartuar nga sektori i Borxhit në mbështetje të nenit 4 të ligjit “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore dhe në Udhëzimin nr.14 dt. 03.05.2017 “Për zbatimin e ligjit nr. 33/2017 si dhe bazuar në informacionet e dërguara nga Degët Doganore.
Ligji për faljen e një pjese të borxhit tatimor ose doganor me kushtin e pagesë së principalit ishte në fuqi deri në 31 dhjetor 2017 dhe ishte pjesë e një pakete të plotë ku përfshihej rivlerësimi i banesave dhe falja për automjetet por duke plotësuar një seri kushtesh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.