Një biznesmen i huaj i njohur në vendin tonë, i pyetur nëse do të investonte në Shqipëri në sezonin e fushatës zgjedhore, u përgjigj shkurt e prerë: Jo, do të pres zgjedhjet një herë pastaj shohim e bëjmë. Nëse të gjithë investitorët në vend si dhe ata të interesuar për Shqipërinë do të mendoheshin para se të investonin në kohë zgjedhjesh në Shqipëri, Drejtorja e Agjencisë së Nxitjes të Investimeve të Huaja në vend znj. Estela Dashi ka pohuar në një intervistë për revistën Monitor se biznesi i huaj që vepron e punon në Shqipëri është i konsoliduar dhe nuk do të ulë investimet, pasi punon me plane si dhe parashikohet që brenda vitit 2005 të rriten investimet e huaja në vend. Fushat kryesore në të cilat mendohet të ketë fluks më të madh investimesh të huaja për vetë përparësitë konkurruese që ofron Shqipëria janë: industria përpunuese dhe turizmi me interes të veçantë. Në industrinë përpunuese shikohen potenciale në degët si: industria ushqimore, në atë të përpunimit të frutave, akuakulturës dhe përpunimit të peshkut, në përpunimin e bimëve mjekësore si dhe përpunimi i lekurës dhe drurit. Për më shumë informacion Monitor i është drejtuar znj. Estela Dashi, drejtore e Agjencisë së Investimeve të Huaja në vend. Si është aktualisht gjendja e investimeve të huaja, shifra konkrete?Zakonisht përllogaritja e nivelit të investimeve të huaja direkte kryhet në fillim të çdo viti. Sipas statistikave për Investimet e Huaja Direkte gjatë vitit 2004 ato kanë kapur shifrën e 341 milion USD. Ky është niveli më i lartë i investimeve të huaja i arritur ndonjëherë në Shqipëri dhe që në një masë të konsiderueshme është arritur falë privatizimit të Bankës së Kursimeve nëpërmjet bankës austriake Raiffeisen. Përveç investimeve të reja gjatë vitit 2004 disa nga shoqëritë e huaja që janë të pranishme në Shqipëri kanë riinvestuar. Kështu, firma italiane Edilcentro ka investuar rreth 10 milion USD, Kurum 2.5 milion USD. Aktualisht, një tjetër shoqëri e huaj, Seament ka parashikuar të realizojë një investim për vitin 2005 që kap shifrën e 75 milion USD. Cilat janë vendet që kanë numrin më të madh të investimeve në vend deri sot?Vendet me numrin më të madh të investimeve në vend si në aspektin e numrit të shoqërive ashtu dhe në aspektin e kapitaleve janë Italia dhe Greqia. Por vitet e fundit falë pjesëmarrjes në privatizime dhe në koncesionet e sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare është rritur edhe prania e firmave të huaja të ardhura nga Austria dhe Gjermania. Po kështu edhe shoqëritë amerikane jo vetëm që janë të pranishme në vend, por disa prej tyre kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri në vitet e ardhshme si p.sh., General Electric.Cilat janë firmat dhe vendet e interesuara për të marrë pjesë në privatizimet strategjike në vendin tonë?Telecom-i turk ka blerë kohët e fundit shoqërinë Albtelecom për 120 milion Euro. Përsa i përket shoqërive të interesuara për Armo-n ato janë: INA (Kroaci), ENI (Itali), Çealik Energy Telecomuniaction (Turqi) etj.Si do të ndikojë situata zgjedhore në ecurinë e Investimeve të Huaja Direkte në vend?Sigurisht që kjo është një pyetje që bëhet shpesh dhe nga shumë njerëz. Gjithsesi ne mendojmë se një situatë e tillë nuk do të ndikojë në ecurinë e ardhjes së investitorëve të huaj apo të shtimit të vëllimit të investimeve nga ana e investitorëve të pranishëm. Kjo pasi ky është një proces tashmë i filluar dhe që mbështetet në politika administruese si pjesë planesh studimi afatgjata mes qeverisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Po kështu siç e përmendëm edhe më lart, firma të huaja që veprojnë në Shqipëri prej vitesh kanë paraqitur projekte të mëdha riinvestimesh për vitin 2005. Këtu dëshiroj të theksoj se pjesë e kësaj strategjie është dhe ANIH, veprimtaria e të cilit mbikëqyret nga një bord drejtues mjaft profesional dhe që vetë si agjenci gëzon një status ligjor mjaft nxitës. Cilat janë vendet e interesuara të investojnë në Shqipëri?Prania e shumë firmave të mëdha të huaja në vend sidomos gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit tregon se tregu shqiptar përbën sot një realitet interesant për to. Gjatë këtyre pak viteve që ANIH operon, investitorë nga vende të ndryshme janë interesuar pranë agjencisë për të marrë informcionet e nevojshme në lidhje me klimën e biznesit, legjislacionin, procedurat për fillimin e tij etj. Përfaqësuesit e shoqërive të huaja vijnë nga shumë vende duke filluar kryesisht me vendet fqinje si Italia, Greqia e Turqia për të vazhduar pastaj me Gjermaninë, Austrinë, Poloninë, Hungarinë, Slloveninë etj. Interes për të zhvilluar aktivitetet e biznesit në Shqipëri kanë shprehur dhe firma jo europiane si p.sh., izraelite, të cilat janë të interesuara të investojnë në sektorin e bujqësisë dhe shëndetësisë, shoqëri amerikane që janë të interesuara kryesisht në sektorin e shërbimeve, madje ne jemi konsultuar edhe me përfaqësues të biznesit australian. Cilët janë sektorët prioritarë ku mund të investojnë të huajt dhe çfarë po bën ANIH për t i tërhequr ata?Ndër sektorët që paraqesin interes për biznesin e huaj janë sektori i industrisë përpunuese ushqimore, ai i tekstileve, lëkurëkëpucëve, sektori i energjetikës i cili merr një rëndësi të veçantë po të kihet parasysh procesi i privatizimeve si dhe sektori i shërbimeve. Dy vjet pas ngritjes së ANIH unë mund të them se personeli i agjencisë është i pajisur sot me ekspertizën e nevojshme përsa i përket njohjes së tendencave të shtrirjes së IHD. Kjo ka bërë që në bashkëpunim me konsulentë të huaj që punojnë në kuadër të programit CARDS personeli i ANIH të përcaktojë sektorët prioritarë që paraqesin interes për biznesin e huaj. Në planet afatshkurtra të ANIH bëjnë pjesë: bashkëpunimi me shoqërinë e njohur amerikane McKinsey, një mision i zgjeruar biznesi në Itali në kuadrin e projektit CARDS ku do të kontaktohen ballë për ballë biznesmenë si dhe disa shoqata përfaqësuese të biznesit, një mision i zgjeruar biznesi në Gjermani i ngjashëm me atë të Italisë. Po në kuadër të angazhimit institucional të ANIH në tërheqjen e bizneseve të huaja agjencia ka kohë që është bërë pjesë përbërëse e grupeve të punës që punojnë për të përmirësuar legjislacionin në kuadër të ligjit të investimeve të huaja. Këtu do të dëshiroja të përmend bashkëpunimin me FIAS në kuadër të programit të eliminimit të barrierave administrative. Po në ndihmë të biznesit të huaj ANIH është në fazën e përpunimit të një sistemi të dhënash të zgjeruar, ekspertë të ANIH janë përfshirë në katër studime të detajuara të sektorëve të veçantë të ekonomisë, të cilët do të shërbejnë për të dhënë një informacion më të zgjeruar për të gjithë ata investitorë që janë të interesuar të investojnë në sektorët e marrë në studim. Një tjetër aspekt i angazhimit të ANIH për këtë vit është ai i dhënies së rekomandimeve për Paketën Fiskale për vitin 2006.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.